Qeveria ka miratuar listën e re të projekteve prioritare për periudhën 2027-2029, tashmë e botuar në Fletoren Zyrtare. Janë 118 projekte strategjike gjithsej, me një faturë financiare 14.8 miliardë euro, një pjesë e konsiderueshme, 56 projekte, janë në fazë të maturuar, që do të thotë se ose janë duke u kryer ose në proces. Vlera e tyre shkon në 5.64 miliardë euro.
Më tej 5.97 miliardë euro të tjera klasifikohen si investime ‘pjesërisht të maturuara’, të cilat janë vetëm projekte por që nuk janë në zbatim.
Ndërkohë, 31 projekte me një vlerë prej rreth 3.27 miliardë eurosh rezultojnë ende ‘të pamaturuara’, thjesht ide por pa zhvillim të mëtejshëm, mes të cilave vënia në punë e TEC-it të Vlorës apo linja e re e interkoneksionit nënujor Vlorë- Brindisi.
Për herë të parë futet në listë edhe “EXPO Albania”, me statusin “maturuar”, e që do të kushtojë 50.3 milionë euro. Expo Albania do të jetë një qendër për organizimin e panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme. Projekt-ideja për këtë investim është bërë nga arkitekti i famshëm amerikan, Steven Holl që në 2024-ën dhe do të ndërtohet në ish-zonën ushtarake të Farkës në Tiranë, në një sipërfaqe 6 hektar, brenda së cilës do të ketë edhe hotele me 3 apo 4 yje.
Në listën e re qeveria ka shtuar dy investime për menaxhimin e mbetjeve, që do të kenë financim nga buxheti i shtetit. Rreth 25 milionë euro është kostoja për ngritjen e infrastrukturës së menaxhimit të integruar të mbetjeve zona jugore Vlorë-Gjirokastër, dhe 18 milionë euro po për të njëjtin projekt që do të ndërtohet edhe në Kukës.
Në listën e projekteve të avancuar është përfshirë edhe “investim për infrastrukturën e broadband ne zonat e bardha në 8 qarqe”, me vlerë 109,2 milionë euro, i cili synon të zgjerojë aksesin në internetin e shpejtë në zonat rurale dhe të largëta, ku aktualisht mungon infrastruktura broadband.
Nga vendimi i ri i qeverisë bie në sy fakti që ende nuk është siguruar financim për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë me vlerë 750 milionë euro, për ndërtimin e Skavicës apo të Aeroportit të Jugut.










Komente
Komento