Protesta e banorëve të Rrjollit vazhdon me të njëjtën intensitet kundër planeve të Bashkim Ulajt për ndërtimin e një resorti në këtë zonë.

Por ajo që i bën përshtypje avokatit Fran Dashi është fakti se Sali Berisha nuk ka dalë kurrë në mbrojtje të tyre, pavarësisht se kjo zonë ka votuar gjithmonë për të djathtën. Gjatë një interviste me emisionin Studio Live në Report TV ai tha se demokratëve të Shkodrës u duhet tu vijë turp që i kanë braktisur banorët e Rrjollit.

“Kam ngelur i shokuar sot. Deputetët e PD-së në Shkodër duhet ta kenë për turp që nuk mbështesin banorët e Rrjollit. Ata kanë votuar për PD-në e Sali Berishës ndërsa Sali Berisha asnjë ditë nuk është shprehur në mbrojtje të tyre. Diçka fshihet këtu. Por unë besoj që në ditët në vijim, këtu do të dalin të palarat për tokat e Rrjollit. Asnjë biznesmen, asnjë oligark, nuk ka shans të marrë tokën. Ata janë betuar se do ta çojnë protestën deri në fund. I bëj thirrje çdo shqiptari të ndershëm dhe cdo politikani të bashkohet me popullin e Rrjollit që është në të drejtën e tyre. Toka është e banorëve të Rrjollit dhe do e gëzojnë. Aty diçka fshihet. Aty fshihen polikanët e dy krahëve, deputetët e Shkodrës, as nga PS e as nga PD nuk shkojnë atje. Nuk shkojnë se kanë frikë, se kanë urdhër, apo interesa, kjo mbetet për tu parë ” tha Dashi.

Gjatë intervistës, Dashi ofroi mbështetje të plotë për banorët e Rrjollit dhe përpjekjeve për të mbrojtur tokën e tyre.

 “Ajo tokë është e banorëve të Rrjollit dhe nuk mund ta përvetësojë askush, asnjë oligark që ka para. Çdo shqiptar i ndershëm duhet të mbështesë fuqishëm popullin e Rrjollit që ata të gëzojnë tokën e vet dhe pasurinë e vet. Nuk mundet që një i huajë ti marrë tokën tjetrit.  Banorët e Rrjollit janë prej 200 vitesh aty. Janë me dokumenta të viteve 1924, 1935 dhe me certifikatë pronësie të Komisionit të Ndarjes së Tokës së viti 1991. Ata janë fshatarë, jetojnë me atë tokë. Nuk mund të ngrihet dikush nga Tirana që të bëjë një resort sipas tekave të tij dhe tu marrë tokën padrejtësisht fshatarit” tha ai.


Lajmi kryesor:

'Balluku të japë llogari para drejtësisë dhe shqiptarëve!' Avokatët në Report TV: Nuk ka ligj apo mandat që e mbron!