Banori nga fshati Baks-Rrjoll në Velipojë, i cili është ndër protestuesit kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt, thotë se ndër vite, gjyqtarët nuk ua kanë pranuar letrat duke shfaqur edhe përbuzje. Prek Molla sjell në “Studio Live” në Report TV një vërtetim pronësie që daton më 31 maj 1995, ku shkruhen emrat e paraardhësve të tij
“Një copë tokë ograj e pyll të Rrjollit”, thotë dokumenti, ndërsa Molla shton: “Është i Rrjollit pylli dhe unë jam Rrjolli.”
Për dokumentet e pronësisë që banorët thonë se Fatmir Shpellzaj i ka falsifikuar duke bashkëpunuar me ndërtuesin dhe botuesin Ulaj, Molla thotë:
“Fatmir Shpellzaj i ka marrë në 1997. Kur shkova unë në ’97 për ta marrë përsëri, për mua s’kishte se ishin djegur, kurse për Fatmir Shpellzën u gjet”, ndërsa nxjerr një dokument tjetër të vitit 1996.
Në të thuhet se bëhet fjalë për një sipërfaqe 240 dynymë.
“Ky vërtetimi hipotekor, në atë kohë, ka qenë origjinal si certifikata që është sot. Kur kam shkuar atje, nuk ka njohur kush certifikatë, por kanë njohur vërtetim pronësie. Kur kam shkuar atje, shteti shqiptar thotë jo, duhet shkuar njëherë në agjencinë e trajtimit të pronave tiranë për ta rifreskuar, për ta kthyer në certifikatë, por për ta kthyer në certifikatë, duhet të shkosh nëpër gjyqe. Pse duhet të shkoj nëpër gjyqe kur e kam të përcaktuar me kufi?”, thotë Molla.
Ai tregon në studio edhe një dokument 100-vjeçar që mbështet gjithashtu pronësisë e objekteve të lartpërmendura.
Avokati Ndue Pjetri thotë se është e nevojshme që SPAK të kryejë një akt ekspertimi që të shihet mbi ç’bazë është bërë pronar botuesi pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj. Ndërsa banori pati edhe një thirrje të fundit për Ulajn”
“Nëse je burrë, vjen e më kundërshton këtë që po them unë! Kaq di t’i them! Nëse është burrë, unë jam burrë t’i dal përpara! Nëse je burrë, eja këtu!”, tha ai.
Në përmbyllje, tha se banorët e Baks-Rrjollit janë të gatshëm ta çojnë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Ne do të shkojmë deri në Strasburg për këtë çështje! Ta harrojnë se na trembin!”, përfundoi banori.
Lajmi kryesor:
‘Grabitës me resort’, avokati Pjetri për Report TV: Bashkim Ulaj falsifikoi dokumentet që banorët e Velipojës s’i bënë dot për vite, nuk ka qenë i vetëm











