Prej më shumë se gjashtë javësh banorët e zonës së Rrjollit në Shkodër vijojnë protestat kundër punimeve për ndërtimin e resorti luksozit nga botuesi Bashkim Ulaj.

Këtë të shtunë, përveç banorëve te Rrjollit pjesë e protestës u bënë edhe qytetarë dhe aktivistë të ardhur nga zona të tjera të vendit.

Protestuesit marshuan drejt kantierit në bregdetin e Velipojës ku po kryhen punimet për projektin turistik. Forcat e policisë formuan menjëherë perimetrin e sigurisë për të mos lejuar dëmtimin e punëtorëve dhe makinerive.

Situata u tensionua dhe pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ndërsa disa banorë u shoqëruan në komisariat.

Ata pretendojnë se gjatë ndërhyrjes së policisë janë ushtruar akte dhune.

Banorët theksojnë se kundërshtimi i tyre nuk lidhet vetëm me ndërtimin e resortit, por edhe me mënyrën se si është trajtuar çështja e pronësisë së tokës.

Sipas tyre, sipërfaqja ku po ndërtohet resorti ne siperfaqe rreth 146 hektarë tokë, u përket familjeve të zonës dhe është përvetësuar në mënyrë të paligjshme përmes dokumenteve të falsifikuara. Ata pretendojnë se toka është kaluar në pronësi të ish-zyrtarit të Kadastrës, Fatmir Shpellza, i cili më pas ia ka shitur biznesmenit Bashkim Ulaj.

Banorët ngritën gjithashtu dyshime se statusi “zonë e mbrojtur” është hequr qëllimisht për ti hapur rrugë ndërtimeve.ndaj kërkojnë me ngul që ccështja të hetohet nga SPAK pasi dyshojnë për përfshirje të zyrtarëve të lartë. Gjithashtu kërkojnë pezullimin e punimeve deri në sqarimin çështjes së pronësisë nga drejtësia.