Bamir Topi: Si i kërcënoi Berisha deputetët e PD pro meje në 2007

Bamir Topi: Si i kërcënoi Berisha deputetët e PD pro meje në 2007

Bamir Topi

Në ditët e para të marsit të 2007, Bamir Topi merr një telefonatë nga Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, i cili i kërkon të zhvillonin një takim në mbrëmje. Gjatë takimit, Sali Berisha i thotë Bamir Topit se “Jam menduar gjatë këto kohë dhe besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Partia Demokratike do të propozojë ty si kandidaturën me të mirë dhe më të përshtatshme për kryetar shteti. Askush më shumë se ty nuk mund të marrë vota edhe nga e majta në Parlament”. Por, pasi kalojnë rreth 4 javë, sipas Bamir Topit, vjen akti i parë i tradhtisë së Sali Berishës. Prapaskenat e këtyre momenteve tensionuese i rrëfen ish-presidenti Bamir Topi e tij autobiografik me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti). Pasi e kishte propozuar si kandidat për President, Berisha nxjerrë Bujar Nishanin dhe Genc Rulin në një mbledhje të grupit parlamentar të PD, të cilët i kërkojnë Topit të tërhiqej, me pretendimin se mund të mos merrte votat e domosdoshme. Kjo çonte në rrëzimin e qeverisë dhe në zgjedhje të pakohshme. Një ditë pas debateve në grup, Bamir Topi mbledh në një drekë në Vorë rreth 20 deputetë të Partisë Demokratike duke i dhënë një mesazh të force Sali Berishës. Ky i fundit ishte në një pozicion të vështirë. “Të nesërmen vjen një ftesë nga miku im Bujar Leskaj për të drekuar së bashku me deputetë të tjerë në Vlorë, ftesë të cilën pranova me kënaqësi për t’u relaksuar sado pak nga Tensioni i Tiranës, për më tepër një qytet si Vlora, ku shkoj gjithmonë me kënaqësi të veçantë. Ata ditë (e shtunë), u mblodhën në Vlorë, në restorant ‘Platinium’ më shumë se 20 deputetë, ndonëse jo të ftuar nga unë, por që u kuptua qartë si një mesazh që duhet të shkonte për kryeministrin, që ai të kuptonte se grupi ishte i ndarë, ndryshe nga ajo që ai ishte mësuar të shikonte. Lajmi tashmë ishte shpërndarë, urdhrat nga Tirana ishin të prera për disa deputetë, të cilët filluan të lëkunden. Sapo u sistemuam në tavolinën e drekës, Bujar Leskaj u drejtohet deputetëve me shprehjen: Ta firmosim në të bardhë!, duke nënkuptuar listën e mbështetësve të kandidaturës sime për president. Tashmë ‘lojën’ po e luante në fushën e tij Bujari, një djalë intelektual dhe deputet i Vlorës, i cili ishte larguar nga Ministria e Kulturës pa ndonjë arsye për t’i hapur rrugë në atë institucion Ylli Pangos. Në këtë moment Edmond Spaho pyet i çuditur: Çfarë liste?”, shkruan Topi.

Presioni nga Tirana, lëkunden gjysma e deputetëve

Ish-presidenti Topi shkruan se pasi situata u qartësua, për shkak të presioneve nga Tirana, më shumë se gjysma e deputetëve nuk ishin më të vendosur. “Pasi gjithçka ishte qartësuar, biseda vazhdoi me një tension të brendshëm, ku realisht jo më shumë se 10 vetë ishin të vendosur, kurse të tjerët dukej që nuk e kishin kuptuar qëllimin e drekës. Pavarësisht nga situata e krijuar, ku dy-tre deputetë mbanin lidhje me kryeministrin nëpërmjet telefonit, tashmë ishte krijuar psikoza se unë kisha mbështetjen e nevojshme prej 20 vetash që duheshin ligjërisht për t’u futur në garë. Ndërkohë që drekës po i vinte fundi, gazetarët e medias në Vlorë kishin bllokuar rrugën pranë restorantit dhe prisnin prononcimin tonë. Në dalje Bujar Leskaj, lëshoi një batutë: Hapini rrugë presidentit! Më tej vazhdoi: -Ne nuk lejojmë që djali i Çajup Rusmalit të zgjedhë djalin e Thanas Nanos, duke nënkuptuar se Ilir Rusmali dhe Fatos Nano ishin respektivisht djemtë e dy njerëzve të besuar të sistemit komunist që kishin shërbyer si drejtorë të Radiotelevizionit Shqiptar apo në institucione të tjera të propagandës së regjimit. Në përfundim të drekës u shpreha nga timoni i makinës sime se kjo ishte vetëm një drekë mes miqsh. Ndërsa më vonë, pak çaste pas largimit tim, Bujar Leskaj kishte folur troç, duke dhënë sinjalin e fortë se ky grup, ose një pjesë e rëndësishme e tij, do të luftonin deri në fund që ajo që ishte deklaruar nga vetë Berisha të bëhej realitet për zyrtarizimin e emrit tim”, vijon Topi.

Berisha kërcënon deputetët pro Topit

Ish-presidenti Bamir Topi rrëfen detaje se si Sali Berisha kërcënoi drejtpërdrejt deputetët që mbështesnin Topin si kandidat për president dhe që kishin marrë pjesë në drekën e Vlorë. Mes të sulmuarve, sipas Topit, ishte edhe Bujar Leskaj, i cili e përballoi presionin. “Të nesërmen, ditë e diel, ishte afati i dorëzimit të kandidaturës dhe për këtë arsye ishte thirrur mbledhja e grupit në mesditë. Kishte ardhur çasti i akumulimit të plotë të tensionit dhe gjithçka po shkonte drejt ndarjes. Fjalën e merr menjëherë Berisha dhe sulmon drejtpërdrejt Bujar Leskajn, për të intimiduar gjithë grupin, duke i thënë: ‘Ti je futur në strehën e gjarpërinjve’, duke cituar më pas emra. Bujar Leskaj i qëndroi burrërisht shantazhit të kryeministrit duke parë situatën e rëndë në planin moral, por edhe duke sinjalizuar për ‘kujdes, se gjithçka mund të shkonte drejt shpërndarjes’. Më pas Berisha iu drejtua Sami Gjergjit duke e quajtur ‘Makbeth’, gjë që imponoi ndërhyrjen time të ashpër. Dukej sikur pritej vetëm akti final i shthurjes së grupit parlamentar, i cili ishte ndarë qartë në pro dhe kundër. Pas diskutimeve të shumta e mori fjalën prof. Rexhep Uka, i cili duke analizuar pikën ku kishim mbërritur, bëri që të kapitullojë pa kushte Sali Berisha, duke pranuar humbjen dhe duke pranuar si të vetmen zgjidhje vendosjen e kandidaturës sime për president. Këtë fjalë të prof. Ukës e kam quajtur ‘Colpo di Grazia’”, shkruan Topi.

Halli i Berishës

Sipas Bamir Topit halli i vetëm i Berishës ishte ruajtja e pushtetit të tij dhe të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme. “Halli i vetëm i Berishës ishte të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme, që do të shënonte fundin e pushtetit të tij në kushte kur kishte krijuar një ndarje të thellë brenda partisë dhe sidomos në grupin parlamentar. Me gjithë situatën e vështirë brenda grupit, të cilën e krijoi vetë, Berisha kishte arritur në një moment të krizës së marrëdhënieve me mua personalisht, por edhe me një grup njerëzish kolegë e miq të mi, të cilët nuk e gëlltisnin më sjelljen e padrejtë të kryeministrit. Ai e dinte mirë se edhe në kushtet kur ishte i detyruar të mbështeste emrin tim për president, marrëdhëniet do të ishin institucionale dhe jo më të ngrohta. Për këtë Berisha tentoi edhe një herë të mbledhë grupin parlamentar në një orë të vonë të mbrëmjes disa ditë para fillimit të procedurave zyrtare, në sallën e mbledhjeve të zyrave të Kuvendit. Takimi po zhvillohej në kushtet e një tensioni në rritje dhe ishte përgatitur mirë nga kryeministri, i cili kësaj radhe vendosi të mos fjalë vetë, por të hedhë në sulm dy njerëz me tipologji të ndryshme, por të gatshëm për t’u përdorur. I pari e mori fjalën Genc Ruli, një mik i vjetër nga koha e gjimnazit, politikan, intelektual dhe qytetar, nga i cili nuk e prisja që të ngrihej dhe të më bënte thirrje për tërheqje në emër të interesave politike të qeverisë. I dyti ngrihet ministri i Brendshëm i Berishës, Bujar Nishani, sikurse e kemi thënë, njeri i futur në politikë nga unë, ish-oficer, intelektual mediokër dhe servil i Sali Berishës. Edhe ky filloi të moralizonte për tërheqja, duke më kthyer në atmosferën e mbledhjeve të viteve ’70, kur klasa punëtore demonizonte intelektualët dhe i dënonte për shfaqje të huaja. Një inskenim i shëmtuar, a thua se këta kishin ardhur të vetëm në pushtet dhe duhej ta administronin atë si të donin”.

Berisha

“Fjalën e merr menjëherë Berisha dhe sulmon drejtpërdrejt Bujar Leskajn, për të intimiduar gjithë grupin, duke i thënë: ‘Ti je futur në strehën e gjarpërinjve’, duke cituar më pas emra.”.

Kapitullimi

“Pas diskutimeve të shumta e mori fjalën prof. Rexhep Uka, i cili duke analizuar pikën ku kishim mbërritur, bëri që të kapitullojë pa kushte Sali Berisha, duke pranuar humbjen dhe duke pranuar si të vetmen zgjidhje vendosjen e kandidaturës sime për president”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besi: 19/05/2019 10:08

    I them bamir topi se te libri i tij Noctorun te fus dhe historin e 2 vajzave tij

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion