Basti elektoral i Biden-it me Afganistanin

Basti elektoral i Biden-it me Afganistanin

Joe Biden

Biden beson se amerikanëve të thjeshtë nuk ua ndjen fort për Afganistanin. Ose, për të qenë më të saktë, nuk do t’ua ndjejë fort më 2022 (dhe më 2024), kur të zhvillohen zgjedhje në SHBA (kongresuale e presidenciale). Ai dhe njerëzit rreth tij nuk e thonë këtë gjë haptazi, kuptohet. Por çdo sinjal publik që po lëshojnë ata, tregon qartazi se nuk besojnë se rrëmuja e javëve të fundit në Afganistan do të luajë rol në votimin e amerikanëve të thjeshtë pas një viti apo pas tre vjetëve.

Geoffrey Skelley shkruante në portalin “Five Thirty Eight” se “deri ditën që Talibani mbërriti në Kabul, shumica e amerikanëve e mbështesnin vendimin e Biden-it për tërheqjen e trupave nga Afganistani – këtë tregonin sondazhet e zhvilluara gjatë korrikut dhe javët e para të gushtit”.

Në fakt, mesatarja e sondazheve të kryera deri në mes të gushtit tregonte një diferencë prej 30 pikësh mes atyre që donin tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane nga Afganistani dhe atyre që nuk e donin. Por pas pamjeve dramatike të afganëve që kacavirreshin për të hipur në avionët amerikanë të transportit në Kabul, opinioni publik ka ndryshuar në SHBA. Sipas një sondazhi të fundit të NBC, 6 ndër 10 amerikanë nuk kanë opinion pozitiv për mënyrën sesi administrata Biden po e menaxhon tërheqjen nga Afganistani. Sipas një sondazhi të fundit të CBS, rreth 44% mendojnë se tërheqja është bërë shumë keq, ndërsa 30% disi keq. Ndërkohë, opinioni pozitiv për punën në përgjithësi të Presidentit Biden ka rënë për herë të parë nën nivelin 50%.

Sidoqoftë, pavarësisht këtyre numrave të sondazheve – dhe kritikave të forta jo vetëm të republikanëve, por edhe të demokratëve të tyre – Biden dhe njerëzit rreth tij nuk duken të shqetësuar. Ja ç’shkruante Axios këto ditë: “Shtëpia e Bardhë po e neglizhon Afganistanin në aktivitetet jashtë Uashingtonit, duke shpresuar që votuesit do të përqendrohen në planet Biden për shpenzime të rritura buxhetore, sidomos në infrastrukturë dhe ndihmë sociale”

Kevin Collins, një strateg politik demokrat, e përmbledh kështu strategjinë elektorale të Biden-it: “Për mirë a për keq, amerikanët e thjeshtë nuk e vrasin shumë mendjen për politikën e jashtme, në qoftë se jeta e qytetarëve amerikanë nuk rrezikohet. Në qoftë se të gjithë amerikanët evakuohen nga Afganistani, numrat në sondazhe pas një viti nuk do të ndikohen nga ç’po ndodh sot në Kabul. Fati i zgjedhjeve më 2022 nuk do të përcaktohet nga Afganistani, por nga ecuria e pandemisë Covid-19 dhe e ekonomisë”.

Është një bast elektoral jo pa rreziqe ky, sidoqoftë. Në qoftë se situata në Afganistan degjeneron keq ose akte terroriste kryhen nga grupe me bazë në Afganistan, një menaxhim i mirë i pandemisë dhe ekonomisë nuk do të mjaftonte për ruajtjen e kuotave të Biden-it në sondazhe dhe ruajtjen e epërsisë demokrate në Kongres…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?