Sulmet ndaj dyshes Rama -Meta ishin kryefjalë lideri të Partisë Demokratike gjatë fjalës së tij në mitingun e Partisë Demokratike në Gjirokastër.

“Në sytë tuaj shoh gëzimin dhe entuziazmin e fitores. Në zërin tuaj dëgjoj vendosmërinë për ti dhënë banorëve të Gjirokastrës atë që meriton. Për të marrë në duart tuaja fatin tuaj, për ti dhënë një mësim oligarkisë. Ju jeni mbretërit e botës, ju vendosni. Ju vendosni dhe do të vendosni të lirë nga presioni, të lirë nga shantazhi, të lirë nga gjobat. Gjirokastritë të bashkuar si asnjëherë. Kohë të vështira kanë pllakosur në Gjirokastër dhe të gjithë Shqipërinë sepse Rama dhe Meta nuk kanë bërë asnjë në këto 2 vite për t’ju ndihmuar. Anembanë Shqipërisë, kam parë mjerimin, papunësinë. Realiteti i njëjtë, i dhimbshëm. Prioriteti i tyre janë sulmet ndaj opozitës, janë kërcënimet ndaj qytetarëve. Janë fjalët boshe, pa ofertë. Këto janë fatkeqësisht realitetet e hidhura që ofron dyshja Rama­Meta. Prioritet kanë korrupsionin, pasurimin në kurrizin tuaj”, tha Basha. 
 
Kryedemokrati Basha pohoi se qeveria nga ngritur taksat në kohë krizë duke zhytur shqiptarët në varfëri.
 
Basha kërkoi votën për Igli Kokalarin me premtimin për taksa të më të ulëta punësim dhe zhvillim.

“Në vend se tua lehtësojnë jetën qytetarëve ua kanë bërë më të vështirë. Rritën taksën mbi karburantin, taksën mbi pronën. Premtuan 300 mijë vende pune, po ku janë. Në Gjirokastër si kudo në Shqipëri, papunësia është rritur. Shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se vendet e Ballkanit energjinë, karburantet. Ky është drejtimi i duhur për ta, por a është për ju drejtimi i duhur ky? Sigurisht që jo, por ky është vendimi i këtyre zgjedhjeve. Po bëjnë gati rritjen e çmimit të ujit me 50%. Në dogana kanë vjedhur 150 mln dollarë. Çfarë ofrojnë për ju, ofrojnë lakun në fyt, politikën e kërbaçit dhe duan ta shtrëngojnë më shumë. Morën pushtetin më 23 qershor, kapën institucionet por duan edhe pushtetin vendor. Në këto zgjedhje ne vijmë me alternativën tonë. Alternativa jonë, alternativa e PD­-së, e dr. Igli Kokalarit, një ofertë të qartë që i jep zgjidhje konkrete halleve tuaja. Igli Kokalari do të ulë taksat, do të mbështesë investitorët. Oferta jonë, oferta e punësimit, e uljes së çmimeve, e mbështetjes së fermerëve, e rritjes së rrogave dhe pensioneve, e uljes së taksave”, deklaroi lideri i PD­-së. 

Ndërkohë edhe vetë kandidati i djathtë u zotua përpara Gjirokastriteve se votën e tyre do të përkthejë në punë konkrete.

“Besoj në mençurinë tuaj për të zgjedhur atë që ju përfaqëson. Në këtë garë unë nuk kam kundërshtarë. Kundërshtari im i vetëm, papunësia juaj, dhimbja juaj, varfëria juaj. Alternativa jonë është forca e mendjes, forca e vizionit mbi forcën e presionit. Mençuria dhe fisnikëria e banorëve të Gjirokastrës, qëndron më lart se çdo politikë boshe. Presione të përditshme nga kampi kundërshtarë. Mos u mashtroni me premtime false. Askush nuk mund ta konvertojë votën e gjirokastritëve në interesa individësh. Duke votuar alternativën tonë, duke na dhënë mbështetjen, ne do të jemi zëri juaj. Bashkia e re do të ofrojë shërbime dhe punësime dinjitoze. Bashkia do të jetë juaja, do të jetë e të gjithëve. Do të ketë trajtim të barabartë për qytetarët pavarësisht dallimeve partiake. Një mjek di si të zgjidhi punët, dhe tu bëjë ballë vështirësive. Bashkohuni me mua për Gjirokastrën e gjeneratës së re”, u shpreh Kokalari


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)