Basha nga Strasburgu: Asambleja e KiE votoi propozimin për konfiskimin e aseteve ruse, do përdoren për rindërtimin e Ukrainës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg, ka votuar propozimin e kreut të PD Lulzim Basha për konfiskimin e aseteve shtetërore ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës.

Lajmin e ka dhënë vetë Basha përmes një videoje në rrjete sociale teksa përshëndet vendimin duke mos fshehur entuziazmin.

"Të dashur miq ju përshëndes këtu nga aola, nga agora e Parlamentit Europian ku Asambleja Parlamentare sapo ka votuar unanimisht propozimin tim, rezolutën për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës. Dhe po kështu rekomandimin që Këshilli i Europës të ngrejë pa vonesë një komision ndërkombëtar të pretendimeve të Ukrainës për dëmet e shkaktuara nga agresioni rus dhe një fond ndërkombëtar për depozitimin e të gjithë aseteve të ngrira ruse, mbi 300 miliardë euro dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës. Në këtë takim, në këtë mbledhje të veçantë ka qenë edhe kryetari i Kuvendit të Ukrainës, fjala e të cilit po kështu ka pasur një peshë të jashtëzakonshme", thotë Basha.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:40
‘Rusia duhet të paguajë për luftën në Ukrainë’, Basha në KiE: Vendimi, si pengese ndaj çdo agresioni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti fjalën e tij sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku ka kërkuar votën e anëtarëve për rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës.

“Ndërsa Rusia vazhdon të kryejë luftën e saj shkatërruese dhe krime lufte në Ukrainë, është e qartë që Ukraina ka nevojë për ndihmë të madhe për të adresuar dëmet dhe shkatërrimet dhe për të rindërtuar infrastrukturën e saj.

Qeveria ruse duhet të mbajë përgjegjësi për kompensimin e humbjeve njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për shkatërrimin e Ukrainës”- tha Basha fjalën e tij.

Basha tha më tej në fjalën e tij se ‘kërkojmë ngritjen e një fondi ndërkombëtar, ku do të depozitohen të gjitha asetet shtetërore ruse të konfiskuara, duke siguruar transparencën, përgjegjësinë dhe drejtësinë në shpërndarjen e fondeve që duhet të përdoren për kompensimin për Ukrainën dhe personat e prekur nga agresioni rus në Ukrainë, si dhe për të ndihmuar në përpjekjet për ringritjen dhe rindërtimin e Ukrainës. Dhe ne mbështesim themelimin e një komisioni ndërkombëtar për pretendimet mbi dëmet e renditura në Regjistër, nën ombrellën e Këshillit të Europës.’

Kryetari i PD Lulzim Basha theksoj se Rusia duhet të paguaj dhe vendimi i sotëm të shërbejnë si pengesë ndaj çdo agresioni të ardhshëm.

“Teksa përjetojmë një moment të rëndësishëm në shekullin e 21-të, ne po ndërmarrim veprime të përbashkëta për të ruajtur dhe përforcuar bashkëpunimin tonë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë. Me votën tonë sot ne rikonfirmojmë se mbetemi të palëkundur në qëllimin tonë: të forcojmë Ukrainën në mënyrë që pasojat – duke përfshirë dhe ato financiare – të agresionit rus, të shërbejnë si pengesë ndaj çdo agresioni të ardhshëm, dhe të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do të duhet, për të mposhtur  plotësisht dhe pa kushte agresionin rus”- u shpreh Basha në fjalën e tij.

Fjala e Bashës:

President,

Kolegë të nderuar,

Shkëlqesia Juaj, Z. Kryetar i Parlamentit të Ukrainës,

Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi sulmin për pushtimin e Ukrainës pa asnjë provokim, sulmi më i madh  ndërkombëtar që prej vitit 1942. Lufta e paligjshme e agresionit të Rusisë ka shkaktuar shkatërrim dhe vuajtje katastrofike për popullin dhe shtetin ukrainas, ka rezultuar në humbje të rënda humane dhe materiale dhe në shumë krime lufte. Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka lëshuar ndërkohë një urdhër arresti për Presidentin rus në lidhje me deportimin e detyruar të fëmijëve ukrainas.

Ndërsa Rusia vazhdon të kryejë luftën e saj shkatërruese dhe krime lufte në Ukrainë, është e qartë që Ukraina ka nevojë për ndihmë të madhe për të adresuar dëmet dhe shkatërrimet dhe për të rindërtuar infrastrukturën e saj.

Qeveria ruse duhet të mbajë përgjegjësi për kompensimin e humbjeve njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar.

Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për shkatërrimin e Ukrainës.

Asetet tashmë të ngrira të shtetit rus duhet të vendosen në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës. Shtetet që i mbajnë ato duhet të bashkëpunojnë për transferimin e të gjitha këtyre aseteve shtetërore ruse në një Mekanizëm Kompensimi Ndërkombëtar.

Këshilli i Europës e ka ngritur tashmë një Regjistër të Dëmeve të Shkaktuara nga Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Sot ne do të votojmë për themelimin e një mekanizmi kompensimi ndërkombëtar, nën Këshillit të Europës, për të adresuar në mënyrë të plotë dëmet e shkaktuara ndaj personave fizikë dhe juridikë, si dhe ndaj shtetit të Ukrainës për shkak të veprimeve të paligjshme të Federatës Ruse gjatë sulmit të saj të paligjshëm në Ukrainë;

Që nga fillimi i agresionit, Asambleja jonë ka miratuar unanimisht një sërë tekstesh që dënon agresionin brutal të Rusisë, aspektet dhe pasojat e tij. Që nga shkurti i vitit 2022, disa vende kanë ngrirë mbi 300 miliardë dollarë në asete shtetërore ruse.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar tashmë krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për kompensimin e Ukrainës për humbje, dëme dhe lëndime të pësuara gjatë luftës. Më pas, Këshilli i Europës ka themeluar në maj edhe Regjistrin e Dëmeve të Shkaktuara nga Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës.

Detyrimi për të paguar kompensime për shkeljen e ligjit ndërkombëtar është i mirënjohur. Asetet sovrane ruse duhet të konfiskohen dhe të transferohen në një mekanizëm kompensimi ndërkombëtar, i ngritur nën ombrellën e Këshillit të Europës nga anëtarët dhe shtete jo-anëtare jashtë saj. Pastaj, këto asete do të përdoren për të kompensuar Ukrainën, entitetet e prekura si dhe personat juridikë dhe fizikë, për dëmet e shkaktuara nga veprimet e paligjshme të Federatës Ruse që shoqërojnë sulmin e saj të paligjshëm.

Vetëm aktivet shtetërore ruse do të preken. Kompensimi do të sigurohet përmes një mekanizmi ndërkombëtar, në të cilin shtetet e interesuara do të transferojnë asetet shtetërore ruse që janë aktualisht nën juridiksionin e tyre.

Mekanizmi do të ketë autoritetin dhe kapacitetin për të pranuar dhe shqyrtuar pretendimet nga Ukraina dhe palët e tjera të lënduara – publike dhe private – dhe për të shpërndarë kompensimin e përshtatshëm për këto pretendime në përputhje me standardet dhe procedurat e pranuara ndërkombëtare.

Kolegë të nderuar,

Përballë agresionit dhe pushtimit rus në Ukrainë, i cili është një shkelje flagrante e detyrimeve ndërkombëtare të një shteti, e drejta ndërkombëtar lejon shtete të tjera të përgjigjen me kundërmasa.

Kundërmasat ligjore janë masa që do të ishin të paligjshme nëse do të vendoseshin kundër një shteti të pafajshëm, pra që nuk ka shkelur detyrimet e tij ndërkombëtare. Por ato lejohen nëse merren kundër një shteti fajtor, me qëllim që të bindin shtetin fajtor të ndalojë veprimet e paligjshme dhe të përmbushë detyrimin e tij për të kompensuar palën e dëmtuar.

Shtetet e treta, pra, shtetet që nuk janë lënduara drejtpërdrejt nga sjellja e shtetit fajtor, lejohen nga ligji ndërkombëtar të marrin kundërmasa kolektive kundër shtetit fajtor, në këtë rast Rusisë, për shkelje të rënda të detyrimeve të saj.

Gjithashtu, shtetet që janë ndikuar posaçërisht nga veprimet e paligjshme të Rusisë, ose dëmtuar në mënyrë të përmbajtshme nga kërcënimet, kostoja ose shkatërrimet që këto veprime kanë shkaktuar, mund të bashkohen në kundërmasat e vendosura nga shtetet e tjera për këto motive.

Si një përgjigje e shpejtë ndaj invazionit të paligjshëm të Rusisë në Ukrainë, disa shtete ku janë vendosur asete shtetërore ruse, morën hapat për tí ngrirë ato asete në mënyrë që ato të mos jenë në dispozicion për të financuar luftën e paligjshme të Rusisë. Pa veprimet fajtore të Rusisë, ngrirja e aseteve të saj do të ishte e paligjshme për çdo shtet.

Ngrirja e këtyre aseteve përmban kundërmasa ligjore të së drejtës ndërkombëtare. Duke qenë se sjellja e paligjshme e Rusisë, që ishte dhe arsyeja për ngrirjen e ketyre aseteve, nuk ka ndalur edhe pas një serie të gjatë kritikash dhe paralajmërimesh, duke përfshirë disa rezoluta të Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së, koha ka kaluar për të hedhur hapat e mëtejshëm.

Me votën tonë sot:

Ne kërkojmë ngritjen e një fondi ndërkombëtar, ku do të depozitohen të gjitha asetet shtetërore ruse të konfiskuara, duke siguruar transparencën, përgjegjësinë dhe drejtësinë në shpërndarjen e fondeve që duhet të përdoren për kompensimin për Ukrainën dhe personat e prekur nga agresioni rus në Ukrainë, si dhe për të ndihmuar në përpjekjet për ringritjen dhe rindërtimin e Ukrainës.

Dhe ne mbështesim themelimin e një komisioni ndërkombëtar për pretendimet mbi dëmet e renditura në Regjistër, nën ombrellën e Këshillit të Europës.

Anëtarë të nderuar të Asamblesë,

Nuk ka asnjë dyshim mbi paligjshmërinë e invazionit të Rusisë në Ukrainë, pushtimit të territorit ukrainas dhe aneksimin e paligjshëm rtë pjesëve të mëdha të saj. Me këto veprime, Rusia ka shkelur rregullat më themelore të të drejtës ndërkombëtare. Këto rregulla janë kolonat e rendit ndërkombëtar të pas-luftës së dytë botërore; në të vërtetë, ato janë të pazëvendësueshmë për themelet mbi të cilat është ndërtuar i gjithë rendi ynë botëror i rregullave.

Teksa përjetojmë një moment të rëndësishëm në shekullin e 21-të, ne po ndërmarrim veprime të përbashkëta për të ruajtur dhe përforcuar bashkëpunimin tonë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë.

Me votën tonë sot ne rikonfirmojmë se mbetemi të të palëkundur në qëllimin tonë:

të forcojmë Ukrainën në mënyrë që pasojat – duke përfshirë dhe ato financiare – të agresionit rus, të shërbejnë si pengesë ndaj çdo agresioni të ardhshëm.

Dhe të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do të duhet, për të mposhtur  plotësisht dhe pa kushte agresionin rus.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mondi: 16/04/2024 22:23

    o palle ty ste degjon njeri ne shqiperi merresh me punet e botes.cpune ke ti me asetet ruse shif se mos nuk je fare legjislaturen tjeter deputet.hap ndo nje zyre avokatie meqe pretendon se je jurist a ndonje ndihmes gjyqtar por mos dil me ne mejdan se na e shpif.toc

    Përgjigju
  • Simpson: 16/04/2024 19:42

    E meriton ne te ardhmen president shqiperise zoti Basha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama për protestën para takimit në Londër: Kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë e bërtisnin! Të nxitur nga të verbërit në Tiranë

Rama për protestën para takimit në Londër: Kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë e bërtisnin! Të nxitur nga të verbërit në Tiranë