Parashikimet për seancën e 12 marsit në Kuvend që është veçse disa orë larg, ku do të vendoset fati i ish-zv/kryeministres Balluku, vijojnë duke paraqitur një sërë problematikash si në aprovimin, ashtu edhe rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.

Avokati Spartak Ngjela mbajti në “Studio Live” në Report Tv të njëjtin qëndrim që ka shprehur deri më tani: Kuvendi nuk shkel ligjin sido që të votojë. Ai percepton se kërkesa e SPAK do të rrëzohet sepse Balluku ka të njëjtën forcë politike si Rama.

“Edhe nëse e mbrojnë, edhe nëse votojnë kundër, s’kanë shkelur ligj. Nëse ata e shpëtojnë se e kanë të drejtë ligjore, humbasin pikë në elektorat? Kjo nuk dihet. Kam përshtypjen që do ta rrëzojnë kërkesën e SPAK. Është paralel me Ramën ajo, ka të njëjtën forcë politike”, tha Ngjela.

Ndërsa anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kuçana, tha se Rama s’e lëshon dot Ballukun sepse ai përmendet në dosjen e saj.

Edi Rama nuk e lëshon dot Belinda Ballukun, jo nga dëshira, por në dosjen e Belinda Ballukut citohet edhe Edi Rama, me emër. SPAK-u në këtë moment duhet mbështetur, jo sulmuar. 118 prokurorë do të duhen për të vendosur një standard kontrolli”, tha Kuçana.

Sipas Kuçanës, drejtësia po pengohet duke mos dorëzuar imunitetin e Ballukut. Ajo tha se protesta e opozitës e planifikuar për të enjten do të jetë në mbështetje të drejtësisë.

“Pengimi për të shkuar te gjykata e paragjykon drejtësinë se gjykata mund të vendosë ndryshe. Pengimi është mosdhënia e imunitetit. Pse ka nevojë për imunitet kjo zonjë? Në një vend normal do të duhej që zv/kryeministrja të dorëhiqej dhe të përballet me drejtësinë. Nëse ajo është e sigurt që është e pafajshme, rikthehet më e fortë në PS. Edi Rama nuk e lëshon dot Ballukun, e shkarkoi a me marrëveshje, por ndërkohë ka vendosur 3 ministra. Protesta që bën nesër opozita është në mbështetje të drejtësisë dhe shqiptarët do ta nxjerrin Ballukun bashkë me Edi Ramën nga zyra”, tha pedagogia.

Në fund, ajo përmbylli se ky ishte kilometri i fundit për Ballukun dhe protestat e opozitës do të vijojnë.

"Belinda Balluku e mbylli kilometrin e fundit. Tashmë do të duhet të mbyllë Edi Rama kilometrin e fundit. Opozita është e vendosur, do të ketë protesta të vazhdueshme. Opozita duhet të bëjë më shumë, biem dakord, s’kemi thënë që s’ka vend për përmirësim, por ka vendosur të jetë në sheshe, bllokim në porte e aeroporte. Në Porto Romano do të dalin fakte tronditëse”, u shpreh Kuçana.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:24
‘Me mua ji serioze, s’je te Saliu këtu!’ Ngjela ‘ia mbledh’ Kuçanës: Do të iki, s’flitet kështu me mua

Analizat për opozitën dhe situatën e saj në “Studio Live” në Report Tv, ndezën një debat mes avokatit Spartak Ngjela dhe Ilirjana Kuçanës, anëtares së Këshillit Kombëtar të PD. Ndërsa avokati po përmendte sondazhet në disfavor të PD, reagimi i pedagoges e nervozoi duke thënë se do të largohej nga studioja.

Spartak Ngjela: I dini si janë sondazhet që kanë bërë para 10 ditësh?

Ilirjana Kuçana: Cilat sondazhe, të kujt?

Spartak Ngjela: Të perëndimorëve.

Ilirjana Kuçana: Tani, të lutem.

Spartak Ngjela: Të lutem, me mua ji serioz. Ku je, te Saliu je?

Ilirjana Kuçana: Te Saliu keni qenë edhe ju.

Spartak Ngjela: Kam ikur.

Ilirjana Kuçana: Për hir të së vërtetës, Saliu ju ka respektuar.

Spartak Ngjela: Do të largohem! Do të largohem se nuk flitet kështu në politikë me mua!

Ilirjana Kuçana: Ju keni qenë para meje te Saliu dhe unë di që keni qenë i privilejguar te Saliu.

Spartak Ngjela: E ke marrë vesh si e kanë goditur?

Ilirjana Kuçana: Nuk jemi për këtë sot.

Ora 18:18
Protesta e opozitës, Ngjela: Kryetari është non grata, PD s’vjen kurrë në pushtet! Numrat dhe idetë, tregues për të

Sa i përket protestës së opozitës të enjten, por edhe duke analizuar vetë PD, avokati Spartak Ngjela tha në “Studio Live” në Report Tv se kryetari i saj është problemi më i madh.

“Problemi më i madh është opozita se kryetari i opozitës është non grata në Amerikë e Angli. Të duket pak kjo?”, tha Ngjela. “PD ç’ bën? Nuk vjen kurrë në pushtet. Pse? Jua them unë. Nëse PD merr pushtetin del non grata në Amerikë dhe gjithë perëndimin”, shtoi ai.

Sipas Ngjelës, dobësia e PD ka lejuar pushtetin e vazhdueshëm të mazhorancës.

“Dobësia e PD ka lejuar që të jetë në pushtet një absolutizëm. E ka pushtetin ngado. Si kemi arritur në këtë absolutizëm socialist? Nuk ka opozitë”, tha ai.

Për protestën e opozitës, Ngjela tha se ka dy faktorë tregues: numrat dhe idetë.

“Demokracia ka një rregull. Një fjalë. Numri. Të shikojmë sa do të jetë numri i pjesëmarrësve. Nëse do të jetë sa ç’ishte, qeshin socialistët. Problemi është pse nuk ka vota PD dhe ku është shpresa e socialistëve? Non grata e Saliut. Mori fund ajo punë! S’kanë ide të re. Ke dëgjuar ndonjë ide të re nga këta? Ky me ide duhet të vijë në pushtet që të tregojë çfarë do të bëjë. Duhet të ketë platformën e tij politike dhe më bind mua që po erdhi në pushtet, është në interesin tim”, përfundoi avokati.