Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka theksuar se korrupsioni ka dëmtuar zhvillimin e Shqipërisë, duke shkatërruar besimin e qytetarëve dhe duke larguar të rinjtë nga vendi. Ai shkruan se shqiptarët kanë humbur mbi 10 miliardë euro për shkak të korrupsionit masiv në qeverisje.
Basha shprehet se Demokratët Euroatlantikë kanë një plan konkret për të luftuar korrupsionin, përfshirë krijimin e Njësisë së Zbulimit të Pasurive të Vjedhura. Sipas tij themelimi i Gjykatës së Kontrollit të Shtetit, rishikimin e kontratave korruptive dhe heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë.
Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit do të sjellë më shumë investime, punësim dhe shërbime cilësore për qytetarët.
“Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë!” përfundoi Basha.
Postimi i plotë i Bashës:
9 Dhjetor - Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit
Korrupsioni është një nga plagët më të mëdha që ka dëmtuar zhvillimin e Shqipërisë, ka shkatërruar besimin e qytetarëve te institucionet dhe ka larguar nga vendi më të mirët e brezit të ri. Shqiptarët kanë humbur mbi 10 miliardë euro për shkak të korrupsionit masiv, të shpërndarë në çdo hallkë të qeverisjes.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një luftë të vërtetë kundër korrupsionit, një angazhim të sinqertë për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të ndershëm.
Programi i Demokratëve Euroatlantikë sjell një qasje të qartë dhe konkrete për të luftuar korrupsionin dhe për të garantuar mirëqeverisjen që shqiptarët meritojnë:
Themelojmë Njësinë e Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, për të gjurmuar dhe kthyer në arkën publike çdo pasuri të grabitur nga shqiptarët;
Krijojmë Gjykatën e Kontrollit të Shtetit, duke i dhënë Kontrollit të Lartë të Shtetit fuqi ekzekutive për të zbatuar menjëherë vendimet dhe për të ndalur shpërdorimin e fondeve publike;
Ndryshime ligjore në Ligjin “Anti-Mafia”për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë;
Verifikimi i kontratave koncesionare, PPP-ve, Prokurimeve Publike dhe anullimi i çdo kontratë korruptive;
Konfiskimi i pasurive të zyrtarëve publik të përfshirë në këto akte dhe PPP abuzive;
Rishikimi i kuadrit ligjor për pjesëmarrjen e operatorëve off-shore në tendera dhe koncesione;
Çdo kontratë abuzive do të jetë subjekt i ligjit Anti-Mafia;
Heqim imunitetin e deputetëve dhe çdo zyrtari të lartë, duke i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të pandikuar nga SPAK për çdo akt korrupsioni;
Zbatojmë Vetting-un për politikanët, për të pastruar politikën nga individët që kanë abuzuar me pushtetin e tyre;
Forcojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin me SPAK dhe GJKKO, duke garantuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin;
Rishikim i Kodit Penal për ashpërsim të masave për të gjitha veprat e korrupsionit aktiv dhe pasiv.
Duke luftuar korrupsionin ne mundësojmë më shume investime, më shumë punësim, më shumë mirëqenie, më shumë shërbime cilësore për qytetarët tanë.
Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë!