Basha:Në zgjedhje abuzim kriminal
S’ka asnjë mundësi që ne t’i njohim

Basha:Në zgjedhje abuzim kriminal<br />S’ka asnjë mundësi që ne t’i njohim
TIRANE- Opozita fillon aksionin e denoncimeve pranë institucioneve ndërkombëtare, për deformimin e procesit zgjedhor të sapo mbyllur. Lulzim Basha po “ngre zërin” nëpër  korridoret e politikës evropiane, duke denoncuar mazhorancën se deformoi vullnetin e zgjedhësve. Lideri demokrat ishte në Bruksel, në Samitin e Partive Popullore Evropiane, ku nuk foli për mosnjohje të zgjedhjeve,  por tha se ai dhe partia e tij, nuk do të ndalet deri në çmontimin e oligarkisë që, sipas tij, deformoi edhe zgjedhjet në 21 qershor. “Nuk ka dyshim që instrumenti që shkatërroi dhe deformoi zgjedhjet e 21 qershorit përbën një kërcënim real për demokracinë shqiptare, për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë.

Lufta për të çmontuar këtë instrument të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe imi si kryetar i saj. Me përfundimin e këtij procesi, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate dhe akute që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel” - u shpreh lideri i opozitës Lulzim Basha. Ai tha se Rama dhe Meta bënë presion ndaj zgjedhësve, dhe kandiduan persona të inkriminuar.

“Ka një zhgënjim të jashtëzakonshëm për stadin në të cilin gjendet Shqipëria, si rezultat i prishjes së zgjedhjeve lokale nga shumica, përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale, angazhimit të krimit dhe bandave kriminale për të intimiduar zgjedhësit dhe për të mbështetur kandidatët e shumicës në shumë raste, përdorimit masiv të parave publike por edhe të parave të pista, të korrupsionit e krimit për të blerë votën e qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht kërcënimit të votuesve, nëse nuk do votonin për kandidatët e shumicës, për humbjen e vendit te tyre të punës apo të afërmve të tyre, në rastet kur këta punojnë në administratën publike, raste këto të mirë dokumentuara nga opozita, nga PD, të bërë të njohura institucioneve ndërkombëtare,”-tha Basha.

Megjithëkëtë, ai mendon se opozita ka arritur një rezultat të mirë në këto zgjedhje,  duke akuzuar qeverinë për rënie të mbështetjes. “Opozita shqiptare, PD ia ka dalë në rezultatin formal që sigurisht është shumë më i ulët se ç’do të ishte rezultati real, pa këtë makineri presioni të shitblerjes së votës, angazhimit të krimit, ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë siç tregojnë edhe shifrat e publikuara nga KQZ në votimet për kandidatët” - theksoi Basha.


Eurodeputeti, Brok: Zgjedhjet ishin të falsifikuara
Kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian,  Elmar Brok, pas takimit me Lulzim Bashën lëshon alarmimin se këto zgjedhje ishin të falsifikuara, dhe për këtë, i referohet raportit të OSBE-së. “Mendoj, se ky raport është befasues. Sikur edhe gjysma e këtij raporti të jetë e vërtetë, atëherë duhet ë themi që  këto zgjedhje janë të falsifikuara. Unë do ta vë këtë raport në rendin e ditës së të hënës së komisionit të punëve të jashtme.

Po, do ta përfshij në rendin e ditës për të informuar anëtarët e komisionit të punëve të jashtme për falsifikimin e madh të zgjedhjeve. Jam shumë i shqetësuar për këtë dhe pavarësisht se çfarë ndodhi, zoti Rama humbi 20% të votave të përgjithshme. Kjo është drejtësi”, tha Brok. Kryetari i PD Lulzim Basha u takua në samitin e PPE edhe me komisionerin për zgjerim dhe politikën e fqinjësisë, Johannes Hahn me të cilin diskutoi për problematikën e zgjedhjeve, të reflektuar dhe në raportin paraprak.

Hahn ka qenë i rezervuar me mediat, duke thënë se po pret raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Gjatë takimit në kuadër të PPE-së, Basha nuk ka folur për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, por "për parregullsitë që mbeten të trajtohen në të ardhmen", ndërsa dekriminalizimi konsiderohet një "mundësi e humbur" me këto zgjedhje. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale