Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi takime me banorë të Klosit dhe Bulqizës. Dëshpëruese e ka cilësuar zoti Basha përpjekjen e dyshes Rama-Meta për të diktuar përmes presionit dhe terrorit votën e 21 qershorit. Shqiptarët, tha zoti Basha e kanë zgjedhur rrugën e tyre, duke i thënë jo mashtrimit, jo terrorit, jo dhunës, do të votojnë për projektin e shpresës dhe zhvillimit.

"Po në cilën demokraci vendos presioni, në cilën demokraci vendos terrori? Vetëm në diktaturë, po diktaturë nuk do të ketë! 21 qershori është festa e demokracisë, betejën e 21 qershorit nuk e vendosin të korruptuarit, nuk e vendosin banditët. Fatin e 21 qershorit e vendosni ju me votën tuaj. Është votë për të hequr kërbaçin nga dora abuzive e qeverisë, pra është votë për punë, është votë për dinjitet. Jepjani votat platformës sonë, sepse para se të jetë platformë politike është platforma e shpëtimit, është platforma e bukës së gojës, është platforma e punës dhe dinjitetit për çdo banor e banore të Klosit dhe Shqipërisë!”, u shpreh Basha. 

Drejtuesit e maxhorancës nuk përballen dot me qytetarët pasi i mashtruan para dy vitesh duke u marrë votën e duke i lënë në mëshirë të fatit, prandaj ai ftoi banorët e këtyre zonave q ëme votën e 21 qershorit të tregojnë pushtetin që ka populli.

“Vota juaj është ligji suprem, vota juaj është ligj i ligjit. Bëjeni ligjin me votën tuaj, në 21 qershor. Votoni për PD, votoni për uljen e menjëhershme të çmimit të energjisë me 25%, faljen e kamatë-vonesave, uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, rritjen e rrogave e pensioneve, uljen e menjëhershme me 20% përmes eliminimit të TVSH, të mallrave të shportës, të miellit, orizit, sheqerit, vajit, qumështit,  bukës, sepse kohët janë mjaft të vështira për shqiptarët dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente, ka nevojë për shpresë e shpëtim të menjëhershëm.”, tha ai.

Kryetari i opozitës vijon takimet përmbyllëse elektorale për zgjedhjet 21 qershorit, në zona të ndryshme të vendit

Redaksia Online
(Gre.M.Shqiptarja.com)