KUKES-Rikonstruksioni i rrugës Mamëz–Surroj, një ndër investimet më të kërkuara nga banorët e zonës, vijon të mbetet pezull prej vitesh . Edhe pse është premtuar gjate fushatave elektorale, fondet nuk jane miratuar, duke shkaktuar debat mes këshilltarëve bashkiakë dhe banoreve te Surrojit të cilët kërkuan shpjegime mbi ndryshimin e destinacionit te fondeve.

Për shkak të vlerës së madhe të investimit, Bashkia i është drejtuar me një kërkesë për financim Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Sipas Kryetarit të Këshillit Bashkiak, Albert Muja, Këshilli Bashkiak ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme që nga momenti kur rruga Mamëz–Surroj është përfshirë si prioritet kryesor në planin e investimeve. Banorët kërkojnë që të merren masa urgjente, pasi mungesa e ndërhyrjes ka vështirësuar qarkullimin dhe jetesën e përditshme të tyre.

Sakaq, burime nga Bashkia e Kukesit thane për Report TV se nuk ka pasur asnjë devijim të fondit për ndërtimin e rrugës Mamëz–Surroj. Rruga është premtuar për ndërtim gjatë fushatës elektorale nga ministrja Belinda Balluku, në mbështetje të kandidatit të atëhershëm për mandatin e dytë si kryetar bashkie, Safet Gjici.

Ndërkohë, Bashkia Kukës e ka përfshirë sërish projektin në listën e investimeve prioritare për vitin 2025. Vlera e projektit kap shifrën e 521 milionë lekëve. Më 6 mars 2025, Bashkia Kukës i është drejtuar me kërkesë Fondit Shqiptar të Zhvillimit  për financim të projektit, pasi e ka të pamundur ta mbulojë me të ardhurat e veta. Sipas burimeve, vlera e projektit është rreth pesë herë më e lartë se të ardhurat vjetore të bashkisë së Kukësit.

Sa i përket pretendimeve të banorëve për devijim të fondeve nga Këshilli Bashkiak, burime zyrtare bëjnë të ditur se ka pasur ndryshime në buxhetin lokal, por jo në fondin e parashikuar për rrugën Mamëz–Surroj.