Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se në të gjithë botën, masat e sigurimit negociohen nga gjykatat mes prokurorisë dhe palës mbrojtëse.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, ku komentoi mbi përplasjet e fundit mes qeverisë dhe drejtësisë për rastin e Belinda Ballukut.
Sipas Spahiut, për këtë çështje ka gabuar edhe kryeministri Edi Rama, por edhe SPAK. Spahiu shtoi se qeveria duhet ta pranonte vendimin e SPAK për pezullimin e Ballukut dhe më pas pezullimin ta bënte objekt ankimimesh dhe të ndryshonte Kodin e Procedurës Penale.
“Unë mendoj se ka një gabim edhe nga ana e Ramës, por edhe nga ana e SPAK. Gabimi i Ramës është se nuk gjeti zgjidhje para se t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Që do të thotë se Rama është shumë i vonuar në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Në të gjithë vendet ku funksionon shteti juridik dhe sidomos në çështjen e masave të sigurisë në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, etj, masat e sigurimit janë vendime që negociohen nga Gjykata mes të dy palëve, mes prokurorisë dhe mbrojtjes.
Marrim rastin konkret. Unë dua të shoh pozitivisht. SPAK nuk mori një masë të ashpër ndaj Ballukut, mori një masë të lehtë, e vënë nën presionin real të gjithë faktorëve që thonë se SPAK s’ka masë tjetër dhe i lë nga 2 vite në paraburgim pa i çuar çështjet për gjykim. Nisur nga kjo, SPAK mori masën e pezullimit. Qeveria duhet ta linte të pezulluar dhe vendimin e pezullimit të bënte precedentë ankimesh dhe të ndryshonte kodin. Pse humbën të dy palët. E para ka humbur qeveria, sepse nga një masë e lehtë e ka vënë në pozitë që ta çojë në arrest.
Dhe sot po lëkundet gjithë pozicioni i qeverisë, edhe në raport me faktorin ndërkombëtar, që për një masë sigurimi po bëhet objekt debati. Pse humb dhe SPAK. Sepse rrezikon që nga një çështje e një individi, nëse Parlamenti ndryshon kodin, atëherë ja heq mundësinë sot dhe mot prokurorisë që të pezullojë anëtarët e Parlamentit”, tha mes të tjerash Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: PS do ndryshojë Kodin e Procedurës, për të kufizuar pezullimin nga gjykatat të ministrave! Prençi: Kuvendi t'i heqë imunitetin Ballukut












