Basha: Rama-Meta dëgjoni
bashkimin e shqiptarëve: Ikni!
Foto

Basha: Rama-Meta dëgjoni<br />bashkimin e shqiptarëve: Ikni!<br />Foto
TIRANE - Rama ik! Meta ik! Kjo ishte thirrja e shqiptarëve që marshuan në protestën e opozitës përreth një orë para Kryeministrisë. Lideri i demokratëve Lulzim Basha në fjalimin e shkurtër që mbajti në podiumin e ngritur para godinës së qeverisë, i bëri thirrje dy aleatëve në pushtet, kreut të qeverisë Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, që të dëgjojnë zërin e bashkuar të mijëra qytetarëve në protestë dhe të dorëhiqen.

Ndërsa pjesa e parë e fjalimit nisi me denoncimin e situatës ku ndodhet kriminaliteti dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fund u ndal në çështjen “Doshi”.  Lideri i opozitës kërkoi dorëheqjen e Metës dhe përballjen e tij me drejtësinë për akuzat që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi ka artikuluar, se ka urdhëruar vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Për kryeministrin Edi Rama, kërkesa e zotit Basha është: Ndal trysninë ndaj organit të akuzës! 

Kryedemokrati Basha paralajmëroi se vala e protestave nuk do të ndalet derisa Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama të largohen nga qeverisja.

“Jemi gati, jemi në këmbë, të gatshëm t’i dalim zot me çdo mjet demokratik vendit tonë, fateve tona, të fëmijëve tanë.  Do të qëndrojmë të mbledhur dhe të bashkuar deri në fitore, nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë bulevard të mbushur si asnjëherë më parë. Përballë do të na keni derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet. Nuk ndalemi derisa ta shporrim të keqen, derisa Edi Rama dhe Ilir Meta të largohen”, u shpreh Basha. 


Marshimi nisi në mënyrë paqësore nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të kryeministrisë, ndërsa policia ishte në gatishmëri me kontrolle dhe forca të shtuara për të siguruar mbarëvajtjen e protestës. 

Ora 21:00 Berisha: Protesta më e rëndësishme nga 20 shkurti i vitit 1991. 
Ish-kryeministri Berisha protestën e sotme e ka cilësuar si më të rëndësishmen që është zhvilluar pas 20 shkurtit të vitit 1991.
 
“Beteja jone sot është po me krimin ordiner dhe politik qeveritar, murin e tij të tmerrshëm të vrasjeve, tritoleve, të maskave, atentateve, grabitjeve, murin që rrënon, kërcënon çdo ditë jetën, sigurinë, paqen tonë, murin që na ndan çdo ditë e më shumë nga e ardhmja jonë dhe bën të pamundur integrimin tonë në Europë.”- shkuar Berisha në rrjetin social “Facebook”.Berisha: Protesta e sotme më e rëndësishmja nga 20 shkurti 1991

Ora 13.30 PD: Në protestë 300 mijë shqiptarë/ Policia: Ishin vetëm 7-10 mijë persona
Në një reagim zyrtar që Partia Demokratike bëri pas protestës tha se në marshimin paqësor për dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta ishin 300 mijë shqiptarë. Sipas PD-së, kjo protestë është vetëm fillimi i një vale tjetër protestash që opozita do të zhvillojë për të kërkuar largimin e kreut të Kuvendit Ilir Meta.
 
“E kuptojmë shqetësimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës nga 300 mijë shqiptarët që u derdhën në shesh për të protestuar. Ky ishte vetëm fillimi. Policia të identifikojë personat e thirrur nën armë nga Ilir Meta. Pjesa më e madhe me precedentë kriminal të promovuar në nivelet më të larta të pushtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Partisë Demokratike.

Ndërkohë që burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se në total në shesh kanë qenë rreth 7-10 mijë persona.

PROTESTA
protesta
(Foto nga lart nga protesta)

Ora 13:19 Policia e Shtetit: Protesta u zhvillua paqësisht
Protesta e sotme u zhvillua paqësisht. Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë kontrolleve të paralajmëruara në akset kombëtare si dhe për bashkëpunimin e treguar prej tyre.

Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Ora 13:00 Vasili: Meta e priti Berishën por nuk erdhi, s'ka ku flet veç se në Kuvend 
Kreu i Grupit Parlamentar Petrit Vasili në një dalje për mediat tha se qytetarët  i qëndruan larg mitingut të Partisë Demokratike, ndërsa sipas tij pjesë u bënë vetëm punonjësit e ujësjellësit dhe të Bashkisë së kryeqytetit të detyruar për të marrë pjesë.
 
“Duke i bërë thirrje ndërgjegjes së tyre, qytetarët i qëndruan larg këtij mitingu. Ne e mirëkuptojmë edhe me pjesëmarrjen e punonjësve të ujësjellësit, të bashkisë, sepse është e mirëkuptuar për hallin e punës së tyre. Sa i përket doktorit, Meta e priti në Kuvend, edhe në zyrën e tij. Në miting Berishës nuk iu dha mundësia të fliste, dhe me sa duket nuk do t’i jepet. E vemtja mundësi është që Berisha të flasë për politikën që ai kupton, kur të ja japë Meta në sallën e Kuvendit.” tha Vasili

Ora 12.40 Balla: Basha mos të harrojë që ka tre cështje të hapura me drejtësinë. Të përgjigjet për to!
Ndërsa lideri i opozitës kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta dhe përballjen me drejtësinë për akuzat e Doshit se ka urdhëruar vrasjen e dy deputetëve, Taulant Balla nga PS i kujtoi Lulzim Bashës tre çështje për të cilat ai duhet të përgjigjet para organit të akuzës.

Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, tha se Basha ka ende tre cështje të hapura me drejtësinë. E para është ajo kur zoti Basha firmosi paktin detar me Greqinë në cilësinë e ministrit të Jashtëm, së dyti si ministër i Brendshëm, kur sipas Ballës urdhëroi vrasjen e 4 protestuesve në 21 Janar, dhe së  treti për aferën 230 milionë euro për Rrugën e Kombit.

balla

“Sot dëshiroj t’i drejtohem njërit prej kryetarëve, atij pa pushtet në PD Lulzim Basha. Basha ka tre çështje të hapura me drejtësinë për të cilat duhet t’i drejtohet vetë më urgjencë organeve të drejtësisë. Tradhtia kombëtare si Ministër i Jashtëm kur shiti hapësirën detare të vendit tonë. Të dëshmojë për vjedhjen më të madhe në histori si ministër i Transporteve, 230 milionë euro në aferën e rrugës Durrës-Kukës. Për vrasjen e 4 qytetarëve shqiptarë ndaj të cilëve ai si Ministër i Brendshëm urdhëroi të qëllohet në mes të bulevardit, më 21 janar 2011. Dëshmive të Lulit si kryetar Bashkie nuk po i përmend sot se vetë qytetarët janë përgatitur t’ia japin një përgjigje të fortë më 21 qershor. Basha është fshehur me udhëtime jashtë shtetit me raporte shëndetësore po shqiptarët nuk kanë harruar asnjë prej këtyre dëshmive që Basha duhet të përgjigjet. Të mos fshihet më por të dëshmojë. Asnjë shqiptar nuk ja fal as 4 të vrarët as tradhtinë ndaj kombit as 230 milionë eurot”,
 -tha Balla.

Në përfundim, deputeti socialist Taulant Balla falënderoi Policinë e Shtetit, dhe strukturat e tjera ligjvënëse që garantuan mbarëvajtjen e protestës. 




Ora 12:30 Luan Rama: Qytetarët të distancohen nga krimi, nuk jemi peng i banditëve
Sekretari i Përgjithshëm i LSI Luan Rama ka dalë përpara simpatizantëve që po qëndrojnë përpara selisë qendrore të kësaj force politike ku ka falënderuar qytetarët që sipa tij treguan solidaritet dhe u distancuan nga krimi.

Sipas tij, qeveria nuk mund të jetë peng i bandave, por duhet të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian dhe një emancimi mbarë qytetar. Dhe sipas tij qytetarët do ta tregojnë një solidarizim të tillë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

“Qytetarë të Shqipërisë ju falënderoj për solidarizimin njerëzor, si shenjë e emancipimit për të ecur përpara. LSI është e vendosur të ecë përpara për të bërë Shqipërinë Evropiane, pa u trembur nga askush por duke i treguar vendin cilindo që bën pakt me krimin. Shqipëria e vitit 2015 nuk mund të qëndrojë peng i bandave dhe banditëve. Prandaj ky solidaritet shembullor, kjo ndjenjë uniteti mbarë qytetare, të na bëjë të ecim më me vendosmëri përpara. ne kemi një sfidë, Shqipëria evropiane. Dhe që të bëhet e tillë ka nevojë për qytetarë të tillë që të distancohen nga krimi, në përputhje me ligjin dhe standardin e një shteti ligjor. LSI dhe Shqipëria janë një. Shqipëria dhe Evropa janë një prandaj forcën vendosmërinë ta demonstrojmë çdo ditë duke punuar për Shqipërinë. Forcën ta demonstrojmë në zgjedhjet e ardhshme duke iu përgjigjur të gjithë atyre që janë kundër integrimit të vendit në BE. përpara për fitoren e radhës sepse nuk është faji ynë që të tjerët tremben nga rritja e LSI, solidariteti i LSI.” tha Luan Rama



Ora 12:20 Simpatizantët e LSI qëndrojnë para selisë qendrore
Edhe pse simpatizantët dhe përkrahësit e Partisë Demokratike janë shpërndarë qetësisht nga protesta e organizuar përpara kryeministrisë, nga ana tjetër janë përkrahësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët vijojnë të qëndrojnë përpara selisë qendrore të kësaj force politike. Qindra simpatizantë vijojnë të qëndrojnë tek selia qendrore e LSI në përkrahje të liderit të tyre Ilir Meta nën thirrjet “Me ty, me ty, Ilir Meta!”

Ora 11.45 Basha: Meta ik e përballu me drejtësinë, Rama të ndalë presionin ndaj Prokurorisë
Basha i kërkoi kreut të Kuvendit Ilir Meta të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë për akuzat që Doshi i ka bërë si urdhërues i vrasjes së tij dhe të deputetit të PD-së Mhill Fufi. Nga ana tjetër, Basha tha se kryeministri Rama duhet të ndalë presionin që sipas tij po ushtron ndaj organit të akuzës.  “Ta çojë ministrin e tij të brendshëm për ndjekje penale për mbajtjen të fshehtë të këtij krimit”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin nga pushteti të Ramës dhe Metës.

“Na del se Kryetari i Kuvendit është në akuzë për vrasjen e dy deputetëve, dhe kjo akuzë i vjen nga ortaku i bizneseve dhe aferave. Për 6 muajt Rama dhe Meta e mbajtën të fshehtë krimin. Në zyrën e ministrit të Brendshëm është bërë pazar për jetën e dy deputetëve. Jemi të tronditur nga kjo ngjarje më e rënda në 25 vite, sepse ata nuk u morën vesh për ndarjen e tenderave, bizneseve të pista, shpërndarjes së privilegjeve. Ujërat e qelbura dolën në shesh dhe qelbën këdo. I kërkojmë sot ilir Metës me një zë, ik jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat si porositës i vrasjes së dy deputetëve. I kërkoj Edi Ramës ndal trysninë ndaj organit të akuzës. Deklarojmë mbështetjen tonë të plotë ndaj prokurorisë, kërkojmë prej tyre zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë. Jemi gati, jemi në këmbë, të gatshëm t’i dalim zot me çdo mjet demokratik vendit tonë, fateve tona, të fëmijëve tanë.  Do të qëndrojmë të mbledhur dhe të bashkuar deri në fitore, nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë bulevard të mbushur si asnjëherë më parë. Përballë do të na keni derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet. Nuk ndalemi derisa ta shporrim të keqen, derisa Edi Rama dhe Ilir Meta të largohen”, përfundoi kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. 




Ora 11.33 Basha: Rama-Meta dëgjoni bashkimin e shqiptarëve, ikni!
Rama dhe Meta duhet të dëgjojnë zërin e shqiptarëve të bashkuar dhe të largohen nga pushteti. Kjo ishte thirrja që lideri i opozitës Lulzim Basha i bëri vazhdimisht dy aleatëve në qeverisje. Pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në protestë, sipas Bashës bëri që seanca e kësaj të enjteje e Kuvendit të mbyllej në vetëm 15 minuta. Sipas kryedemokratit, kjo do të thotë se qytetarët larguan nga detyra kryetarin e Kuvendit.

“Të gjithë e panë se pamja e këtij sheshi mbylli parlamentin dhe pushoi Ilir Metën nga detyra e kryetarit të Kuvendit. E panë bashkimin e shqiptarëve. Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve “Rama Ik, meta ik”! Jemi mbledhur sot më të bashkuar se kurrë se në jetën e 135do shqiptari, në ëndrrat që kemi, dëshirat tona për të pasur punë, dinjitet, dikush ka ndërhyrë brutalisht, qeveria Edi Rama dhe Ilir Meta që kanë përmbysur gjithçka. Njerëz të braktisur nga qeveria, mjerim, ndërsa oligarkët po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisë ka vjedhje. Zyrat e qeverisë janë kthyer në portat e ferrit të zhvatjes së qytetarëve, sipas modelit të dyshes Rama-Meta. Njerëzit po luten të shpëtojnë kokën që tritoli mos të shpërthejë, që fëmijët të kthen shëndoshë në Shqipëri. Nuk ka krim më të madh se mos të garantosh siguri. Nuk mund të ketë rend dhe siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Bandat e Ilirit, të Edit, apo të Saimirit i kanë dorë të lirë dhe janë bërë të paprekshëm. Trafikantë droge dhe krerë bandash kana kapur zyrat publike dhe kanë arritur deri në Kuvend”, tha Basha. 

 
basha
(Basha gjate fjalimit qe mbajti ne protesten perballe kryeministrise. Foto A. Cakshiri/Shqiptarja.com)

protesta
(Foto nga lart nga protesta)

Ora 11.30 Paloka: Ti themi Ramës zhduku, ne nuk ju duam
“Sot dyshja e krimit mbylli parlamentit sepse nuk guxoi më të rrijë atje. Jemi sot më shumë se kurrë për ti treguar atyre që nuk mund të vazhdojnë me kriminelë. Të flejnë natën me kriminelë dhe paradite të futin në burg qytetarët e pafajshëm. Ti themi Ramës zhduku sepse kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më. Ikni një orë e më parë se ne nuk ju duam. Jemi sot për të filluar protestën tonë dhe për ta cuar deri në fund derisa këta të zhduken. Nesër e gjithë Shqipëria do ti cojë aty ku ata e meritojnë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka.

paloka


Ora 11:30 Ristani: Qytetarët në protestë kundër pushtetarëve kriminelë
Në fjalën e tij në foltoren e protestës së Partisë Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani u shpreh se qytetarët nuk mund të lejojnë që të keqqeverisjen, me pushtetarë kriminelë që e kanë mendjen vetëm tek xhepi i tyre.

Sipas Ristanit, populli po shkon në varfëri, ndërsa Rama urdhëron burgosjen e qytetarëve që nuk paguajnë energjinë, e ndërsa Meta vrasjen e deputetëve të Kuvendit.

“Të dashur qytetarë, jemi mbledhur sot kaq të shumtë në numër, kaq të vendosur dhe të indinjuar, sepse kemi nevojë të protestojmë, të na dëgjojnë, të na respektojnë, sepse na takon edhe e meritojmë një jetë më të mirë. Para pak më shumë se gjysmë viti, zgjodhëm pushtetarët tanë, që na premtuan mirëqënie, rend dhe siguri, se do na qajnë hallin. Të dashur qytetarë, pushtetarët tanë janë sot një grup oligarkësh e kriminelësh, ndërsa populli zhytet ccdo ditë në krim dhe varfëri. Është shtrenjtuar jeta, punë nuk ka. Nuk na shërbejnë më mirë në administratë, përkundrazi na dhunojnë. Është bërë e frikshme jeta me shpërthime me tritol dhe me vrasje. Por Rama dhe Meta nuk e vrasin mendjen, e kanë mendjen si të shtojnë pushtetin e tyre, ndërkohë që Rama urdhëron burg për qytetarët që nuk paguajnë dritat. Meta urdhëron vrasjen e deputetëve. Të dashur shqiptarë, të protestojmë sot fuqishëm, t’i tregojmë bandës së mafiozëve sa të vegjël janë. T’i tregojmë se banda nuk mund të na drejtojnë. E ardhmja është e jona, dhe jo e banditëve. Rroftë PD. RroftëShqipëria e burrave të ndershëm.” tha Ristani
 
protesta
protesta

(Kreu i PD, Basha dhe Sali Berisha mes protestusve duke iu drejtuar podiumit. Foto A. Cakshiri/Shqiptarja.com)

Ora 11.10 Basha lë selinë blu, i bashkohet marshimit
Lideri demokrat Lulzim Basha ka lënë selinë e Partisë Demokratike për t’iu bashkuar marshimit të protestuesve.

Ora 11.00 Nis marshimi i protestuesve drejt Kuvendit  FOTO
Në orën 11.00 ka nisur tubimi i protestuesve nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të Kuvendit dhe Kryeministrisë, aty ku lideri demokrat Basha do të mbajë fjalimin.

protesta
protestuesit

Ora 10.45 Policia: Të armatosur me armë e tritol të infiltruar në turmë 
Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar tha se ka marrë informacione që në protestën e opozitës mund të ketë persona me armë zjarri apo me lëndë eksplozive të cilët mund të infiltrohen brenda turmës. 

protesta

(Kordoni i policeve femra dhe mbeshtetesve te PD qe ndante protestuesit nga kryeministria. Foto A. Cakshiri/Shqiptarja.com)

Njoftimi i Policise se Shtetit
Policia e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e rendit e sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Përmes këtyre masave synohet parandalimi i çdo paligjshmërie dhe garantimi i plotë i të drejtës për të protestuar paqësisht.

Në kuadër të këtyre masave, si dhe në vlerësim të informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sikurse është bërë me dijen gjatë ditës së djeshme, strukturat policore po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore, me qëllim identifikimin e kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë protestës.

Ndërkohë që prej orës 09:30 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në akset e bëra publike më parë.

Sqarojmë edhe një herë opinionin publik se nga strukturat e policisë së Shtetit nuk ka asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë drejt Tiranës.

Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në këtë tubim dhe organizatorët që të tregojnë kujdes, për shkak të informacioneve që disponon policia për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës.

Policia e Shtetit, është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi.    


Ora 10.15 Edhe në Parlament Forca Speciale
te kuvendi

Ora 09.50  Paloka: Të lirojnë pritat ndaj qytetarëve, përndryshe i paralajmëroj: Përgjegjësia do jetë e tyre!
Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka ndërsa i drejtohej seancës plenare të kësaj të enjteje mbajti një prononcim për mediat ku dha një mesazh të fortë për atë se cka mund të ndodhë gjatë protestës së opozitës për dorëheqjen e Metës. Ai i bëri thirrje mazhorancës që të lejojë kalimin normal të protestuesve nga rrethet në Tiranë pa kontrolle nga policia, në të kundër tha ai, të gjithë përgjegjësinë do ta mbajë qeveria.
“Të lirojnë pritat që u kanë bërë qytetarëve që duan të protestojnë qetësisht. Të mos i provokojnë duke ngritur prita, të mos provojnë me vullnetarët e Enverit sepse përndryshe të gjithë përgjegjësinë do ta mbajnë vetë. Ata kanë ardhur të protestojnë qetësisht, të mos provokojnë, i paralajmëroj edhe njëherë, gjithçka pastaj do të jenë në përgjegjësinë e tyre. Të gjithë i dinë për skenarët e Metës me Ramën, po provokuan do jenë ata përgjegjësit kryesorë. Largoni vullnetarët e Enverit nëse nuk doni që të ikni sot nga qeveria”, -tha Paloka.

I pyetur nga Joniada Koçi nëse demokratët kanë siguri për mbarëvajtjen e protestës pa incidente dhe nëse i druhen apo jo një 21 janari të dytë, Paloka tha:

“Nuk duam të përsëritet një 21 janar, ai nuk ishte një rastësi, ishte një grup njerëzisht i vënë në urdhrat e Ramës. U qëllua Policia e Shtetit nga banditët e Edi Ramës, ne nuk duam asnjë përplasje. E kemi treguar dhe jemi vetëm për protesta paqësore derisa kjo qeveri të largohet”. 




Ora 09.30 Policia në gatishmëri, qindra forca para kuvendit e kryeministrisë
Policia është në gatishmëri të plotë për të garantuar zhvillimin pa incidente të protestës së opozitës. 

policia
policia
policia

Ora 09.20 Mblidhen simpatizantët e LSI: Poshtë aleanca Doshi-Berisha  FOTO
Qindra qytetarë janë mbledhur në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burime për A1 Report thanë se simpatizantët e kësaj force politike të cilët kanë dalë në mbështetje të kryetarit Meta do të bllokojnë sheshin “Ëilson”. Po ashtu mësohet se parrulla e tyre do të jetë: Poshtë aleanca Doshi-Berisha.
 
lsi

militantet e lsi

Ora 08.15
Nga Shkodra dhe Berati nisen simpatizantë të LSI-së në mbështetje të Metës

Por nga qyteti i Shkodrës dhe Beratit, vec militantëve të Partisë Demokratike, janë nisur edhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Ora 08.10 Korçë, nisen 9 autobusë me protestues
Edhe qytetarët e Korcës janë nisur herët në mëngjes me autobusë të siguruar nga Partia Demokratike për t’iu bashkuar protestës. A1 Report mëson se janë rreth 9 autobusë me militantë demokratë që janë nisur drejt Tiranës.
 
 Ora 08.35 Vlorë, nisen 5 autobusë dhe 5 furgonë
Nga qyteti i Vlorës janë mijëra militantë të cilët janë nisur për t’iu bashkuar protestës në Tiranë. 5 autobusë dhe 5 furgona janë nisur nga xhamia në qendër të qytetit bergdetar dhe nga komunat përreth. Policia kryen kontrolle në hyrje të autostradës për cdo automjet personal dhe autobusët e ofruar nga PD për protestuesit.




Ora 08.30 Lezhë, nisen rreth 1500 militantë drejt Tiranës

Ora 07.55 Shkodër, niset autobusët me militantë, postblloqe në Kryebushat
Autobusët me militantë demokratë janë nisur edhe nga qyteti i Shkodrës për t’iu bashkuar protestës në Tiranë. Disa prej qytetarëve janë nisur edhe me makinat e tyre personale, ndërsa postblloqe policie janë vendosur në Kryebushat për të shmangur kalimin e personave me mjete që mund të përbëjnë kërcënim për zhvillimin paqësor të protestës.



Ora 07.50 Kukës, nisen me autobusë rreth 1 mijë militantë të PD. Rexhmati: Protestë paqësore
Rreth 1 mijë persona janë nisur nga qyteti i Kukësit për t’iu bashkuar protestës së Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së Arif Rexhmati tha se protesta është kundër varfërisë, rritjes së cmimit të energjisë dhe faturave afrofe. Po ashtu, sipas tij, protesta bëhet edhe kundër dhunës policore, vrasjeve të porositura dhe keqqeverisjes sipas tyre të koalicionit Rama-Meta. Ai theksoi se protesta do të jetë paqësore. 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ I vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste nga protestuesit e PD! Policia i shpëndan me gaz lotsjellës! Pamjet me dron të Report Tv

VIDEO/ I vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste nga protestuesit e PD! Policia i shpëndan me gaz lotsjellës! Pamjet me dron të Report Tv