Fushë-Krujë - Banorët e Luzit kanë dalë për të disatën herë në protestë, duke kërkuar zgjidhje për gjendjen e rënduar të rrugës që lidh zonën e tyre me akset kryesore.

Mëngjesin e sotëm ata bllokuan qarkullimin për rreth një orë, duke ndalur dhjetëra trailerë dhe mjete të rënda.

Rruga është e amortizuar dhe përbën rrezik serioz për jetën e tyre. Në protestë ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, i cili mbështeti kërkesat e banorëve.

Ata firmosën një peticion drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku kërkojnë informacion zyrtar se kujt i përket rruga, kur do të nisë rikonstruksioni dhe cilat janë afatet konkrete të ndërhyrjes.

“Sot banorët kanë nëshkruar një peticion i punuar nga avokatë dhe inxhinerë rrugësh. Peticioni do të dërgohet në ARRSH për një përgjigje zyrtare për këtë rrugë”, tha ndër të tjera Kalaja.

Banorët shprehen se do të vazhdojnë protestën derisa të zgjidhet ky problem.

“Për këtë rrugë kemi bërë disa herë ankesë për ta shtruar, por na kanë lënë pas dore. Ne duam që të rregullohet rruga si ka qenë më përpara ose do të bllokojmë kamionët. Nuk ka asnjë lloj reagimi as nga Bashkia as nga ata në Tiranë”, tha një banor i fshatit Luz.

“Është e gjashta herë që ne dalim, protesta do të vazhdojë derisa të marrim një përgjigje” u  shpreh një banor tjetër.