Alarmin e ka dhënë për mediat kreu i kësaj Gjykatë, Bashkim Dedja, i cili propozon dhe rrugët nga të cilat mund të dilet nga ky kolaps, duke propozuar deri në ndryshim të Kushtetutës apo të ligjit përkatës për institucionin më të madhe gjyqësor në vend. Kështu, që prej nëntorit, ministria e Drejtësisë nën asistencën e EURALUS, ka nisur hartimin e një ligji të ri për Gjykatën Kushtetuese. Vetë gjykata, ka dhënë variantet që mund të aplikohen, por pa u bërë pjesë e procesit. Kreu i saj Dedja thotë për mediat se puna nuk është bllokuar deri tani por pohon se ekzistojnë raste kur për shkak të mungesës së anëtarit të 9, vendimmarrja bëhet e pamundur. “Teorikisht ekziston një moment kur, mund të bllokohet vendimmarrja e kësaj gjykate në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, siç mund të jenë 4 me 4, çështja s’zgjidhet në rendin përfundimtar por refuzohet shqyrtimi i kësaj kërkese e në një moment të dytë, qytetari apo ai që bën kërkesën, ka të drejtë ta riparaqesë kur të krijohet një numër tjetër i gjyqtarëve. Që vendimet të quhen të vlefshme duhet që ta votojnë të paktën 5 gjyqtarë për zgjidhjen e çështjes. Për këtë shkak, s’ka bllokim të veprimtarisë së Kushtetueses, natyrisht që ngarkesa do jetë më e madhe”, tha Dedja. Ndërsa për plotësimin e vendit bosh në këtë gjykatë, Dedja i është drejtuar institucioneve përgjegjëse.
“Unë i jam drejtuar me një shkresë presidentit dhe Kuvendit që të vazhdojnë procedurat për zevendësimin e gjyqtarëve nëse vendi mbetet vakant. U takon atyre për të bërë zevendësimin e këtij gjyqtari”, shprehet kreu i Kushtetueses. Pak javë më parë, Petrit Plloçi dha dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e anëtarit, ndonëse mandati i tij kishte skaduar që prej 2010. Sipas ligjit, ai kishte të drejtë të qëndronte në atë post në pritje të zëvendësimit të tij nga presidenti e Kuvendi. Në të njejtën pozitë që prej 2010, ndodhen dhe Xhezair Zaganjori e Admir Thanza. Dedja thotë që për t’i paraprirë mbetjes së vendeve vakant, me ndryshime në ligj apo Kushtetutë, minimalisht 6 muaj para skadimit të mandatit të një anëtari të Kushtetueses, duhet të jetë zgjedhur pasardhësi i tij. Ky do ishte një variant, që do zgjidhte ngërçin 4 vjeçar me emërimet, sipas kreut të këtij institucioni.
Me një anëtar më pak me 2 të tjerë të cilëve prej 2 vitesh u ka skaduar mandati, por vijojnë të qëndrojnë në detyrë ky variant sipas kryetarit do zgjidhë dhe problemin e rotacionit të 1/3 së përbërjes së Kushtetueses. “Nuk parashikohet në ligj që procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj të fillojnë të paktën 6 muaj përpara se gjyqtarëve që janë në detyrë, tu mbarojë mandati. Me qëllim që në momentin që gjyqtarëve u mbaron mandati, gjyqtari që do ta zëvendësojë të jetë zgjedhur e të zëvendësojë në ditën që atij i mbaron mandati. Kjo do ti priste rrugën dhe zgjatjes së tejskajshme në bazë të mbarimit të mandatit qendrimit në detyrë dhe e dyta do shkonte dhe me problemin e rrotacionit. Kjo duhet shoqëruar me ndryshime ligjore në ligjin organik ndoshta e në Kushtetutë”, shprehet Dedja.
(sg/shqiptarja.com)