Bashkia e Tiranës vijon të promovojë aktivitetet sportive për fëmijët. Në hapësirat e Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Special Olympics Albania organizuan “Luajmë në Pazar”, lojëra në grupe gjithëpërfshirëse për fëmijë me dhe pa aftësi të kufizuara, në disiplinat e futbollit, basketbollit, volejbollit, ping-pong dhe atletikë.
Për të përshëndetur të pranishmit, mori pjesë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili nënvizoi se Tirana është qyteti i mundësive.
“Tirana si Kryeqyteti Europian i të Rinjve, nuk është i disa të rinjve, është i të gjithë të rinjve! Nuk është i ca fëmijëve, është i të gjithë fëmijëve! Nuk është vetëm i qendrës, është i të gjithë qytetit! Tirana që unë kam ëndërr, është një Tiranë gjithëpërfshirëse. Prindërit e këtyre fëmijëve kanë sfidën më të madhe, që duhet të kalojnë kohë me ta e t’i sjellin në aktivitete të tilla, prandaj keni gjithë mirënjohjen dhe gjithë respektin tim për punën e mrekullueshme që bëni”, tha ai.
Veliaj theksoi se vitet e fundit Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe shoqëria është bërë më pak diskriminuese. Ai kujtoi edhe një mik të hershëm, Elidonin, djalin rom që, nëntë vite më parë, kur sapo kishte marrë detyrën e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e shoqëroi në spital për të mjekuar këmbën e thyer.
“Ne nuk jemi perfektë sot, por Shqipëria ka ndryshuar këto vitet e fundit. Mbaj mend, në ditën time të parë në ministri, spitalet tona nuk pranonin të kuronin, ose t’i ndërronin plagën, një çuni të vogël rom. Ditën e parë e çova vetë me makinën e ministries dhe asokohe thanë se e bëja vetëm për shou. Ja ku jemi sot, kanë kaluar 9 vjet, nuk guxon njeri të të diskriminojë se dukesh ndryshe, flet ndryshe, sillesh ndryshe. Sot e kemi ngritur piacën. Pyetja është: Jemi atje ku duhet? Unë besoj se ende s’jemi dhe fakti që duam që të bëhet më mirë do të thotë se s’jemi dorëzuar”, shtoi më tej Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se pikërisht falë ndryshimit të qasjes së shtetit ndaj fenomeneve të tilla, tashmë fëmijët me aftësi ndryshe nuk diskriminohen në marrjen e shërbimit në shkolla apo spitale. Në këto aktivitete u aktivizuan rreth 80 fëmijë, duke u edukuar me vlerat e sportit. Gjithashtu, ky event ndihmon në larminë social-kulturore, edukimin, dhe argëtimin dhe përfshirjen si të barabartë në shoqëri të fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale.