
Qendra Historike e Beratit - Pasuri Botërore e UNESCO-s
Përgatitet Plani i Menaxhimit të Qendrës Historike të Beratit.
Përgatitja e Planit të Menaxhimit është e nevojshme sipas nenit 5 të Konventës së Trashëgimisë Botërore, me qëllim "Miratimin e një politikë të përgjithshme e cila ka për qëllim t’i japë trashëgimisë kulturore dhe natyrore një funksion në jetën e komunitetit”.
Plani i Menaxhimit i Qendrës Historike, është një rishikim i Planit të përgatitur në vitin 2007 për nominimin e Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Rishikimi i Planit është bërë me qëllim për të përfshirë më mirë grupet e interesit në përgjigje të zhvillimeve dhe sfidave me të cilat Qendra Historike dhe Zona e Mbrojtur përballen, duke dhënë rekomandime për çështjet aktuale të menaxhimit që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe rijetëzimin e Qendrës Historike, pas pothuajse gjashtë vjetësh nga përfshirja në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Rishikimi i Planit bëhet në kuadër të Projektit SUSTCULT (''Arritje e qëndrueshmërisë nëpërmjet një qasje të integruar për menaxhimin e trashëgimisë kulturore''), financuar nga Bashkimi Evropian, programi për Evropën Juglindore, ku Partnerë në Projekt janë disa site të Unesco-s në Evropën Juglindore: Venecia, Korfuz, Bakau, Ohri, Vipava Valley, Hurezi, Berat.
Procesi i përgatitjes së Planit u parapri nga aktivitetet e tjera SUSTUCULT:
Ngritja e 7 rrjeteve lokale dhe një rrjeti ndërkombëtar të Evropës Juglindore në fushën e menaxhimit të trashëgimisë kulturore, -rrjeti lokal SUSTCULT i themeluar në Berat dhe i përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve publike, OJQ-të , biznesit dhe shoqërisë civile ishte një grup mbështetës për koordinimin e aktiviteteve SUSTCULT dhe sidomos për përgatitjen e Planit. Rrjeti ndërkombëtar i Evropës Juglindore ishte një bashkëpunim i frytshëm, i cili ndihmoi punën e ekipit SUSTCULT të Beratit përmes përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Përgatitjes së Planit, i parapriu edhe rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore të përfshira në menaxhimin e Qendrës Historike të Beratit. Kështu, dymbëdhjetë përfaqësues të autoriteteve menaxhuese të Beratit ndoqën kurset online të trajnimeve të drejtuara nga ekspertë të Unesco-s si dhe një trajnim në Sit mbi çështje të menaxhimit të trashëgimisë kulturore.
Përgatitja e Platformës WEBGIS për Zonën e Mbrojtur dhe Qendrën Historike të Beratit, shërbeu si bazë e mirë e të dhënave për përgatitjen e Planit, i cili është i mbushur me informacion të përditësuar mbi trashëgiminë kulturore, turizmin, kulturën etj.
Strategjia e marketingut dhe plani i biznesit për disa zona turistike në Berat, do të ndjekë objektivat e përgatitura nga Plani, për revitalizimin dhe stimulimin e vendeve të punës përmes zhvillimit të turizmit.
Plani është përgatitur nga Bashkia e Beratit dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat në bashkëpunim të ngushtë me partnerët SUSTCULT dhe nën asistencën e Zyrës së UNESCO-s në Venecia ( partner vëzhgues në Projekt).
Specifikat e qytetit antik të Beratit
Qyteti i Beratit përmban thesare të dokumentave historike dhe arkitekturore, provë e një bashkëjetese paqësore dhe të integruar për rreth 6 shekujsh ndërmjet komunitetit Kristian dhe atij Mysliman.
Historia e gjatë e qytetit është në fakt një histori e takimeve ndërmjet qytetërimeve të ndryshme. Ky realitet multi kulturor është një nga themelet bazë të Trashëgimisë Kulturore të këtij qyteti.
Sfidat e qytetit konsistojnë në ruajtjen e situatës aktuale duke bërë të mundur jetesën e njerëzve në Berat brenda kësaj zone historike, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe zhvilluar situatën ekonomike pa ndryshuar ansamblin urban historik, trashëgiminë arkitekturore dhe zbukurimet e brendshme të ndërtesave të vjetra.
Megjithëse është një Muze i bukur Etnografik në qytet, nuk është e domosdoshme të vizitohet ai për të gjetur jetën tradicionale të njerëzve në Berat gjatë shekullit të 18- 19 dhe më parë. Duke vizituar disa nga ndërtesat e panumërta, të mbetura të paprekura gjatë historisë dhe të konsideruara si pjesë e krenarisë së qytetarëve, është e mjaftueshme për të patur një pamje të qartë të jetesës dhe traditave të Beratit të shek. 19 .
Zona e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore ka tre lagje historike të mbetura thuajse të paprekura: Kala, Mangalemi dhe Gorica.
Kalaja
Kalaja është pjesa më e vjetër e qytetit. Është e vendosur në majë të një kodre mbi lumin Osum e fortifikuar me mure. Brenda zonës së Kalasë ndodhen kisha të bukura Bizantine me afreske në pjesët e tyre të brendshme, ndër të cilat mund të përmendim Katedralen e Shën Marias dhe Muzeun Ikonografik.
Janë gjithashtu edhe rrënojat e Xhamisë së Kuqe, shumë ndërtesa – disa prej të cilave janë shembuj të bukur arkitekturorë dhe akoma ruajnë dekorimet e brendshme origjinale dhe pajisjet, një cisternë e madhe Bizantine si dhe ndërtesa të tjera të përdorura për shërbime dhe mbrojtjen e kështjellës.
Lagjia Mangalem
Lagjia Mangalem është e vendosur në bazën e një kodre shkëmbore në anën e djathtë të lumit, poshtë Kalasë. Lagjia akoma është e përbërë në pjesën më të madhe të saj nga ndërtesa origjinale që përmbajnë në brendësi të tyre zbukurime dhe pajisje antike. Rrugë të panumërta të ngushta për këmbësorë përbëjnë rrjetin rrugor të lagjes. Ansambli i banesave i ndërtuar në shpatin shkëmbor të kodrës përbën një nga atraksionet kryesore të Beratit (i quajtur ’’Qyteti i një mbi një dritareve’’ ) për shkak të karakterit special të kësaj lagje.
Lagjia Goricë
Lagjia Goricë është e vendosur në anën e majtë të lumit Osum, në një shpat kodrinor që zbret në mënyrë më të zbutur se sa ai përballë tij. Lagjia e Goricës ashtu si Mangalemi është e përbërë kryesisht nga ndërtesa që janë akoma të banuara dhe rrugët janë për këmbësorë. Gjendja e ruajtjes së lagjes është e ngjashme me atë të Mangalemit, duke përfshirë shumë banesa historike të ruajtura mirë.
Qendra Mesjetare
Qendra Mesjetare e vendosur në kufirin lindor të zonës së mbrojtur, përfshin Xhaminë Mbret, Teqenë e Helvetive dhe dhomat e miqve në Teqenë e Helvetive, të cilat janë të përfshira në zonën e mbrojtur megjithëse ky kompleks është i vendosur jashtë lagjes Mangalem. Rëndësia e kompleksit mesjetar, gjendja e mirë e ruajtjes dhe fakti që është shume mirë e përcaktuar si zonë nga mure rrethuese, kanë rekomanduar përfshirjen e kësaj pjese brenda Qendrës Historike.











