TIRANE, 17 Qershor /ATSH/- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, priti të mërkurën homologen polake, Malgorzata Omilanowska, bëri të ditur në një njoftim për median zyra e shtypit pranë kësaj ministrie.
Në takim u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e artit, trashëgimisë kulturore, edukimit nëpërmjet kulturës e librit.
Ministrja e Kulturës dhe Trashëgimisë së Polonisë u shpreh e gatshme për të ndihmuar me asistencë teknike, shkëmbim përvoje nëpërmjet vizitave të ndërsjellta të stafeve të specialistëve të fushave të ndryshme, bashkëpunim në projekte të përbashkëta të Komunitetit Evropian, shkëmbim përvoje dhe takime të ndërsjellta të artistëve dhe shkrimtarëve të dy vendeve, mbështetjen e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën polake dhe anasjelltas, etj.
Ministrja Omilanowska u shpreh entuziaste për nismën e edukimit nëpërmjet kulturës, duke shtuar se kultura tashmë nuk duhet kuptuar si një vlerë jashtë ekonomisë së tregut, por si baza dhe motori i saj.
Ministrja Kumbaro e vuri theksin në hartimin e një politike konkrete bashkëpunimi që do të jetë në interes të ndërsjelltë të dy vendeve.
Në diskutimin rreth integrimit të Shqipërisë në Komunitetin Evropian dhe ndihmesës që mund të ofrojë një vend si Polonia në këtë proçes, ministrja Kumbaro solli në vëmendje përcaktimin e një prej figurave më të njohura të politikës dhe kulturës polake, kryeministrit të parë të post-diktaturës, Tadeusz Mazowieck-i, sipas të cilit, "Kultura edhe pse mbetet e fundit në vëmendjen e qeverive, është ajo që i paraprin integrimit të vendeve të Europës".
Në vazhdim të vizitës së saj në Republikën e Shqipërisë, Omilanowska dhe Ministrja Kumbaro morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së bazorelievit në nderim të kryeministrit të parë polak, jokomunist, Tadeusz Mazowiecki, vepër e skulptorit Mumtaz Dhrami.
Ceremonia, e cila nderon politikanin e shquar polak, mikun e popullit shqiptar, kryeministrin e parë jokomunist në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, u zhvillua në prani edhe Ambasadorit të Republikës së Polonisë në Tiranë, Marek Jeziorski, personaliteteve të artit, kulturës dhe letrave, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, etj. e,xh/ /a.ke/