Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshukj ka pësuar humbje në raundin e tretë paraeliminator për Kampionatin Europian 2025. Kuqezinjtë pësuan disfatë në transfertë nga Rumania me rezultatin 72-63, duke shënuar kështu humbjen e tretë në po kaq takime të zhvilluara në Grupin I.
Djemtë e trajnerit Antonios Doukas e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke kryesuar deri në +15 pikë, por më tej loja e kuqezinjve erdhi në rënie, e shoqëruar me gabime të shumta, për t'u mbyllur me triumfin e rumunëve.
Çereku i parë foli për tanët, që e mbyllën në avantazh me 13 pikë për rezultatin 10-23. Në periodën e dytë rumunët morën veten, duke shkurtuar diferencën dhe fituar 26-16. Në pjesën e dytë u duk rënia e tanëve, me çerekun e tretë që u mbyll 20-16. Në të katërtin Shqipëria shënoi vetëm tetë pikë duke u dorëzuar për rezultatin 16-8 dhe atë të përgjithshëm 72-63.
Dragos Diculesku te Rumania dhe Elvis Dusha te tanët ishin më të mirët në parket me nga 17 pikë. Sfida e radhës për kuqezinjtë është në Shqipëri kundër Sllovakisë, më 5 gusht në 20:30. Pas ndeshjeve të luajtura, Shqipëria me zero fitore mban vendin e tretë dhe të fundit në grup, teksa prin Sllovakia.