Në Gjykatën Kushtetuese zhvillohet sot seanca në lidhje me masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendës kryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme Anitkorrupsion.
Avokatja Denisa Alliu e ftuar sot në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ u shpreh se në lidhje me këtë çështje gjykata nuk ka dhënë një vendim final, por një vendim paraprak i cili mund të jetë i ndryshëm në fund të hetimeve
“Synimi kryesor është ndarja e pushteteve. Pra një ministër apo një funksionar publik nuk mund të shkarkohet nga një gjykatë e zakonshme, për të mos pasur një ngatërrim të kompetencave. Kjo është një çështje që i takon pushtetit ekzekutiv. Palët do të paraqesin argumentet e tyre, gjykata do t’i pyesë edhe për sqarimet e mëtejshme. Gjykata nuk ka dhënë një vendim final, por një vendim paraprak i cili mund të jetë i ndryshëm në fund të hetimeve”, tha avokatja Alliu.
Sa i përket masës për pezullimin e pasaportës për ndalimin jashtë vendit, avokatja u shpreh se mendon se ky vendim i SPAK vjen për shkak kryerjes së hetimeve.
“Arsyeja kryesore që unë mendoj se SPAK ka për këtë masë është sesa i vlefshëm është ky vendim i marrë. Pra kjo masë e marrë a siguron një proces dhe hetim të rregullt pa ndërhyrë në prova dhe pa ndikuar në dëshmitarë dhe në çdo gjë që i shërben hetimeve. Mendoj që SPAK është skeptik në pjesën e ndikimit që ka një person, sepse po flasim për zëvendës kryeministren e cila ka pushtet, dhe gjithmonë pretendojmë se mund të ndikojë në prishjen e provave dhe kjo është arsyeja që SPAK kërkon të heqë imunitetin e saj dhe të ashpërsojë masën e sigurisë”, shtoi ajo teksa theksoi se çdo gjë do të varet nga provat e grumbulluara.
Ndër të tjera Allu nënvizoi se seanca e sotme do të jetë e gjatë, do të ketë argumente dhe ballafaqime.
"Vendimi nuk do të merret nga një person i vetëm, do të ketë edhe ballafaqime.Besoj se do të jetë një seancë e gjatë, pasi është një çështje që do mjaft angazhim. Nuk do të diskutohet pafajësia, por ndarja e pushteteve. Një Gjykatë e thjeshtë nuk i takon të merret me funksionarët publikë. Siç ndodh edhe në procese të zakonshme, organi i akuzës pra SPAK vendos materialet në dispozicion. Vendosen materiale të papërsëritshme dhe nuk mund të cenohen apo prishen, materiale të nevojshme për atë që SPAK ka kërkuar apo ka pretendime. Nëse ka vërtet shkelje mund ta vërtetojnë me shumë lehtësi dhe të vendosin nëse do i heqin imunetitin apo jo", tha ajo
Teksa u pyet nga moderatori Andi Kapxhiu për ngjarjen e rëndë të 21 Janarit 2011, avoktatja tha se tanimë sytë e njerëzve për zgjidhjen e kësaj ngjarje janë nga SPAK.
"SPAK ka të drejtën të hetojë të gjitha materiale, është e vetmja shpresë që të zbulojë se cili e ka dhënë urdhërin. Është një ngjarje e rëndësishme, sytë e qytetarëve janë te SPAK. Është një ngjarje e rëndë pasi katër qytetërë humbën jetën duke kërkuar të drejtën e tyre", përfundoi ajo.
Komente











