Basha: PD dhe unë angazhohemi të mbajmë duart larg nga sistemi i ri i drejtësisë, brenda vitit përvijojmë horizontin e një kushtetute të re

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqërisë civile, kryetari i PD, Lulzim Basha foli edhe për angazhimin e tij për të ndërtuar një shtet në 5 shtyllat e demokracisë, sipas tij të shkëputur nga krimi dhe që garanton zbatimin e ligjit e Kushtetutës.

“Këto janë 5 shtyllat e demokracisë: Një parlament i cili përfaqëson interesin e qytetarëve, i pastër nga krimi, i shkëputur nga lidhjet kriminale, që e mban qeverinë përgjegjëse dhe nuk është manar i qeverisë, një drejtësi e pavarur e cila garanton zbatimin e ligjit, media e pavarur që bën transparencën, një opinion publik i shëndoshë aktiv. Hapat e menjëhershëm besoj jua shpjegova. Megjithatë nuk është momenti tani por shumë shpejt, shumë shpejt, brenda këtij viti do t’iu përvijojmë shqiptarëve horizontin e një kushtetute të re.

Horizontin e një kushtetute të re e cila të japë zgjidhje afatgjata për mos përqendrimin e pushtetit, për ndarjen dhe balancimin e pushtetit, për trios politika, për pavarësinë e institucioneve të pavarura, për fuqizimin e institucioneve dhe dobësimin e influencës në kuptimin malinj të fjalës politike mbi institucionin. Pa diskutim që do të jetë një ushtrim kombëtar i cili duhet të na përfshijë të gjithëve, kundërshtarin politik nesër në opozitë, shoqërinë civile dhe gjithë ekspertizën e domosdoshme kombëtare dhe ndërkombëtare për ti dhënë shqiptarëve një tjetër kornizë të lojës kushtetuese ku mos ketë më xhepa për autoritarizëm, për abuzivizëm apo për t’i dhënë goditje pothuajse vdekjeprurëse kolonave kryesore të kontrollit dhe të balancës së pushteteve”, - deklaroi Basha.

Basha preku edhe plagën më të madhe të Shqipërisë këto kohë, emigracionin masiv sidomos atë të të rinjve. Për të frenuar këtë eksod, Basha tha se duhet thithur investimet e krijimi i vendeve të punës që të rinjtë të punojnë këtu e jo të ikin jashtë.

“Për çdo të ri që largohet nga Serbia, largohen 12 të rinj nga Shqipëria. Po ju citoj drejtpërdrejt atë që më thanë në Berlin: 3 miliardë euro investime kemi në Maqedoninë e Veriut, 300 milionë në Shqipëri. Ka nevojë për shpjegim?! “Nuk ka nevojë zoti kryetar i opozitës”.

Më shpjegoni se çfarë po shkon keq me vendin tuaj, se ne jemi Ministria Gjermane e Ekonomisë  dhe ne na mjaftojnë këto dy shifra për të kuptuar se ku jeni ju. 3 miliardë euro  investime në Maqedoninë e Veriut, 300 milionë në Shqipëri. 10 herë më pak! Bëhet fjalë për linja prodhimi, për fabrika, bëhet fjalë për transfertë teknologjike, bëhet fjalë për trajnim të krahut të punës, trajnim të kualifikuar, arsim profesional dual.

Ka një përgjegjës dhe ndreqja e problemit fillon me largimin e këtij përgjegjësi me 25 prill dhe rikthimin e besimit tek politika dhe tek institucionet, se nuk ka instrument tjetër për të shëndoshur shoqërinë. 2 janë prioritetet që unë kam parashtruar me Berlinin zyrtar. Prioriteti i parë është zbatimi në kushtet e Shqipërisë i modelit të trajnimit masiv të rinisë shqiptare përmes edukimit dual. Nevoja për programues në Gjermani është mbi 80 % e 500 mijë programuesve që kërkon gjithë Europa. Interesi i korporatave të tyre, po marr një fushë vetëm, për të zhvendosur një pjesë të programimit në Europën juglindore ka çuar që vetëm në Serbi nga 40 mijë të punësuar të para dy viteve, 21 mijë të jenë në këtë sektor. E dyta që kam kërkuar është ndihmë në investimet private por edhe në bashkëpunimet me investimet publike që i takojnë Shqipërisë për sa i përket infrastrukturës fizike për këtë. Deri më sot ka ndodhur e kundërta. Porti i Hamburgut që është pikë referenciale botërore është përzënë nga porti i Durrësit. Porti i Hamburgut apo i Roterdamit duhet të ishin partnerët natyral të portit të Durrësit. Këto janë dy prioritetet kryesore, infrastruktura ta përmbledh me dy fjalë dhe arsimimi dual”, u shpreh Basha.


Lajmi kryesor:

Basha: PD dhe unë do mbajmë duart larg sistemit të drejtësisë, pas 25 prillit përvijojmë horizontin e një kushtetute të re brenda vitit


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë