Gazment Bardhi ka reaguar sërish pas përgjigjes së Ramës kundrejt ambasadave për rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut. Përfaqësitë ndërkombëtare u shprehën se hetimi pa pengesa i korrupsionit është kyç për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Kreu i grupit parlamentar të PD, i cili nuk ishte i pranishëm në Kuvend pas përjashtimit të tij me 10 ditë, shkruan se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për Ramën. Ai shkruan në postim se vetëm kryeministri e shpall më të rrezikshme se vetë korrupsioni luftën ndaj tij, ndërsa thekson se Rama është kërcënim për drejtësinë e integrimin.

“Në Gjermani, Hollandë e kudo në Europë, ka një rregull të padiskutueshëm si për qytetarin, ashtu edhe për kancelarin/kryeministrin: Ligji është i barabartë për të gjithë. Edhe në Britani funksionon e njëjta logjikë e sundimit të ligjit. Vetëm për Edi Ramën është ndryshe. Ligji shpallet fajtor, korrupsioni mbrohet me votë dhe vendet anëtare të BE shpallen zëdhënëse të PD. Vetëm Edi Rama e shpall luftën kundër korrupsionit më të rrezikshme se vetë korrupsioni. Edi Rama sot është kërcënimi më i madh për drejtësinë dhe për integrimin. Sepse problemi i Edi Ramës nuk është se ka plan A, B apo C. Problemi është se asnjëri nga këto plane nuk është për Shqipërinë dhe të mirën e shqiptarëve”, shkruan Bardhi.


Lajmi kryesor:

Çështja ‘Balluku’, opozita reagon në bllok: Partia Socialiste kundër drejtësisë