Bashkimi Europian do t’i zhbllokojë Hungarisë më shumë se 16 miliardë euro fonde të ngrira, në një lëvizje që shënon një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Budapestit pas largimit nga pushteti të Viktor Orbán.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e bëri njoftimin të premten në Bruksel, pas takimit me kryeministrin e ri hungarez Peter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e prillit duke mposhtur liderin nacionalist që kishte dominuar politikën hungareze për vite me radhë.
“Mund të ndiejmë tashmë një erë të fortë ndryshimi në të gjithë Hungarinë. Në vetëm pak javë, ju keni çuar përpara reforma që prej kohësh ishin të nevojshme”, deklaroi Von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me liderin hungarez.
Vendimi për zhbllokimin e fondeve konsiderohet një fitore e madhe politike për Magyar, i cili gjatë fushatës kishte premtuar rikthimin e marrëdhënieve normale me Bashkimin Europian dhe sigurimin e miliardave euro të bllokuara, që konsiderohen jetike për ekonominë hungareze.
Brukseli kishte ngrirë kwto miliarda euro të destinuara për Hungarinë për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin, dobësimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe trajtimin e komunitetit LGBTQ gjatë qeverisjes së Orbanit.
Sipas Komisionit Europian, qeveria e re ka nisur një sërë reformash që po vlerësohen si hapa konkretë drejt rikthimit të standardeve të kërkuara nga BE-ja.
Fondet që do të zhbllokohen mund të luajnë një rol vendimtar në ringjalljen e ekonomisë hungareze, e cila po përballet me vështirësi të konsiderueshme. Qeveria e Magyar trashëgoi një deficit buxhetor në rritje, që sipas vlerësimeve të Komisionit Europian mund të arrijë në 6.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2026, pas shpenzimeve të mëdha të kryera nga qeveria Orbán përpara zgjedhjeve.
“Ne do t’i sjellim këto para në shtëpi, ashtu siç kemi premtuar, për të rindërtuar Hungarinë, për t’i dhënë një shtysë ekonomisë, për të rikthyer dhe zhvilluar shërbimet publike dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e kompanive hungareze dhe të ndërmarrjeve të vogla e të mesme”, deklaroi Magyar.
Pjesa më e madhe e fondeve të ngrira, mbi 10 miliardë euro, vjen nga fondi europian i rimëkëmbjes pas pandemisë Covid-19. Hungaria kishte afat deri në fund të muajit gusht për të paraqitur një plan të ri që do t’i mundësonte aksesin në këto fonde.
Von der Leyen theksoi se zhbllokimi i plotë i shumës do të kushtëzohet nga vazhdimi i reformave dhe zbatimi i investimeve për të cilat Budapesti është angazhuar.
Ky nuk është rasti i parë kur Brukseli ndjek një qasje të tillë. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në vitin 2024 me Poloninë, kur Bashkimi Europian zhbllokoi miliarda euro fonde menjëherë pasi qeveria pro-europiane e Donald Tusk dha garanci për ndryshime në drejtim të shtetit të së drejtës.
Gjatë viteve në pushtet, Orbán, i cili e përshkruante veten si “gjemb në krahun e Bashkimit Europian” dhe mbante marrëdhënie të afërta me Moskën, u akuzua nga kundërshtarët dhe institucionet europiane se kishte vendosur nën kontroll të fortë Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë Publike dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke emëruar në krye të tyre figura të afërta me qeverinë.
Ndërkohë, qeveria e re ka nisur të japë sinjale të qarta ndryshimi. Të mërkurën, shumica parlamentare e Magyar votoi për të hequr dorë nga plani i Orbán për largimin e Hungarisë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Një tjetër sinjal me peshë erdhi të premten, kur policia hungareze njoftoi se nuk do të ndalojë paradën e Pride që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Budapest. Vendimi përbën një ndryshim të rëndësishëm nga viti i kaluar, kur eventi i komunitetit LGBTQ ishte ndaluar nga autoritetet nën qeverinë e Orbán.
Përtej aspektit ekonomik, vendimi i Brukselit mund të ketë ndikim edhe në politikën europiane. Nën drejtimin e Orbán, Hungaria kishte bllokuar vazhdimisht iniciativa të rëndësishme të BE-së, përfshirë avancimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës. Me ardhjen në pushtet të Magyar, zyrtarët europianë shpresojnë se disa prej këtyre bllokadave do të hiqen, duke i dhënë më shumë hapësirë Bashkimit Europian për të çuar përpara agjendën e tij strategjike.
Komente








