Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi i ka kërkuar SPAK të mos vonojë dhe të dërgojë në Kuvend kërkesën e dytë për arrestimin e ish zv kryeministres Belinda Balluku, pasi asaj iu sekuestrua një tjetër vilë e fshehur në emrin e Igli Tares, si edhe iu shtua akuza e mosdeklarimit të pasurisë.
“Edhe sa vila të Belinda Ballukut duhet të zbulojë SPAK, që të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj? Deri tani, 2 vila të sekuestruara dhe 4 akuza penale: korrupsion pasiv, fshehje pasurie, pastrim parash në rrethana cilësuese dhe shkelje e barazisë në 8 procedura prokurimi.” shkruan Bardhi.
Kreu i grupit demokrat shkon edhe më tej kur akuzon kreun e SPAK Klodian Brahon si pjesë e një aleance të fshehtë me qeverinë, duke e quajtur “Aleanca e Valamar”.
“Aleanca e Valamarit” nuk mund të jetë më e fortë se ligji”, shkroi Bardhi, i cili më herët pretendoi në një intervistë televizive se Braho po ndikohet nga kryeministri Edi Rama për të mos vepruar mbi Ballukun.
Sipas Bardhit, pika e kontaktit e Ramës me Brahon është Ervin Demo, i sapoemëruar ministër i Brendshëm, pasi ka lidhje të afërta me kreun e SPAK dhe se sipas tij takimet mes tyre zhvillohen në një kompleks në gjirin e Lalzit. Në intervistë, Bardhi tha se Braho duhet të distancohet nga Demo dhe Rama.










Komente
Komento