200 famije të fshatit Martinë, në Levan të Fierit prej një muaj e gjysmë furnizohen me ujë të ndotur në çesmat e tyre. Ata pohojnë se shkak është bërë çarja e tubacionit të Ujësjellësit, si pasojë e punimeve që po bën Bashkia e Fierit për pastrimin e kanaleve. Përballë kësaj situate, ata mbushim ujë në autobote, duke e paguar dy herë si faturat e ujësjellësit ashtu dhe ujin e pijshëm.
“Makinat e rënda po punojnë për kanalin vaditës dhe kanë prishur tubat. Na vjen uji i ndotur në çezma. Ne paguajnë faturën e ujësjellësit 22 mijë lek të vjetra dhe 25 mijë lek në muaj shpenzoj për të blerë ujë të pijshëm”, thanë ata.
Ndërkohë përfaqësuesi i ujësjellësit, Astrit Bahaj, i cili është njëherazi edhe pompist i depos së ujit të fshatit Martinë tha se defektet e shkaktuar nga kamionet e bashkisë janë riparuar, por s’ka rezultat. Sipas tij, zgjidhje përfundimtare është vendosja e magjistralit të ri.
“Nga pesha e makinerive të rënda pëlcasin tubat. Ne i kemi riparuar por puna ka shkuar dëm, se prishen sërish. Ne kemi bërë kërkesë për të na sjellë 1500 metër linear tuba për të bërë një linjë të re”, theksoi ai.
Banorët pohojnë se rrjeti ujësjellës i fshatit Martinë është ndërtuar 30 vite më parë nga një firmë hollandeze dhe tashmë është amortizuar plotësisht ndaj kërkojnë që investimi i premtuar nga Ujësjellësi të realizohet sa më parë.