Tre leje për instalimin e ashensorëve dhe shtatë leje për sistemin kapot janë miratuar në kuadër të Programit të Fondit të Komunitetit të Bashkisë së Tiranës.

Sipas Bashkisë, me rimarrjen e kompetencave, kryebashkiaku Erion Veliaj ka kërkuar ngritjen e një task-force për kontrollin e materialeve që përdoren në sistemet kapot, me fokus te certifikimi i tyre për rezistencën ndaj zjarrit.

Bashkia bën me dije se pallatet që do të përfitojnë nga Programi i Fondit të Komunitetit kanë si kusht që materialet e përdorura për sistemin kapot të jenë të certifikuara dhe të plotësojnë kriteret e sigurisë ndaj zjarrit.

Programi i Fondit të Komunitetit mbulon 50% të kostos së përcaktuar për ndërhyrje si vendosja e ashensorit, izolimi i tarracës apo instalimi i sistemit kapot. Për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas Bashkisë, mbulohet 100% e kostos.

Bashkia e Tiranës fton banorët e pallateve që kanë nevojë për rinovimin e veshjes së jashtme të godinës, izolimin e tarracës apo instalimin e një ashensori, të aplikojnë në Programin e Fondit të Komunitetit.

Programi i Fondit të Komunitetit është një nismë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur banorët në përmirësimin e kushteve të pallateve dhe hapësirave të përbashkëta.