Mes pasigurive dhe inflacionit që ka përshpejtuar rritjen gjatë sezonit verorë, Banka e Shqipërisë vendos të mos ndryshojë politikën monetare.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e 7 tetorit la të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, me argumentin se i përgjigjet situatës aktuale. Në konferencë për mediat Guvernatori Gent Sejko thotë se rritja e çmimeve në tremujorin e fundit ka ardhur më së shumti si rezultat i produkteve të importuara.
“Ai pasqyron efektet direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës, produkteve energjetike, ushqimeve dhe të lëndëve të tjera bazë në tregjet botërore. Këto çmime shënuan rritje të shpejtë në këtë periudhë, si pasojë e intensifikimit të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Inflacioni bazë dhe ai brendshëm erdhën në rënie, ecuri kjo e diktuar kryesisht nga rënia e inflacionit të qirave, në pasqyrim të një balancimi më të mirë të kërkesës dhe ofertës në segmentin e qirave afatgjata”, tha Sejko.
Madje sipas tij rritja e shpejtë e çmimeve në vendet me të cilat kemi shkëmbimet më të mëdha tregtare, nuk u amortizua plotësisht as nga kursi i këmbimit.
“Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e presioneve të huaja. Në veçanti, rritja e shpejtë e çmimeve të produkteve bazë në tregje dhe rritja e inflacionit në partnerët tanë tregtarë nuk arritën të kompensoheshin plotësisht nga efekti frenues i forcimit të kursit të këmbimit, duke rezultuar në rritje të inflacionit të importuar”, tha Sejko.
Inflacioni thotë guvernatori ka gjasa të rritet edhe më shumë në gjashtëmujorin e ardhshëm, ndërsa pritshmëritë janë që të kthehet në objektivin prej 3% në mesin e 2027-ës, ndërkohë aktualisht është 3.3%.
Për këto arsye Sejko u shpreh se pritet që në vijim të ketë shtrëngim të politikës monetare.
“Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet tona, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen, duke i kushtëzuar lëvizjet e ardhshme të politikës monetare nga informacioni i ri mbi inflacionin, nga balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste, si dhe duke konsideruar kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, tha Sejko.
Një shtrëngim i politikës monetare nënkupton rritje të normës bazë të interesit, që automatikisht e bën huamarrjen më të shtrenjtë dhe synon të frenojë kërkesën dhe inflacionin.
Sa i takon ekonomisë, guvernatori theksoi se rritja vijon pavarësisht se me ritme më të moderuara sesa fillimi i këtij viti, apo se viti 2025.








Komente
Komento