TIRANË - Bashkia e Tiranës do të bëjë padi penale ndaj Partisë Demokratike për dëmet e konsiderueshme të shkaktuara në kryeministri, bunkerin, Ministrinë e Transporteve dhe objekte të tjera publike gjatë protestës së 8 dhjetorit.
 
Ky fakt pohohet për Shqiptarja.com nga zyra e shtypit pranë Bashkisë së Tiranës. Më herët gjatë ditës së sotme, lideri i opozitës Lulzim Basha ironizoi duke thënë se në vend të gjobës prej 16.3 milionë lekë të reja, do t'i çojë bashkisë "një kastravec 163 milimetra të gjatë".
 
Po ashtu, bashkia thekson se Partisë Demokratike i mbeten vetëm 6 ditë kohë për të paguar gjobën pa kamatëvonesë, ose edhe 29 ditë kohë për të mos shkuar në bllokimin e llogarive të partisë nëse nuk do të paguajnë shumën në fjalë.

“Jo vetëm që duhet të paguajnë gjobën 100 %, por përvec gjobës Bashkia do të bëjë padi për dëmet e shkaktuara në protestë. Si dhe kujtesë për PD, se ka edhe 6 ditë kohë për të paguar gjobën pa kamatëvonesë, ose edhe 29 ditë për bllokimikn e llogarive nëse nuk paguajnë gjobat", - thuhet ne reagimin e Bashkise se Tiranes.
 
Në përfundim, Bashkia e Tiranës i quan të pavërteta pretendimet e Partisë Demokratike se firma e efektivit të policisë bashkiake në shkresën e faturës së gjobës është e falsifikuar. Bëhet fjalë për firmën e Besmir Karajt, punonjësin e bashkisë i cili është djali i kryetarit të Partisë Demokratike në Fushë-Krujë.

Sipas Partisë Demokratike Karaj ka bërë një kallëzim penal në prokurori, ku pretendohet të ketë dëshmuar se ai nuk ka plotësuar asnjë gjobë dhe se gjithçka është bërë pa dijeninë e tij nga kryeinspektori. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)