Avokati Alban Duraj thotë se rekursi i bërë nga zëvendëskryeministrja Bellinda Balluku për heqjen e ndalimit të daljes jashtë vendit, është e drejtë e saj ligjore.

Në një intervistë për "Studio Live" në Report Tv, Duraj u shpreh se këtë masë sigurimi, duke i bllokuar pasaportën, SPAK e mori për shkak të rrezikut të arratisjes së Ballukut.

“Përsa i përket rekursit, me aq sa kemi marrë informacion përmes mediave, kemi një rekurs ku kontestohet vendimi i GJKKO, vetëm për masën e ndalimit për lëvizjen jashtë shtetit. Ky është mjet ligjor, për të cilën, pala që cenohet, zonja Balluku ka të drejtën e rekursit. Zonja Balluku nuk ka kundërshtuar vendimmarrjen sa i përket masës së pezullimit nga detyra, kemi një vendimmarrje për të, kur janë vendosur dy masa, masa e pezullimit nga detyra dhe masa për ndalimin e lëvizjes jashtë shtetit. SPAK, duke parë dyshimin e arsyeshëm dhe veprat që dyshohet zonja Balluku se ka kryer, mendon se ekziston rreziku se zonja Balluku mund të lëvizë jashtë shtetit apo mund të arratiset.", theksoi ai.

Duraj deklaroi se Balluku duhet të bënte rekurs edhe për masën e pezullimit nga detyra, edhe pse ende nuk ka një vendimmarje nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas avokatit, imuniteti i përket personave që janë zgjedhur nga populli, teksa në rastin e Ballukut, kërkohet heqja e imunitetit si zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku është e emëruar.

"Kemi çështjen e parë për të cilën iu komunikua akuza, ekziston rreziku që ajo të dalë jashtë shtetit. Nuk kemi një ankimim për themelin, për masën e pezullimit nga detyra, kjo sepse ndoshta zonja Balluku pret që të marrë vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese. Në gjykimin tim, duhet të ankimonte edhe vendimin e pezullimit nga detyra. Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë me vendimmarrje edhe pse ka pasur kohë të mjaftueshme. Nuk e besoj që mos ta kenë të qartë. Pezullimi nga detyra, për rastet e anëtarit të Këshillit të Ministrave, nuk duhet që të merret leje në Kuvend. Nuk ka imunitetin që ka deputeti, imuniteti është në rast se kemi masë shtrënguese, si arresti, apo arrest shtëpie. Imuniteti është për këto. Pezullimi nga detyra është vetëm për deputetët, ata që janë të zgjedhur nga populli, anëtarët e Këshillit Bashkiak, kryetarët e bashkive. Sa i përket funksioneve të tjera, që nuk janë përfshirë në këtë kategori, janë subjekt për pezullimin nga detyra, edhe kryeministri, presidenti, çfarë do zyrtari që mund të pezullohet nga detyra është e drejtë ligjore. Gjykata është pushteti që kontrollon dhe balancon pushtetet e tjera.", tha avokati.

Ndër të tjera, Duraj nënvizoi se mbledhja e Këshillit të Mandateve nuk duhet të ishte shtyrë, sepse kërkesa e arrestit nga SPAK, nuk ka lidhje me vendimin që pritet të japë Kushtetuesja.

Refora u ndërmor që të kemi drejtësi të pavarur dhe larg ndikimit politik. Por me këtë qasje të zonjës Balluku, standardi i ndjekur në publik, por edhe diskursin që ka pasur kryeministri, tregon një intimidim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ka informacione që janë bërë publike në media, që ka pasur ndikim ose tentim që të ndikohen familjarët apo anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Nëse janë të vërteta, duhet të hetohen këto çështje. Kur vjen puna te qytetarë të thjeshtë që kryejnë vepra penale, ka një qasje të kryeministrit që ata duhet të shkojnë në burg, këtu kemi çështje të një morali, zoti Rama e trajton me dy standarde. Duhet të presim vendimmarrjen e Kushtetueses, ndonëse Këshilli i Mandateve nuk duhet ta kishte shtyrë mbledhjen. Gjykata Kushtetuese ka përbërje politike, mënyra si konfigurohet kjo gjykatë, anëtarët zgjidhen nga Kuvendi, kur vjen puna te kandidaturat, duhet që të gjitha forcat politike, duhet të lëshojnë dhe të tërheqin te kandidatët e tyre. Mënyra sesi janë konfiguruar këto institucione, ka ndikim politik. Por ka presion nga ambasada e Amerikës, në një takim publik, ku ishte edhe zëvendëskryeministrja Balluku, ambasadorja nuk e pa fare.  Ambasadorja nuk i dha dorën, nuk e pa fare në fytyrë. Këto gjeste tregojnë shumë. Këto kanë ardhur si rezultat i një presioni publik, SHBA janë financuesit, mbështetësit për reformën në drejtësi. Imuniteti politik për zyrtarët që janë anëtarë të Këshillit të Ministrave, deputetë, nuk duhet të ekzistojë. Këta zyrtarë duhet të jenë të barabartë me qytetarët.", u shpreh avokati Duraj.

Duraj shtoi se siguria në gjykatat në vend lë për të dëshiruar, teksa sipas tij, gjyqtarët kanë të drejtën e tyre për të kërkuar rritje page. Duraj thotë se do kemi drejtësi, nëse sistemi gjyqësor do të jetë i mirëpaguar,

“Siguria në Gjykata lë shumë për të dëshiruar. Frenimi nga deputetët, nga të gjitha krahët, nuk ka dalë një prej tyre dhe të thotë që sistemi gjyqësor ka buxhet të reduktuar. Të gjitha palët nuk e duan sistemin gjyqësor, duan sistem gjyqësor të papaguar mirë, të futet sistemi në kolaps. Për t’i mërzitur qytetarët dhe njerëzit. Ne kemi gjyqtarë që kanë mesatarisht 1 mijë dosje. Në momentin që nuk kemi gjyqtarë të papaguar mirë, në momentin që janë të paguar mirë, do kemi edhe motivim që vjen natyrshëm. Nëse ne kemi një pushtet gjyqësor të paguar, do kemi drejtësi.", përfundoi ai.