Rikthimi i Lulzim Bashës me thirrjen për të braktisur politikën e vjetër, ku pjesë është edhe Sali Berisha, për kreun e Rithemelimit tregon se ish-kryedemokrati vijon të jetë peng.
“Atë po e përdor Rama siç do. Mos bëj shaka. Ai është vegël në duart e Edi Ramës. Ai bën se çfarë i thotë Rama. Mos më pyesni për axhendën e tij, axhendën e tij ia shkruan Rama. Të bëjë ç’të dojë, asnjë lloj interesi nuk kam.”- tha Berisha.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi ish-kryedemokratit Lulzim Basha. Sipas Bashës, Berisha po shpik armiq për të mbuluar dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve.
Kthimi i ish kreut të demokratëve, që u largua nga drejtimi pas humbjeve të njëpasnjëshme të zgjedhjeve dhe përplasjes me Sali Berishën, tashmë është temë diskutimi në çdo tavolinë politikanësh. Por demokratët e të dy kampeve mendojnë se rishfaqja e tij e rrezikon edhe më tej bashkimin.
Sipas deputetit Flamur Hoxha, deputetët duhet të tregojnë nëse do të vijojnë që të mbajnë qeverisjen e rilindjes në pushtet apo do t’i shërbejnë demokratëve. Sa i takon rikthimit të Bashës, Hoxha u shpreh se është herët që të flasin për një kryetar partie.
‘Është e rëndësishme që të flasë çdo deputet. Nëse duna t’i shërbejnë demokratëve apo do të vijojnë që të mbajnë qeverisjen e rilindjes në pushtet. Do ta bëj unë i pari. Duhet të bëjnë të gjithë ato që kanë humbur të gjitha zgjedhjet. Kjo është përgjegjësia. Nëse do të ishim bashkë pas 25 prillit s’do të kishim këtë qeveri në pushtet. Të marrin përgjegjësi deputetë. Lulzim Basha mendoj se është herët të flasim për kryetar partie. Nëse jemi dy parti duhet të shohim. E tregon koha deputetët nëse do të marrin qëndrim për të dalë mbi interesat personale. Nëse në 2 vite kemi thënë se jemi me 2 parti unë nuk po e shoh. Duhet të bashkohemi e pastaj të bëjmë garë për kryetar.’- u shpreh Hoxha.
Ndërsa deputeti Ervin Salianji u shpreh se nuk mundet që ato që kanë dalë në vend të katërt t’u kërkojnë llogari atyre që kanë dalë të dytët.
‘Do të vazhdohet sërish me të njëjtën mënyrë. Ka dhe një budallallëk. Ata që kanë dalë të katërtit u kërkojnë llogari atyre që kanë dalë të dytët. S’po them për vete se kam dalë i pari aty ku kam qenë. Demokratët dhe shoqëria kanë gjithë të drejtën që të kërkojnë llogari. Sikur njerëzit kanë pritur që kush ka qëndruar dhe tani u ndez playstation-i për të luajtur lojën e ka gabim. Dhe ndonjë tjetër që i ngarkon ndonjë detyrë Rama dhe thotë hajde po vij. Nuk është kështu opozita dhe do ta shihni që demokratët kanë për ti marrë para’- tha Salianji.
Dhurata Çupi theksoi se çfarë interesi ka nëse ata i kanë humbur tashmë zgjedhjet.
‘Asnjë koment, opozita është e përçarë. Demokratët nuk i sollën në asnjë bashki në pushtet’- u shpreh Çupi.
Ka edhe nga ata deputetë, tërësisht indiferentë për axhendën e Bashës, pas humbjes së opozitës.
‘Basha dhe kushdo tjetër është i hapur që të konkurrojë, nëse merr përqindjen e anëtarësisë le të vazhdojë, në kërkojmë qarkullim elitash, individë që nuk janë të lidhur më të shkuarën politike.’- tha Agalliu.
Lulzim Basha u shfaq të mërkurën në një takim publik me të rinjtë duke premtuar rikthim me 3 teza të vjetra në arenën politike: hapjen e listave, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe vetting të politikanëve.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje Sali Berishës pasi ky i fundit e sulmoi sot duke e quajt si peng të Ramës.
“Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve. Sot si dje ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve”, i është përgjigjur Basha.
Sali Berisha e merr me të qeshur mundësinë e rikthimit të Lulzim Bashës në krye të PD-së. Duke ju përgjigjur gazetarëve ai tha se kjo është shaka, dhe se Basah duhet të pyesë Ramën nëse e lejon apo jo.
‘Ç’më tremb ai mua, po e përdor Rama si do. Mos bëj Shaka.(Qesh) Të pyes a lejon Rama apo jo, është vegël në duar të Ramës. Bën se çfarë i thotë Rama.’- tha Berisha.