Bashota: Poetikja midis metafizikës,
historisë dhe bashkëkohësisë

Bashota: Poetikja midis metafizikës, <br />historisë dhe bashkëkohësisë
Lirika e shqiptarit Sali Bashota, njëri nga penat më të shquara të bashkëkohësisë së juglindjes europiane, është ajo e një poeti të jashtëzakonshëm. E trajtuar nga perspektiva e një koncepti të dhembjes e të durimit kosovar, krijimtaria letrare e kësaj ane të kontinentit veçohet në përgjithësi përmes një etosi nën horizontet e të cilit ajo shndrit si një vlerë shpirtërore e historisë në frymën e së cilës gjallëron, në formë të kondensuar, gjë që i detyrohet një epoke

Koncepti përmes të cilit tentojmë t’i trajtojmë poezitë e Sali Bashotës, paralajmëron faktin se Europa është jo vetëm Perëndim, por edhe Lindje, dhe, plus kësaj, siç pohojnë analistët, nënvizon edhe nevojën e domosdoshme për të portretizuar ekzistencën e një profili shpirtëror të përbashkët. Na ofrohet kështu një gamë e kuptimeve të ekzistencës së një „dimensioni fundamental”, ajo që reklamon „mjaft qartësi shkëlqimtare dhe sidomos sinteza të rikoperueshme”, duke hapur perspektivën e një fiksimi të mundshëm në një çelës estetik.

Të projektuara në spektrin e ballkanitetit, poezitë e Sali Bashotës mbajnë shenjat e përjetimeve të papërsëritshme të ngjarjeve nëpër të cilat kuptohet historia e shqiptarëve në Kosovë. Dhe, faktikisht, në këtë pjesë të botës, historitë janë përplasmërisht të ngjashme, sidomos përmes tragjizmit të tyre pothuajse endemik. Në mbështetjen e horizonteve, mbi të cilat kultura e mundëson kuptimin tonë, bëhet i dukshëm përcaktimi ontologjik i përkushtimit human. Kështu ngjet që hapjet e operuara përmes studimeve të literaturës komparative, nxjerrin në pah një aleatizëm të kuptimeve që konfigurojnë ekzistencën e veçantë, një forma mentis të shpirtit të Europës Jug-Lindore, duke konsoliduar kështu një kategori të pakontestueshme tipologjike.

Të konsideruara në këtë mënyrë, poezitë e Sali Bashotës plasohen në pikënyjen e asaj që Mircea Vulcanescu e quan mbërthimi i metafizikës me historinë, unitet i mistershëm shprehjesh ekspresive nga të cilat fanitet tonaliteti, dimensionet dhe qëndrimet që vihen në proksimitetin e sublimacionit për të cilin fliste Immanuel Kanti në esetë e periudhës parakritike.

Prania e ritmeve, shpesh herë të tmerrshme, të një ndjeshmërie të veçantë me një fakturë tejet të brishtë, të një mekanizmi subtil dhe kompleks, në të cilin fanitet apo kundrohet „spektakli” i botës, përmbyllet përmes konfigurimit të ajrit aq special të qytetërimeve të motshme, ende persistente nën tokë, që kanë depërtuar në Leant. Ndoshta, në këtë kontekst, duke u bazuar në një ngjashmëri të dukshme, Maria Gimbutas pohon më 1971 ekzistencën e asaj The Old European Civilization, duke nënkuptuar përmes kësaj amze aureolën nga e cila kanë lindur filozofia, shkenca dhe artet.


Të konsideruara mbi një background të këtillë, poezitë e Sali Bashotës më sjellin në kujtesë disa nga sintagmat e hasura shpesh në studimet dhe esetë e ballkanologjisë të cilat, duke filluar nga viti 2008 (së bashku me Mihaela Albu dhe Marius Chelaru), i kam publikuar në revistën Carmina Balcanica: njeriu elegjiak i jug-lindjes europiane, perimetri i kulturës elegjiake, posteriteti i perandorisë romake, tragjika e sentimentit të historisë etj. Por, në nënvizimin e pranisë së tyre, po citojmë një fragment poetik: „Në sheshin e Dardanisë/ Kaq shekuj rri me poetët e mëdhenj/ Dhe asgjë nuk them për të nesërmen...” Në të vërtetë, çka mund të thuhet për një të nesërme kur më 2 gusht 1998, poetit i qe ndezur shtëpia, biblioteka dhe dorëshkrimet: „Dhe tani digjen librat/ Nëna vajton mbarimin e shpirtit tim/Në parajsën ku fle trishtimi/ Hynë barbarët duke e tërhequr zvarrë atdheun/ Lamtumirë vargje të pushkatuara/ Shkronja të djegura, dorëshkrime të përgjakura/.../ Ferri është më i bukur/ Se jeta/ Lamtumirë trishtim/ Dhe tani digjen librat...”


Dhe ja, i befasuar nga kjo poezi e mrekullueshme, krejt dramatizmi jo i një historie, por i të gjitha historive nën të cilat është jetuar, apo nën të cilat ende jetohet edhe këtu. Të gjitha janë pranishme në poezinë e sotme, me të cilat edhe preokupohen poetët e mëdhenj. Ja, poeti ndjen se rri me shekuj në të njëjtin dialog: „Lexuesi im/Po piqen mollët e pikëllimit në kopsht/ Edeni prapë ai i moçmi plot vrer/.../ Dielli i Zi lëshon rrezet e ferrparajsës të ngroh/ Plot shkëlqim qenien tejkohore me shpirt në fyt/ Dikush e fërkon fytyrën thikë të ndryshkur/ Shtëpia merr formën e Ilionit lashtësisht prehen trupat/ Oborri mbushet me gjak të derdhur det fëmijët kthehen/.../ Me arkivolin e zi mbi supe ku kalben dorëshkrimet/ Plot letra të përgjakura vallëzuese lexuesi im i gjallë/.../ Vetëm për një lutje/ Është zog në kafaz për dheun tonë...”

Këto shprehje që gërshetojnë gjendjen funerale të një peizazhi të brendshëm, paralelisht me përfytyrimet e brishtësisë së një sistemi të tërë vlerash, marrin frymë nga një mendim i stërmundur mbi të tanishmen. Thuajse secila poezi nga libri i Sali Bashotës fsheh në vetvete edhe njëfarë kthimi në shtjellat e tringëllimit, thuajse duke mos u shuar kurrë, duke u ndërlidhur me melo-sematikën e stërlashtë të atyre lamentove pas shembjes së perandorisë romake, që nënkupton aktualisht perandorinë serbe. Një shembje të cilën Perëndimi ende nuk e ka kuptuar, duke e përkrahur gjatë kohë frenezinë utopike përmes së cilës Europa Lindore qe përplasur në kthetrat e bolshevizmit. Brishtësia dhe letërsia e tij, gjatë gjithë kohëve posedon një eksperiencë shpirtërore, një traditë të mendimit dhe një sensibilitet, shumë më ndryshe nga ajo e Perëndimit. Natyra violente që fshihet në erupcionin modern të arsyes, specifikë e botës perëndimore, apo ajo e supremacisë absolute e mendimit të llogaritur (das rechnende Denken), siç e pagëzon Heidegger, kanë ekzagjeruar afirmimin e individit në defavorizim të integrimit, arsyen në disfavor të intuitës, shkencën në disfavor të mendimit meditativ (das bessinnliche Nachdenken).

Këto zhvillime unilaterale kanë prekur një bazë të fuqishme në nivel moral, social, ekologjik dhe shpirtëror. Kontrasti që i diferencon këto dy anë të botës europiane reflekton në sfond ekzistencën e dy tipave të qytetërimeve të ndryshme. Dhe, duke u nisur prej këtu, ka gjasë që historiani Tony Judt ta dijë mirë se ç’thotë atëherë kur pohon se ideja e qytetërimit europian, në esencë civilizimi perëndimor i shekullit XX-të, s’ka qenë tjetër veçse një iluzion i rremë. Kultura Faustike e mileniumit të dytë (pas Kr.), triumfi i mendimit teknik, plot madhështi e pasion ndërmjet të gjitha kulturave sa kanë qenë mbi dhe, është dëshmuar si një nga kulturat më tragjike. Osëald Spengler e ka konsideruar këtë si një nga problemet e qytetërimit (!?), e kuptuar si një mbarim dhe shtangim i shpirtit.

Shenja fatale? Shpupurisja e ideve për atdhe, traditë, kulturë dhe vlera tradicionale. Pasojat direkte: ardhmëria nuk do të strehojë një popull, por vetëm një masë semidoktësh, në tubime radikale, marksistë që vetëkonsiderohen si mendimtarë dhe poetë, gjithçka duke kulminuar me një „formë komplet të re, të cilës i mungon ardhmëria”, e pavlefshme për ekzistencën humane. Dhe po ai Spengler formulon një përfytyrim lapidar dhe dantesk: „historia e njeriut është tragjike në totalitetin e saj. Ndërkaq, mëkati dhe shembja e njeriut faustik janë më të mëdha se çdo gjë tjetër që mund të kenë parë ndonjëherë Eskili dhe Shekspiri”.

Ja, edhe një grilë të mundshme mbi themelet e së cilës mund të kuptohet e shpjegohet tragjizmi i poezive të Sali Bashotës! Nuk është i çuditshëm dhe brengosës fakti se, në fillim të mileniumit, Sali Bashota shkruan: “Poezi/ Zog i pikëlluar në kuvli/ Kush tha tashmë nëna vajton/.../ Shpirti i mbërthyer në vargje rënkon/ A do t’i varrosim përnjëherë fjalët në det/ Sëpatë e ndryshkur dyshimin e pret.../ Nëpër natën e vetmisë rojet numërojnë yjet në shi/ Fjalët e humbin kuptimin tek shkëlqejnë plot magji”. Por, ja edhe poezia Fillimi i vetmisë, thuajse jo më shumë se një rikthim në lirikë, dukshmërisht personale, e pohimeve spengleriane: “Çdo shekull ka viktimën e vet/ Kurriza kurriza kurriza të thyer/.../ Dhe lule mbi varre/ Dhe varre mbi lule” etj.

Është, po ashtu, e qartë se tensionet dhe brenga e spikatur e këtyre poezive, të përkujtojnë tërmetet dhe krizën shpirtërore të bashkëkohësisë, por, jo më pak, ato justifikojnë shtojcën turbulluese dhe aktuale të formuluar nga Arnold Toynbee: „History is again on the move” (Historia gjendet përsëri në lëvizje). Për të thënë gjithçka që duhet thënë, ja dhe një poemë tjetër, me një titull të veçantë e të rëndësishëm për ngjarjet e shekullit të posakonsumuar: Fshirja e kujtesës: „Arti tani nuk ka kuptim do të jetojmë vetëm me qiellin/ Muret e ekzistencës sime xhungël e djegur/ Sëmundjet e trupit nuk shërohen mushkëritë kalben/ Kur shndërrohemi në hije të gjalla”. Edhe këtu, porsi në tekste tjera, del në pah në forma dhe tingëllima të ndryshme, lajtmotivi dramatik i vdekjes: „Ti tashmë ke vdekur/ Je bërë ëndërr e tretur/ Larg librave të djegura nga barbarët/ Gërmadha e hirit ngrihet në qiell/ Pluhuri bëhet kob/ Ti tashmë ke vdekur/ Arkivoli i dorëshkrimeve përplaset te porta/ Tehu që këput lutjen e fundit/.../ Myku i fjalës që fshehet në një fantazmë...”.

Natyrisht, poezitë japin përfytyrimin e një bote të ndodhur ndërmjet shpartallimit të papërcaktuar, apo ndërmjet dy botëve dhe dy fateve. Por, meqë e pashmangshmja ngjet, arrijmë në idenë e një fati që përshkruan në hollësi turbulluese shortin e përjetimeve ku njeriu nuk është gjë tjetër veçse: la poussière humaine, pluhur njerëzor i shpupurisur mes Lindjes se Perëndimit, që nuk i përket asnjërit e as tjetrit, por shkilet nën këmbë edhe nga njëra, edhe nga tjetra palë. Janë njerëz që dinë një gamë gjuhësh, por asnjëra s’është e atyre që përkulen mbi dy altarë, por para asnjërit nuk përkulen me krejt qenien. Janë viktimat e shpërndarjes fatale të njerëzve të ndarë në besimtarë të Zotit dhe në paganë, përjetësisht ndërmjetësues që mbajnë me vete një sasi të hatashme hamendjesh e dyshimesh, njohës të mirë të Lindjes e të Perëndimit, të zakoneve dhe traditave, por të ndarë e të dyshuar edhe në këtë, edhe në botën tjetër. Atyre u përshtaten fjalët që i ka shkruar tani e para gjashtë shekujsh, i madhi Xhalal al-Din Rumy:

Ngase mua nuk më njeh vetvetja. As i krishterë nuk jam, as hebre, as mysliman. As nga Lindja nuk jam, as nga Perëndimi, as nga toka e as nga deti.
I vendosur që nga lashtësia në trojet e pazhdukshme të poetit, Sali Bashota na thotë se struktura esenciale e vlerave të botës është e destinuar të durojë sot shpërbërje e shthurje shkatërrimtare. Përfytyrimi i botës paraqitet me një shëmbëlltyrë të panjohur e të huaj, të papërfshirë në atë normalitet të mirëkuptimit që, thuajse deri vonë, i përkiste Njerëzores.

Në plan të parë fanitet diçkaja në brendi të së cilës Hannah Arendt, në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX, identifikon „papajtueshmërinë neveritëse ndërmjet pushtetit real të njeriut modern (më i madh se kurrë më parë, aq i madh saqë njeriu do ta vënte nën shenjë të pyetjes vetë ekzistencën e universit të vet) dhe pamundësisë së njerëzve modernë për të jetuar në një botë në të cilën vetë fuqia e tyre e ka stabilizuar dhe për të kuptuar rëndësinë dhe kuptimin e kësaj bote.

” Jemi të tentuar të themi se pyetjet paradoksale që përplasen në poezitë e Sali Bashotës të shpiejnë në mendimin se duket se flasin për të njëjtën gjë: „... Unë dhe poetët luajmë me artin e gjakut/ Vetëm rolet e toponimeve i ndërrojmë/ Sa shumë qenkemi thinjur mbi vargje/ As kafshët e egra nuk do t’u marrin erë/ Për ilaç të shpirtit të tyre që shumë duron/ Në Sheshin e Revolucionit e mbyllim dhembjen..../ Të gjitha fjalët shqiptohen syrgjynërisht/ Për kafshët e buta që butë e hanë botën në sy”...


Shkrimi u publikua në Suplementin Rilindasit në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail-i i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail-i i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit