Bashkia e madhe e Tiranës
ndan buxhetin në tre prioritete

Bashkia e madhe e Tiranës<br />ndan buxhetin në tre prioritete
TIRANE- Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë për rishpërndarjen e rreth 1.3 miliardë lekëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka propozuar ndarjen e fondeve për të 11 minibashkitë si dhe për 13 komunat, të cilat tashmë janë pjesë e kryeqytetit. “Në zbatim të ndryshimeve ligjore në riorganizimin administrativo-territorial dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore, territorit të Bashkisë së Tiranës i shtohen 13 ish Komunat: Petrela, Farka, Dajti, Zall  Bastari, Bërzhita, Krraba, Baldushku, Shëngjergji, Vaqarri, Kashari, Peza, Ndroqi,  Zall Herri.

Si rezultat i reformës territoriale bëhet domosdoshmëri bashkimi i buxheteve të këtyre ish-komunave me buxhetin e bashkisë së Tiranës”, thuhet në projektvendimin. Ndërsa prioritetet janë renditur në planifikimin dhe administrimin, arsimin parauniversitar si dhe në menaxhimin e rrugëve si dhe në transport.

“Projekt–Buxheti i paraqitur siguron balancën e nevojshme midis të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe vazhdimësinë e financimit të shpenzimeve administrative e operative, të kontratave të shërbimeve e investimeve si dhe çdo angazhimi tjetër të ndërmarrë nga njësitë vendore që janë shkrirë në territorin e ri të Bashkisë së Tiranës“, thuhet në draft.

Ndërkohë janë saktësuar dhe burimi i fondeve me të cilat do të funksionojë në këto gjashtë muaj bashkia e re e Tiranës. “Sipas të dhënave dhe akt-rakordimeve të marra nga Dega e Thesarit Tiranë, fondet e mbartura nga Komunat dhe Njësitë Bashkiake për vitin 2015 (nga sektori i të ardhurave dhe shpenzimeve) janë në shumën 922,974,211 lekë. Bashkisë së Tiranës, me shkresën nr.11162/2, datë 03.08.2015 të Ministrisë së Financave, i është akorduar  një shtesë në transfertën e pakushtëzuar të vitit 2015, në shumën 92,072,600 lekë”, thuhet në projektvendim.

Po ashtu sqarohet se sipas një parashikimi për të ardhurat e komunave për pjesën e mbetur të vitit 2015, shtesa nga këto të ardhura do të jetë në shumën 275,493,128 lekë. “Fondi i mbartur, shtesa  në transfertën e pakushtëzuar si dhe shtesa nga të ardhurat e komunave, në shumën totale 1,290,539,939 lekë”, deklarohet në draft. Prej kësaj shume për zërin “Shpenzime personeli” do të shkojnë 154,323,000 lekë. Për zërin “Shpenzime operative”, do të jepen 520,763,329 lekë dhe për zërin “Investime” do të akordohen 615,453,610 lekë. 

Ne aparatin e Bashkise Tirane do te punojne 1509 vete
Punonjësit e 11 minibashkive dhe të 13 komunave do të jenë në administratën e Veliajt
 
Në aparatin e Bashkisë së Tiranës do të jenë të punësuar 1509 punonjës. Në projektvendimin që do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të mbahet nesër parashikohet që në stafin që do të drejtojë Erion Veliaj të përfshihen dhe punonjësit që kanë qenë në komunat që janë shkrirë duke iu bashkuar kryeqytetit.

Administrata
“Në zbatim të Ligjit nr. 115/2014 si dhe të vendimit Nr.510 datë 10.06.2015, Bashkisë së Tiranës i shtohen numri i punonjësve të 13 njësive që preken nga riorganizimi administrativo-territorial: Petrela, Farka, Dajti, Zall Bastari, Bërzhita, Krraba, Baldushku, Shëngjergji, Vaqarri, Kashari, Peza, Ndroqi, Zall Herri, me një numër total prej 645 punonjësish.

Në këtë kuadër edhe Njësitë Bashkiake me një numër total prej 354 punonjësish, të cilat funksiononin si institucione më vete brenda Bashkisë së Tiranës, si rezultat i reformës territoriale kthehen në njësi administrative dhe i shtohen aparatit të Bashkisë”, thuhet në projektvendimin që do të diskutohet në mbledhjen e këshillit bashkiak. Ndërsa përcaktohet se në total numri i personelit në Aparatin bashkiak do të shkojë në 1509 vetë.

“Rrjedhimisht, numri total i Aparatit të Bashkisë nga 508 punonjës shkon në 1,509 punonjës”, thuhet në projektvendim. Ndërkohë që së bashku me këtë vendim do të votohen dhe ndryshimet e pagave për çdo kategori punonjësish. Veliaj ka propozuar që Tirana të ndahet në katër zona.

Ku njësitë me 50 mijë deri në 100 mijë banorë do të kenë rrogat më të larta. Më pas janë renditur njësitë me 20 deri në 50 mijë banorë. Në ndarjen e tretë janë vendosur të gjitha komunat e bashkuara me Tiranën, përjashtuar Krrabën dhe Shëngjergjin. Punonjësit në njësinë administrative të Kërrabës dhe të Shëngjergjit do të kenë pagat më të ulëta kjo për shkak dhe të numrit më të vogël të banorëve që kanë këto zona. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria