Kokoshi 200 milionë dhe zengjini i tij shpresojnë më kot se duke hedhur tym do të arrijnë të mbulojnë gjurmët dhe transfertat e tyre bankare off shore. Tepër vonë. Janë kapur me presh në duar”, u shpreh Basha. Ndonëse demokratët kanë insistuar fort për një hetim ndërkombëtar të marrëveshjes CEZ-DIA, kërkesë e cila u rrëzua nga mazhoranca në Kuvend, kreu i PD, Lulzim Basha theksoi se Rama bëri gjithçka për të ndaluar hetimin me ligj, për t’i shpëtuar sipas tij, llogaridhënies publike. “Kishin shansin për hetim të drejtë dhe të pavarur për këtë çështje nga dita e parë deri në ditën e fundit po nuk e bënë sepse e vërteta do të nxirrte në dritën e diellit vjedhjen e shekullit.
Përkundrazi u investuan me kuç e me maç, me zara e kopaç që të ndalnin hetimin me ligj”, tha ai. Megjithatë, demokratët janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund transparencës për çështjen CEZ-DIA. Sipas Bashës, transparencën ndërkombëtare Rama nuk mund ta blejë dot. “Qerrja e transparencës ndërkombëtare ka filluar të lëvizë. Nuk kanë për ta shantazhuar dot, nuk kanë për ta blerë dot, nuk kanë për ta ndalur dot me ligj të posaçëm siç ndalën përkohësisht drejtësinë shqiptare. Ora po troket mbrapsht për Edi Ramën me 40 hajdutë”, deklaroi më tej, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Çështja “CEZ” është shndërruar tashmë në “mollë sherri” mes mazhorancës dhe opozitës.
Që prej muajit shtator, Partia Demokratike kërkoi hetim ndërkombëtar për marrëveshjen mes shoqërisë CEZ dhe kompanisë DIA, për mbledhjen e borxheve, ku hidheshin dyshime për një aferë korruptive me përfshirjen edhe të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Nga ana tjetër, ishte KLSH që paditi në Prokurori ministrin Gjiknuri, për zgjidhjen me mirëkuptim të zgjidhjes së marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ, ku auditi gjeti një dëm prej 479 milionë euro.
Mazhoranca rrëzoi kërkesën për hetim ndërkombëtar
Shumica parlamentare rrëzoi 3 javë më parë, seancën e 5 dhjetorit, kërkesën e Partisë Demokratike për hetim ndërkombëtar të çështjes CEZ. Ashtu siç kishte deklaruar edhe më parë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu votën e tij “pro” nismës, ndërsa një qëndrim kundër mbajti shumica e majtë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, duke rrëzuar me votë kërkesën e PDsë, me argumentin se përbën shkelje kushtetuese. Nisma nuk mori 84 votat e nevojshme për t’u kaluar në parim, duke bërë kështu që hetimi i skandalit të denoncuar nga opozita bëhet nga një trupë prokurorësh shqiptarë.
Reagimet, Genc Ruli: Të hetohen katër ministrat e LSI
Bode, Mima dhe Bozdo shmangin komentet. Guxholli: S’mbulohet dielli me shoshë
Ish ministri Genc Ruli është i akuzuari kryesor nga pasardhësi i tij në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, për privatizimin e OSSHE, që sipas auditit të kësaj ministrie, i ka faturuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro. I kontaktuar nga “Shqiptarja.com”, Ruli hodhi poshtë akuzat në adresë të tij, ndërsa u shpreh se, nëse do të hetohet, pjesë e hetimeve duhet të jenë edhe katër ministrat e LSI që kanë mbajtur postin e ministrit të Energjisë dhe kanë menaxhuar dështimin e CEZ gjatë mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”. “Është një çudi hipotetike që ngrihet që, në gati 6 vjet të historisë që nga privatizimi e deri te dështimi, të historisë CEZ, kapen vetëm dy pikat kulmore, njëra e fillimit që është ministri i privatizimit, Genc Ruli dhe tjetra, ministri i fundit i PD, Florion Mima.
Pse është kjo ndërprerje në mes e katër ministrave të LSI-së që sot janë ortakët e PS-së, që ka menaxhuar dështimin dhe korruptimin maksimal të CEZ? Është vallë ndjesë ndaj Metës që bën Rama që hapi çështjen e DIA-s? Apo është një kompromis mes Metës dhe Ramës për të mos e hapur kurrë çështjen ÇEZ?”, u shpreh Ruli. Sipas tij, për ta hetuar CEZ-in që nga gjeneza e deri në fund dhe në mënyrë të paanshme dhe madje të besueshme për publikun shqiptar, do të ishte një hetim ndërkombëtar. Ridvan Bode, ish ministri i Financave për 8 vjet në qeverinë “Berisha”, gjithashtu i paditur në prokurori nga Ministria e Energjisë për privatizimin e CEZ, nuk iu përgjigj interesimit të “Shqiptarja.com”.
Ndërsa, Florion Mima, aktualisht deputet i PD, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Energjisë nga data 4 prill 2013 deri në 16 shtator 2013 u shpreh se qëndrimin e tij publik do ta bëjë në ditët në vazhdim. Të njëjtin argument mbrojti edhe ish zv/ministri i Energjisë, Eno Bozdo. Por nga ana tjetër, Suzana Guxholli, ish këshilltare e ish kryeministrit Sali Berisha, e sheh padinë e ngritur ndaj saj si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga skandalet. “Kjo është çështje që ka shkuar në Prokurori tashmë dhe detajet janë konfidenciale. Por nga e gjithë kjo histori më vjen ndërmend një fjalë e urtë popullore po kërkojnë të mbulojnë “diellin me shoshë””, tha ajo.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)