TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike ka paraqitur 10 detyrat e qeverisë tranzitore, në një mbledhje ku të krah tij ishin edhe krerët e partive aleate. Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se për të shkuar drejt qeverisë tranzitore, nuk është e nevojshme ndryshimi në ligj, por mjafton vullneti i partive politike. Ndonëse ka specifikuar 10 pikat, në një prezantim prej më shumë se 2 orë, Basha nuk ka thënë asnjë fjalë se si do të zgjidhen ministrat që do të kryejnë këto detyra, nëse do të jenë emra politik apo teknik.

Duke u ndalur tek kohëzgjatja e saj, Basha tha se nuk është përcaktuar qartë, po bëhet fjalë për një periudhë 4-6 mujore. Kohëzgjatja, sipas tij, do të bazohet tek zbatimi i detyrave të qeverisë tranzitore."Nuk do t'i takojë politikanëve, do marrë miratimin e politikanëve, jo më pa se 4 muaj, jo më shumë se 6 muaj. Një hamendësim i imi nisur nga zbatimi i detyrave", tha Basha.

Interesit të gazetarëve, për të mësuar emra konkrete, Basha u mjaftua me një përgjigje përgjithësuese, duke thënë se këta persona nuk duhet të jenë në konflikt interesi, për të devijuar dhe mos shkelur kushtetutën dhe ligjin në përfitim të partive politike.

Ndërkohë, lideri demokrat theksoi se nuk do të ketë një koalicion të madh mes opozitës dhe PS, edhe pse nuk e specifikoi nëse do të marrë 6 apo më shumë poste teknike, siç ndodhi me marrëveshjen e 2017."Persona të mos jenë në konflikt interesi, për të devijuar dhe shkelur kushtetutën dhe ligjin në përfitim të partive politike. "Nuk do të jetë një koalicion i madh mes opozitës dhe PS. Qeveri tranzitore, provizore, me persona jashtë konfliktit të interesit", u shpreh Basha. 

Platforma është e ndarë në 10 pika kryesore, në të cilën përfshihet roli i policisë në zgjedhje, ngritja e një strukture të posaçme që do të ndjekë e rastet e presionit mbi zgjedhësit, sidomos atyre në administratë, votimi fiktiv i administratës etj. Në këtë takim janë krerët e partive aleate të PD. Në sy bie mungesa e Vangjel Dules, e ndërsa ndryshe nga takimet e tjera, i pranishëm është edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
Basha bën deklaratën e papritur: Marrim modelin turk të Erdogan për qeverinë tranzitore

1556789841_basha10.jpg

Në përgjigje të pyetjes nëse qeveria tranzitore është një zgjidhje e momentit apo do të aplikohet sa herë ka zgjedhje 6 muaj para përfundimit të mandatit qeverisës të një force politike për vite me radhë, Basha mori si shembull Turqinë.

"Vende si Turqia dhe Greqia aplikojnë 4-6 muaj para zgjedhjeve ndryshimin e disa ministrive kryesore që kanë impakt të drejtpërdrejtë në organizimin e zgjedhjeve në vend. Mendojmë t’i referohemi kësaj praktike dhe këtij modeli, për të stabilizuar më në fund drejtësinë e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Basha.

Ora 13:50
Basha fjalim më shumë se 2 orë/ S'e dëgjojnë as 'të tijët', po Grida Duma ku është? (VIDEO)

Në  zhvillimet politike, prezantimi i platformës për zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe detyrat e qeverisë tranzitore, ka qenë një nga temat më kryesore. Ky prezantim ka zgjatur për më shumë se dy orë, e ndërsa nuk kanë munguar momente "pikante". Dashamir Shehi duket se ka humbur durimin nga fjalimi i stërzgjatur i Bashës, i cili mes të tjerave nuk dha diçka konkrete. Nga ana tjetër, për Klevis Balliun, më e rëndësishme se ajo që po flet kryetari i tij, janë mesazhet në celular. Njëjtë edhe për Bylykbashin. Nuk ka kaluar pa u vënë re mungesa e ish- deputetes Grida Duma. Mesa duket, ajo ka pasur një arsye "madhore", për të munguar në këtë prezantim.

Ora 13:14
Basha: 10 detyrat e qeverisë tranzitore

Kryetari i Partisë Demokratike ka paraqitur 10 detyrat e qeverisë tranzitore.

1.Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
2. Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
3. Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe  zgjedhësit.
4. Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
5. Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
6. Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të letërnjoftimeve.
7. Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
 8. Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
 9. Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
10. Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.

( Kliko këtu ) platforma e plotë e PD për zgjedhje të lira e të ndershme

Ora 13:13
Basha: Si do të jetë qeveria tranzitore dhe ç’profil do kenë ministrat e rinj

1556792219_lulzimbasha.jpg

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, nuk ka dhënë shumë detaje për emrat dhe profilin që do të kenë ministrat teknik, por ka theksuar prerë atë që kjo qeveri nuk do të jetë.

"Më lejoni të jem i qartë se çfarë nuk do të jetë, koalicion i madh mes opozitës dhe PS, do të jetë një qeveri provizore tranzitore me personalitete jashtë konfliktit të interesit që kërkon vullnet dhe mbështetje politike. Detyrat duhet të shkojnë përtej kësaj, ne sot jemi për detyrat në raport me procesin zgjedhor të lirë. Është e vërtetë, disa nga këto cështje janë të mbartura, ajo që bën diferencën është sa ka ndikuar problemi në rezultatin zgjedhor", tha Basha.