Bashkim Shehu: Babai im ishte
edhe viktimë, edhe diktato

Bashkim Shehu: Babai im ishte<br />edhe viktimë, edhe diktato
TIRANE - Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit të diktaturës komuniste Mehmet Shehut, shprehet se “Diktatura është një minierë për letërsinë dhe duhet shkruar për të. Popujt që nuk shkruajnë për të kaluarën janë të detyruar ta rijetojnë atë”.

Në intervistën për “Shqiptarja.com”, shkrimtari rrëfen jetën e tij “të rilindur” mes lumturisë së dy vajzave binjake të ardhura paksa vonë në këtë botë, për shkak të rinisë që e kaloi në burgje.

Cilat janë arsyet që djali i Mehmet Shehut i rikthehet sa herë jetës së burgjeve dhe gjyqeve të diktaturës që i ngriti babai i tij me kryediktatorin Enver Hoxha.

Ai tregon se si është jeta e tyre në Barcelonë dhe marrëdhëniet që ka me lexuesin dhe median në Shqipëri.Cilat janë arsyet që djali i Mehmet Shehut i rikthehet sa herë jetës së burgjeve dhe gjyqeve të diktaturës që i ngriti babai i tij me kryediktatorin Enver Hoxha.

Bashkim Shehu flet pak për të kaluarën e tij, por atë e gjejmë tek reflektimet më të thella që vinë nëpërmjet letërsisë, ku flitet për të kaluarën tonë të përbashkët. Cilat janë arsyet që djali i Mehmet Shehut i rikthehet sa herë jetës së burgjeve dhe gjyqeve të diktaturës që i ngriti babai i tij me kryediktatorin Enver Hoxha. Çfarë trashëgoi ai vetë nga diktatura, përveç dhimbjes tragjike. Si e e gjykon personalitetin e babait të tij në majën e pushtetit diktatorial. Cili është qëllimi që Bashkim Shehu i vendos ngjarjet dhe vuajtjet reale në letërsi herë pas here. A e mohon sot ai që edhe babai i tij është një nga shkaktarët e këtyre vuajtjeve. Shkrimtari Bashkim Sheku, edhe pse me fraza shumë të kursyera shpreh hapur reagimin e tij ndaj opinioneve të rindezuar mediatike për viktimizimin ose krimet e Mehmet Shehut. Si ka mundur t’i jetojë dramës që pasoi viktimizimin e gjithë familjes së tij, pas vetëvrasjes së të atit dhe persekutimit të familjes nga Enver Hoxha. Duke folur për librin e ri me temë diktaturën, Bashkim Shehu na bën kurioz që pjesë të panjohura nga historia e saj t’i zhbirojmë përmes personazheve fiktivë letrarë, ku ai s’e mohon kurrë se vepra ka edhe nota autobiografike, ashtu sikurse nuk e ka mohon faktin se babai i tij ishte edhe viktimë edhe shkaktar i vuajtjeve në diktaturën e Enver Hoxhës.

Dallon qartë një shënim në posterin e promovimit të librit tuaj “i çorientuar në post-diktaturë”. Pse do ta ndiheshit i çorientuar në rastin tuaj?

Nuk është fjala për mua, është për personazhin Aleks Krasta, por konteksti më ka ardhur vetvetiu për arsye psikologjike. Nuk mund të përjashtohen as elementët biografikë që më kanë nxitur këtu, më kuptoni.

Mund të na flisni për veten dhe jetën tuaj në Barcelonë, për fëmijët, familjen?

Po. Kam dy vajza binjake. Ato jetojnë në Barcelonë, kanë lindur atje. Janë 9 vjeç, quhen njëra Johana dhe tjera Edith. Shkojnë në shkollë. Flasin tre gjuhë, shqipen, spanjishten dhe katalanisht. Shkruajnë, sidomos njëra prej tyre, thotë se “e kam vendosur, do bëhem shkrimtare dhe do të studiojë në universitetin e Jelit”. Tjetra thotë se “do merrem me shkencat e natyrës”. Janë vajza që lexojnë dhe nuk merren shumë me këto lojërat që janë bërë në modë për fëmijët sot, videogame. Merren pak dhe me to, por lexojnë mjaftueshëm dhe me kënaqësi dhe pa ndonjë imponim nga prindërit. Ato vijnë me shumë kënaqësi edhe në Shqipëri. Ne tashmë vijmë në Shqipëri ndoshta për hir të dy vajzave, sepse këtu ato kanë një rreth të gjerë familjar dhe kjo i kënaq. Ndërsa atje në Barcelonë na kanë vetëm dy prindërit, kurse shokët e tyre kanë edhe gjyshër, edhe dajallarë, xhaxhallarë dhe ato duan të ndihen në afërsi të njerëzve të tyre.

Ka ndryshime të mentalitetit në mënyrën e jetesës në Barcelonë, nga Shqipëria?

Ne jemi mesdhetarë dhe ka mentalitete të përbashkëta me katallanët. Më tepër ne kemi ngjashmëri me njerëzit më në jug të Katalanjës, por edhe me spanjollët në përgjithësi ne kemi të përbashkët mënyrën e komunikimit, jemi të hapur, të shpejtë, lidhet lehtë miqësi.

Kur ju kanë pyetur për cilën arsye shkruani letërsi dhe për ç’arsye përktheni, më bëri përshtypje përgjigjja juaj se letërsinë “e shkruani për pasion”, ndërsa me tej thoni se “punoj me përkthimet të fitoj jetën time”. Të jemi të sinqertë, në kohën e diktaturës ju përfytyronim si princat e “Bllokut”. Nuk keni trashëguar diçka, si është gjendja juaj ekonomike?

Mbas diktaturës unë nuk kisha as rroba. Kur kam dalë nga burgu më kanë veshur shokët e mi. Më kanë dhënë rrobat e tyre dhe para për të jetuar, gjersa fillova punën dhe nisa të përdorja rrogën. Edhe më përpara unë kam qenë skenarist në Kinostudio dhe nuk kam pasur asnjë post drejtues. Rroga ka qenë pasuria ime, por natyrisht jetoja në shtëpinë e prindërve dhe kisha një strehim. Kur e ke nisur jetën kështu, që të jetosh duhet të punosh dhe unë punoj gjithë ditën nga mëngjesi deri në darkë për të fituar jetën dhe në shtëpi bëj punën që më pëlqen, krijimtarinë. Kjo është e mira e punës. Kështu që unë shpesh punoj edhe të shtunën, edhe të dielën, përveçse kur kam detyrime familjare dhe jam i lodhur.

Ju e kini merak, që të shkruani herë pas here për të kaluarën. Të kuptohemi në Shqipëri ende nuk është sqaruar e kaluara komuniste. Përshkrimi i saj kalon mes përfoljeve e përgojimeve, më tepër si histori e kafeneve. Besoj e dini se kohëve të fundit mediat i janë kthyer sërish figurës së babait tuaj, duke e akuzuar për krime të ndryshme. Si e përjetoni ju këtë interes të ringjallur?

Mendoj se rikthimi tek figura e babait tim është një fryrje artificiale që i bëhet historisë nga media, që herë pas here në krye të disa muajve ose një viti përsëritet i njëjti refren…

Të dalim në një konkluzion, meqë flitet shpesh për vetëvrasjen e të ndjerit, ishte viktimë apo diktator babai juaj?

Të dyja. Edhe viktimë edhe diktator. Këto gjëra i kam thënë dhe s’dua të zgjatem më, sepse e kam thënë publikisht mendimin tim.

Vetëvrasja e tij, edhe njëherë si shpjegohet. Nëse ishte ai pikërisht diktatori, mund të vriste të tjerët, siç bëri “diktatori i madh”, por jo të vetëvritej?

Unë e kam shpjeguar disa herë që këtu ka një lloj tragjizmi.

Pak me tepër, ju lutem?

Vuajtja, dhimbja në përgjithësi është njerëzore. Unë nuk e përjashtoj qenien njerëzore nga vuajtja, sikurse shkaktimi i vuajtjes është dukuri njerëzore. Njeriu është i aftë për gjithçka. Ndryshe nga speciet që janë në planet, njeriu është i aftë për gjërat më të tmerrshme, pra edhe të shkaktojë vuajtje. Babai im shkaktoi vuajtje dhe vuajti.

Si e keni përballuar këtë dramë personale dhe familjare, duke pasur edhe brengën ‘pse babai juaj shkaktoi vuajtje’?

E kam përballuar me letërsi. Letërsia është nja motivet. E kam përballuar me miqtë e shumtë, me bashkëvuajtësit në burg, solidariteti me ata që vuajtën, të gjitha këto më kanë bërë mua të mbijetoj.

Pse keni reflektuar për dënimin që i ka bërë diktatura fesë? Ka lidhje kjo me veprën ndëshkuese ndaj fesë të babait tuaj, ish-kryeministrit Mehmet Shehu?

Është një ngacmim që m’u duk se kishte të bënte me një vepër të mirë letrare.

Që do të sillte mesazhin se…?

Liria fetare është zanafilla e shprehjes. Ashtu siç do të vlerësoja lirinë për të besuar apo për të mos besuar, sepse sikurse e dini unë nuk jam besimtar.

E keni njohur At Zef Pëllumbin nga afër?

Nuk e kam njohur, por kam ndjesinë se e kam njohur nga leximet. Kjo njohje lidhet edhe me faktin se kemi qenë në burg, të dënuar nga i njëjti sistem diktatorial, por përjetimet letrare nuk kanë ardhur në mënyrë të ndërgjegjshme.

At Zef Pëllumbi është sot në “Parajsë”. Çfarë do t’i thoshit atje ku është?

Siç ju thashë, unë nuk jam besimtar, jam agnostik, por do të kisha pasur qejf ta kisha mik dhe do të kisha biseduar me të.

Çfarë do t’i thoshit nëse do të bisedoje me të?

At Zef Pëllumbin doja ta takoja që ta dëgjoja duke “më tregue” (buzëqesh- aluzion për librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pëllumbit.dh.h.)

Ndërkohë ju vetë i riktheheni së kaluarës, duke shkruar letërsi, a do të shkruani përsëri, duke iu rikthyer kësaj teme?

Sigurisht që do të shkruaj. Ky roman nuk ka për të qenë i fundit. Është njësoj si të mos shkruash për Holokaustin. Shumëkush, duke parë se në këtë roman ka dhimbje mendon se nuk është mirë të shkruash për dhimbjen. Historia ime është vërtetë e dhimbshme, por unë e shkruaj me qetësinë më të madhe. Diktatura është një minierë për letërsinë dhe duhet shkruar për të. Popujt që nuk shkruajnë për të kaluarën, janë të detyruar ta rijetojnë atë.

Sa autobiografik është libri juaj?

Libri ka një personazh fiktiv, por ajo që i jep nota autobiografike janë gjërat që kanë ndodhur, ngjarjet historike. Libri ka të bëjë me persekutimin e klerit. Subjekti më ka ardhur rastësisht, pasi unë lexova librin e At Zef Pëllumbit, kjo më bëri të reflektojë në lidhje me persekutimet që i kanë bërë At Zef Pëllumbit. Personazhi im Aleks Krasta dhe At Zef Pëllumbi kanë qenë të dy viktima të këtyre persekutimeve. Libri ka një pluralitet leximesh dhe unë nuk kam menduar ta ndikojë lexuesin apo të jap opinione. Rëndësi ka që lexuesi vetë të ketë një pluralitet opinionesh. Personazhet e mi janë letrarë, fiktivë dhe ngjarjet janë të trilluara. Vetëm një episod me At Zef Pëllumbin në gjyq është real, të gjitha të tjerat janë të trilluara. Por ka edhe ndonjë ngjarje reale nga persekutimet që m’i kanë treguar bashkëkohësit, siç është persekutimi i klerit dhe një episode i dhimbshëm që nxjerr sytë në gjyq babai i djalit që dënohet. Këto detaje janë vënë qëllimisht dhe janë pjesë të romanit. Të vërtetat historike janë në thelb të romanit, si tema. Autori ka të drejtë të vërë episode dhe të tjerat është më mirë të mos thuhen, por ta thotë lexuesi atë që ka për të thënë.

 Intervisten e plote e lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com

(Lajmi u perditesua)

Redaksia online

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit