Deputetja e PD, Albana Vokshi ka fajësuar Lulzim Bashën për përçarjen brenda Partisë Demokratike, ndërsa tani kur po bëhen sipas saj përpjekjet për bashkim ai është larguar.
E ftuar në studion e Report Tv, deputetja tha se Lulzim Basha si kryetar “i nxori mallin” e partisë komuniste, duke e paralelizuar me Enver Hoxhën për mënyrën sesi merrte vendimet brenda Partisë Demokratike.
“Dje ishte mbledhja e parë, doja që edhe Basha të ishte. Ai ka ikur, por ishte shkaktuar me kohë. Basha po vazhdon përçarjen. Dje nuk ishte dita për të folur për 9 shtatorin, ka shumë probleme për të diskutuar, si inceneratorët. Vendimi i 9 shtatorit, ishte i Bashës. Basha kishte si mision të përçante PD, gjithçka që ka bërë ai kishte qëllim këtë. 9 shtatori nuk ka vendim, është vetëm Basha. Ai e përçau partinë dhe iku... Basha na nxori mallin e partisë së Enrver Hoxhës që përjashtoheshin njerëzit nga partia.”, tha ajo.
E ftuar në “Pa Protokoll” me gazetaren Anduela Ndreu, ai theksoi faktin se PD ka për qëllim bashkimin, duke mos përjashtuar askënd, madje edhe Lulzim Bashën.
“A ka mundësi Sali Berisha të jetë në krye të PD, pavarëissht se është shpallur non grata”? Kjo ishte një nga pyetjet të cilat iu drejtuan deputetes demokrate, e cila tha se gjithçka do të vendos sovrani me votën. Ajo shtoi se statuti nuk e ndalon kandidimin e Sali Berishës dhe për rrjedhojë nëse do të votohet, sipas saj do të mund të jetë në krye të PD.
Sipas saj Sali Berisha nëse do të zgjidhet kryetar i PD do të ketë mundësinë me koalicionet e duhura të fitojë.
“PD do vazhdojë marrëdhëniet e sinqerta me SHBA si në opozitë ashtu edhe në qeveri. Do të bashkëpunojmë me të gjithë deputetet, edhe Bashën. Berisha mund të bëjë koalicionet e duhura dhe të sjell PD në pushtet më të fortë.”, u shpreh ajo.
Askush nuk e mohon faktin se PD po përjeton një krizë, por për kryeredaktorin e Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi kjo është një situatë pozitive, pasi është një proces i shëndetshëm.
“E shoh pozitive gjithë këtë. Në PD ka diversitet mendimesh, qëndrimesh dhe kjo s’ka asgjë të keqe. Është një proces i shëndetshëm për një parti demokratike. Ca është ajo parti që nuk bën zgjedhje? Ky është ndryshimi mes dy forcave kryesore në vend. PD është në një proces ngritjeje të pandalshme.”, tha ai.
I ftuar në studion e Report Tv ishte edhe gazetari Mili Xhani, i cili tha se PD nuk fitoi as e përçarë dhe as e bashkuar.
“Bashkimi është vetëm një element. PD ishte e bashkuar dhe sërish nuk fitoi! Po humbasin kohë duke bërë të njëjtat debate, akoma mbetet tek 9 shtatori.”, tha ai.
Sipas gazetare Fatjona Mejdini e cila ishte e ftuar në “Pa Protokoll” përçarja e PD nisi kur Berisha u shpallë non grata.
“Gjithçka nisi kur Berisha u shpall non grata, aty filloi përçarja në PD. të gjithë prisnin që Berisha të ikte nga PD, në mënyrë që barra mos t’i binte PD. Berisha jo vetëm që nuk e bëri këtë, por edhe kërkoi ta mbështesnin demokratët. Votuesit nuk kanë dashur të kenë në partinë që votojnë një njeri non grata.”, tha gazetarja.