Një portret politik dhe sfidat e opozitës në kërkimin e kandidatit të saj për kryeqytetin. Ish-presidenti Bamir Topi analizon ngjarjet politike në prag të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Tiranë. Në analizën e tij, Topi thekson se gara për Tiranën nuk është vetëm një përballje elektorale, por edhe një betejë për të ringritur opozitën dhe për të testuar balancat e reja politike në vend.

Topi sugjeron kandidatin ideal për Tiranën, që jo domosdoshmërisht duhet të jetë një figurë e komunitetit “autokton”, por më shumë një qytetar profesionist, me një CV të pasur dhe të njohur për kontributin e tij në një fushë të caktuar. Sipas tij, nuk mund të futesh në garën për kryeqytetin pa qenë një person publik, i dëgjuar dhe i respektuar nga komuniteti. Një lidhje e fortë me Tiranën do të ishte një plus, por nuk është domosdoshmërisht kushti i vetëm që përcakton suksesin.

Në qendër të analizës së Topit është edhe marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ai e lexon “çështjen Veliaj” si një konflikt politik të brendshëm, që sipas tij ka prodhuar një frakturë të thellë në kampin qeveritar. Fakti që pjesë e bashkëpunëtorëve të Ramës janë sot pas hekurave shihet nga ish-presidenti si një element që forcon narrativën e dështimit moral dhe institucional të maxhorancës. Kjo situatë do të duhej të kishte hapur terren të ri për opozitën. Por çfarë e pengon opozitën ta shfrytëzojë këtë terren?!

Sipas Topit, opozita ndodhet ende në kërkim të një “çlirimi” politik nga marrëveshja e hershme Rama–Berisha, të cilët, sipas tij, kontrollojnë bashkërisht sistemin politik shqiptar. Edhe si ish-drejtues i PD-së vite më parë, Bamir Topi paralajmëron se Partia Demokratike ndodhet në një “pikiatë” të rrezikshme, duke humbur terren jo vetëm përballë maxhorancës, por edhe në raport me qytetarët.

Në analizën e tij, Topi flet për aktorët dhe faktorët që mund ta riparojnë opozitën. Për të, zgjidhja nuk qëndron te rikthimi i figurave të konsumuar, por te personalitete të reja, të pastërta, me kredenciale profesionale dhe me lidhje organike me qytetin.

Ish-presidenti e sheh garën për Tiranën si një test që shkon përtej një beteje elektorale — një sfidë për opozitën për të dëshmuar se mund të ringrihet mbi krizat e brendshme, të përzgjedhë një figurë reale për qytetin dhe të rikthejë shpresën e publikut se politika mund të ofrojë alternativa të vërteta./ TemA

A.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Analiza: 04/10/2025 23:35

    Mesa shikohet doktor Bamir Topi do te behet kryetar i ri i opozites se djathte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?