Basha akuza Metës: Pazarxhi kronik, nxitësi kryesor i djegies së mandateve! Xhaçka sërish në Kushtetuese? Shërbim ndaj Ramës! Begaj të shpërndante Kuvendin

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, pas sulmeve të këtij të fundit, kundrejt kryedemokratit, për djegien e mandateve në vitin 2019.

Lulzim Basha tha se Ilir Meta ka qenë nxitësi kryesor i djegies së mandatave, ndërsa nuk nguroi që ta cilësoi si një pazarxhi kronik. Për Lulzim Bashën, Ilir Meta duhet lënë i vetëm, të zgjidhë problemet që ka me drejtësinë teksa SPAK i është vënë pas atij dhe bashkëshortes Monika Kryemadhi për dosjen “CEZ-DIA” dhe lobimin e LSI-së.

“Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, disa si Meta hedhin gurin fshehin dorën, këtë bëri pas 12 janarit, pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër. Meta është përfituesi më i madh i pushtetit të Ramës. Është një pazarxhi kronik, që problemet si ka më me PD dhe shqiptarët, por i ka aty ku i ka dhe të përballet me problemet që ka”, tha Basha.

Basha ka ironizuar edhe protestën e Partisë së Lirisë dhe Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës. Basha tha se është Ilir Meta ai që solli dhe e mbajti Ramën në pushtet, e tani del si ‘supermen’ duke protestuar kundër korrupsionit në Bashki, ndërkohë që njerëz të tij kanë firmosur për rritje tarifash.

Për të treguar indirekt se ndryshe nga Ilir Meta, i cili ka nisur një sulm frontal kundër SPAK dhe kreut Altin Dumani, Lulzim Basha dorëzoi në emër të PD-së 2 amendamente në Kuvend, që fuqizon strukturën përmes ndihmës këshilltarëve ligjorë dhe cakton afatin 3 mujor si periudhë brenda së cilës një prokuror i SPAK duhet të emërohet në detyrë të re pas mbarimit të mandatit pa zbritje page.

Ndërkohë vendimin e Gazment Bardhit me grupimin e Rithemelimit, për të dërguar në Kushtetuese padi për mandatin e Olta Xhaçkës, Lulzim Basha e cilësoi si veprim në shërbim të Edi Ramës. Ky veprim tha Basha është falimentim politik dhe pazar që i shërben vetëm Ramës. Kryedemokrati tha se ‘Kuvendi’ i tha jo Gjykatës Kushtetuese dhe se ky ishte shkak që presidenti të shpërndajë parlamentin. 

‘Në vend të kërkohen rrugët politike të përgjigjes ndaj këtij akti, patinohet kjo, e çojnë në Gjykatë Kushtetuese, po pastaj ku do e çosh te daja Ceni? Ky është “hajde bëjmë sikur”. Kur të mbarojë gjithë loja ka mbaruar dhe mandati i parlamentit. Rikthimi në Gjykatë Kushtetuese, është falimentim politik, është fajësi në një pazar që akoma vazhdon të japë efektet e veta. Vendi është në krize kushtetuese, ky është shkak që presidenti të shpërndajë parlamentin.’- tha Basha.

Me 72 vota kundër të mazhorancës dhe 39 vota pro të opozitës, Kuvendi vendosi kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Vetë Xhaçka mohoi çdo akuzë, për përfitime të paligjshme apo konflikt interesi, ndërsa theksoi se bashkëshorti i saj ka vetëm status të investitorit të asistuar dhe jo atë të investitorit strategjik të veçantë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Mandati i Xhaçkës, Basha-Rithemelimit: Përse nuk flisni? Çfarë kocke u hodhi Lindita Nikolla që u ka ngecur në fyt?

 

Lulzim Basha ka shigjetuar sërish grupin e Rithemelimit duke i pyetur se përse nuk flasin e nuk bënë kaos pasi PS nuk dërgoi në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës.

“Pas vendimit të shumicës në Kuvend nuk ka më hapësirë për t’iu drejtuar më Kushtetueses. Ai aksion që ndërmorën gjoja për komisionet hetimore sot duhej të ishte dyfish, trefish. Ne kemi zgjedhur një tjetër rrugë, ne kemi zgjedhur rrugën institucionale, jo rrugën e flakadanëve. Ne s’kemi premtuar revolucion, ne e dimë ca sfidash kemi para.

Ne besojmë që këto sfida përballen duke u dhënë shqiptarëve alternativë. Këta që kanë ngritur frymën revolucionare ishte momenti të dëshmonin që kishin vetën për veten e tyre, por për parime. E enjtja ishte dita kur duhej të bllokohej foltorja. Gëlltisni dhe nuk flisni për këtë akt.

Çfarë kocke keni lëpirë që ju ka hedhur Lindita Nikolla që ju a ngelur në fyt, sepse bëhet fjalë krizë kushtetuese në vend. Kjo është pyetje për ta”, tha ai.

Ora 11:55
Basha i përgjigjet Metës: Ishe nxitësi kryesor i djegies së mandateve, hodhe gurin e fshehe dorën! Pazarxhi, përballu me drejtësinë

 

Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur sulmeve të Ilir Metës, i cili e akuzon si përgjegjës për djegien e mandateve në 2019. Basha tha se Meta ka qenë nxitësi kryesor i djegieve të mandateve.

Basha e akuzoi si pazarxhi që ka mbajtur Ramën në pushtet, ndërsa tha se s’ka më asnjë bashkëpunim me Metën. Këtë të fundit e ‘këshilloi’ që të zgjidhë problemet me drejtësinë.  

“Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve. Disa e kanë kurajën ta pranojnë, disa si Ilir Meta hedhin gurin fshehin dorën, këtë bëri pas 12 janarit, pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër në prani të Tadic. Bëri si i flaktë gjatë përpjekjes sonë për të garantuar kushte zgjedhore në 2017, shkoi u bë president i Edi Ramës. Ilir Meta është përfitues më i madh i pushtetit të Ramës. Meta është faktori kryesor për ardhjen e Edi Ramës në pushtet 2013 dhe për mbajtjen e tij në pushtet në 2017, madje dhe në 2021 me çmenduritë e tij të Malit me Gropa.  Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik. Me Metën dhe LSI s’ka për të patur më asnjë marrëdhënie politike, është një pazarxhi kronik, që problemet si ka më me PD dhe shqiptarët, por i ka aty ku i ka dhe të përballet me problemet që ka”, tha Basha.

Ora 11:44
‘Faqe e zezë’, Basha: Të protestosh para Bashkisë me Ilir  Metën, solli Ramën në pushtet e tani del aty si ‘supermen’

 

Kreu i PD, Lulzim Basha ka ironizuar protestën e Partisë së Lirisë dhe Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës. Basha tha se është Ilir Meta ai që solli dhe e mbajti Ramën në pushtet, e tani del si ‘supermen’ duke protestuar kundër korrupsionit në Bashki, ndërkohë që njerëz të tij kanë firmosur për rritje tarifash.

“Nuk mund të bëhet protestë para Bashkisë me Ilir Metën, njerëzit e Metës kanë firmosur rritje tarifash aty. Meta solli Ramën në pushtet në 2013, e mbajti në 2017. Tani ma nxjerr si supremen, dhe më thua pse s’je në protestë. Faqe e zezë. Ti vënë gishtin kokës ata që për interesa personale i vunë minat opozitarizmit.

Që të thërrasësh protestë kundër korrupsionit, e të vësh në ballë Metën, a ka njeri që nuk e kupton që ky është autogol. PD duhet të distancohet nga njerëz që janë autorët e ardhjes në pushet të Ramës”, tha Basha.

Ora 11:41
Mandati i Xhaçkës, Basha: Rikthimi në ‘Kushtetuese’ falimentim politik! Kuvendi i tha ‘jo’ gjykatës, shkak që presidenti të shpërndaj parlamentin

Kryetari i Partisë Demokratik Lulzim Basha e ka cilësuar vendimin e Gazment Bardhit për të dërguar sërish në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për mandatin e Olta Xhaçkës, si falimentim politik, pasi sipas Bashës duhet një aksion i gjerë.

Basha tha se Kuvendi i tha ‘Jo’ Gjykatës Kushtetuese dhe ky ishte shkak që presidenti të shpërndajë parlamentin.

‘As nuk kemi ndaluar dhe as nuk kemi lejuar askënd është bindja totale e PD-së se kthimi në GJK është një tjetër lehtësim që i bëhet Edi Ramës në një akt të paprecedentë në 34 vite. Gjykata Kushtetuese ka folur. Kur Gjykata Kushtetuese flet parlamenti bindet. Hierarkia në këtë vend fillon me Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk është mbi Gjykatën Kushtetuese, përveç GJEDNJ-së, këtë thotë kushtetuta.

Me aktin e mos votimit të konfliktit të interesit Edi Rama ka futur vendin në krizë kushtetuese. Do ta çojnë prap në Gjykatë Kushtetuese po pastaj ku do ta çojnë te ‘Daj Ceni’?! Ky është një akt 'bëjmë sikur'. Është një akt i papërgjegjshëm politikisht.

Ka dy gjëra... e para është rasti i Olta Xhaçkës. Nuk ka lënë dilema Gjykata Kushtetuese dhe akti i dytë është precedenti që ka vendosur GJK. Nuk ka ndodhur kur një instancë tjetër sekondare ti' thotë GJK-së jo. Ti ke thënë kështu... unë them ashtu. Vendi është në krize kushtetuese, ky është shkak që presidenti të shpërndaj parlamentin. Me këtë akt parlamenti ka kryer një krim kushtetues.

Çfarë e ndalon nesër të shpallet mbret Ramën! Do e çosh në GJK punë e madhe? Kush pyet për GJK? Përpjekja për ta dërguar në GJK është fajësi i një pazari politik.’- tha Basha.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë