Ditët e fundit vendi ynë është përfshirë nga moti i acartë. Termometri ka zbritur nën zero gradë celsius. Kjo e ka bërë akoma më të vështirë jetesën për qindra banorë të cilët qëndrojnë në çadër prej më shumë se një muaj pasi tërmeti i prishi shtëpitë.
Shumë familje që jetojnë në çadër kanë fëmijë, të moshuar dhe anëtarë të sëmurë. Por moti i ftohtë e ka bërë të pamundur jetesën nën tendën e një çadre. Kështu ata janë detyruar që disa të strehohen te të afërmit në Shqipëri dhe disa të tjerë të largohen jashtë vendit ku kanë edhe persona të tjerë të familjes.
Familja Doda nga fshati Bilaj i Fushë-Krujës banesa të cilëve është shkatërruar nga tërmeti është detyruar që dy prindërit e moshuar ti dërgojnë në shtetin fqinj në Itali të familjarët e tjerë. Prej një muaji të moshuarit kanë qëndruar në çadër por për shkak të motit të ftohtë i biri është detyruar t’i dërgojë jashtë vendit.
David Doda, djali i të moshuarve thotë se prindërit janë të dy të sëmurë, nëna në karrige me rrota dhe babai vuan nga skleroza. Ai shprehet se dhe për shkak të moshës ka frikë ti mbajë të moshuarit në çadër pasi nuk e di nëse do zgjohen në mëngjes.
“Prindërit aktualisht janë në Itali nga kjo që ndodhi, nuk kanë mundësi të rrinë në çadër, plus që është çadër verore. A rrihet në çadër në dimër. Është detyruar vëllai të vijë nga Italia dhe t’i marrë. Për momentin ndodhen në Itali prindërit, pasi janë edhe shumë të sëmurë. Nuk bëhet fjalë nëse i lë në çadër në këtë të ftohtë në mëngjes nuk i gjen gjallë, janë nga 80 vjeç. Plus edhe janë të sëmurë, babai vuan nga skleroza dhe është i pavetëdijshëm kurse nëna vuan nga gjunjët, është në karrocë me rrota”, tha David Doda
David Doda bën apel që fillimisht të gjendet një zgjidhje për familjet që kanë anëtarë të sëmurë ose të moshuar dhe më pas të shikohen familjet e tjera. Pasi këto kategori personash e kanë edhe më të vështirë qëndrimin në çadër.
“I lutem shtetit, brenda mundësive sepse edhe shteti ka vështirësitë e veta ketë e kuptojmë. Por të paktën këta që janë pensionistë, janë invalidë ose të sëmurë dhe shtëpinë e kanë të dëmtuar të fillojnë me këta njëherë, është tjetër gjë sepse një me moshë më të re edhe e përballon çadrën. Mua më duhet që ta ruaj se ikën dhe më gjen ndonjë fatkeqësi”, tha i biri i të moshuarve.
Në prag të ndërrimit të viteve shumë familje vijojnë ende të jetojnë në çadra. Për shkak të kushteve jo të mira është e vështirë për të pasur festë në këto familje, por moti i ftohtë duket sikur e ka shtuar edhe më shumë nivelin e vështirësisë.