Tashmë grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka mundur të sigurojë 7 gjurmë papilare, që përputhen plotësisht me ato që janë fiksuar në ashensorin e pallatit të ish-drejtorit të ALUIZNI-t njëherësh kandidatit për deputet i PD në Vlorë, Ardian Kollozi.
Këto prova vërtetojnë thëniet e bashkëpuntorit të drejtësisë Julian Sinanaj, ndërkohë mendohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda, duket se ka siguruar pamje filmike dhe të takimit mes Sinanajt dhe Ilir Karçinit. Ky takim sipas dëshmisë së Sinanaj është bërë në një lokal pranë liqenit artificial në Tiranë, dhe se pikërisht në këtë lokal, strukturat e hetimit kanë siguruar pamje filmike.
Të pyetur nga gazeta “Shqiptarja.com” lidhur me ekzistencën ose jo të këtyre pamjeve filmike, burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk konfirmojnë zyrtarisht sigurimin e pamjeve, por shtojnë se në këtë drejtim janë kryer shumë verifikime në lokalin dhe zonën ku është kryer takimi disa herë mes vrasësit serial Julian Sinanaj dhe biznesmenit të gazit Ilir Karçini.
Gjurmët në ashensor
Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që caktonte masën e sigurimit “Arrest me burg” për Andon Mëhillajn, hetuesit e çështjes për ngjarjen e datës 1 qershor 2013, ku në shtëpinë e Ardian Kollozit u vendos 600 gramë tritol, janë fiksuar 7 gjurmë papilarë në ashensorin e pallatit. Në vendim tregohet se:”… në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës material disa copa fitil zjarr përcjellës me gjatësi të ndryshme, ku të bashkuara të gjitha bashkë arrinin gjatësinë prej 118 cm.
Në hyrje të ashensorëve të kateve të dhjetë, të katërt dhe të parë, u gjetën shtatë gjurmë papilare, që u morën me pjesë filmi gjurmëkopjues, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike”-thuhet në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Aktualisht këto gjurmë janë krahasur me ato të Julian Sinanaj dhe përgjigjia nga laboratori i policisë Shkencore, ka konstatuar se disa prej gjurmëve të fiksuara në ashensor, janë të Julian Sinanajt.
Filmimet në lokal
Të paktën katër takime janë kryer mes Ilir Karçinit dhe Julian Sinanaj. Për të provuar vërtetësinë e këtyre takimeve dhe hedhur poshtë alibinë e biznesmenit Karçini se nuk ka njohje me Sinanaj dhe se nuk ka kryer asnjë bisedë me të, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përqëndruar hetimin në sigurimin e pamjeve filmike të kamerave të lokalit, ku Sinanaj ka treguar se kishte takuar Karçinit.
Veç verifikimit të pamjeve filmike në ambjentet e lokalit, mësohet se është kërkuar filmimi i disa kamerave të bizneseve të zonës, për të parë nëse Karçini dhe Sinanaj kanë qënë nën shoqërinë e njëri-tjetrit ose jo.
Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)