Baritoni Myshketa këndon Ali
Pashën e kompozitorit gjerman

Baritoni Myshketa këndon Ali <br />Pashën e kompozitorit gjerman
TIRANE - Viti që kaloi ka qenë një vit suksesesh profesionale për baritonin Gëzim Myshketa. Sukseset e kanë ndjekur artistin duke filluar nga opera e Romës me veprën e Donixetit, në operën e Zyrihut, në festivalin prestigjioz të Salsburgut me operën Kleopatra, në Francë, etj. Baritoni Myshketa, emri i të cilit është bërë i njohur në skenat ndërkombëtare rrëfen për “Shqiptarja.com” se pas një viti impenjimesh ai ka marrë maksimumin e vlerësimeve profesionale, dhe kjo duke pasur parasysh edhe vlerësimet e kritikës në gazetat më prestigjioze, siç është francezja “Le Monde”.

Myshketa kthehet këtë herë në atdhe për të sjellë në skenë operën “Ali Pascha Von Janina”. Opera me 1 akt do të vijë si premierë botërore në 23 Mars në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Baritoni Gëzim Myshketa do të realizojë në skenën shqiptare të operës figurën e Ali Pashë Tepelenës. “Ali pasha është vizatuar si figurë autoritare”, thotë Myshketa. Vepra është bërë nga kompozitori gjerman Albert Lortzing, në vitin 1824 dhe i kushtohet shqiptarit Ali Pashë Tepelena.

“Ndaj kjo është arsyeja pse Teatri i Operës dhe Baletit ka zgjedhur të ketë në rolin e protagonistit kryesor një prej baritonëve shqiptarë më në zë të momentit në skenat ndërkombëtare”, thotë drejtori Zhani Ciko. Por për Myshketën, Ali Pasha është servirur nga kompozitori gjerman si një personazh romantik. Përtej kësaj, ndryshe nga ç’mund të jetë mësuar veshi i një adhuruesi të muzikës lirike, vepra vjen e kënduar e gjitha në gjermanisht. Ndërsa kostumet janë ideuar nga stilistja Enada At’Nikolla.

I pyetur se cili është motivi i suksesit jashtë Shqipërisë, Myshketa thotë se “Le të mos shtiremi, dhe të themi se e bëjmë karrierën për vendin tonë. Egoja profesionale dhe pasioni i çdonjërit prej nesh na ka bërë të ecim përpara. Pas suksesit vjen natyrshëm edhe nderimi që i bëjmë Shqipërisë. I rritur në një familje qytetare durrsake me traditë muzikore, Myshketa thotë se “muzikën e ka në gjak”. Por sipas tij “puna dhe egoja profesionale” i hapin rrugë suksesit në skenat e botës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë