Bazilika e Shën Mëhillit
monumenti në udhëkryq

Bazilika e Shën Mëhillit<br />monumenti në udhëkryq
TIRANE- Bazilika e Arapajt është një nga monumentet më të dëgjuara në vendin tonë. Disa muaj më parë Akademia Austriake botoi monografinë shkencore të bashkëshortëve Hava dhe Sali Hidri, një tregues i vlerave që bart monumenti, por edhe i punës me nivel të lartë profesional i studiuesve që e zbuluan atë në vitin 1974. Por, çfarë ndodh sot me Bazilikën e Shën Mëhillit në Arapaj? Ajo ndodhet shumë pranë Durrësit, dhe shumë më afër plazhit, por fatkeqësisht, janë të pakët pushuesit, të cilët e dinë se ku ndodhet monumenti i zbuluar nga arkeologët Hava dhe Sali Hidri.

Në rrugën që të çon mbi kodrinë mungon qoftë edhe një tabelë sinjalizuese, ndërsa vetë monumenti me sipërfaqe 1 820 metra katrorë është lënë nën mëshirën e reshjeve. Rrezikut të lagështirës nuk i shmanget dot as mozaiku i bazilikës, që ndodhet në aneksin jugor të bazilikës, e cila sipas historianëve u dogj në 18 tetor 1081, gjatë betejës ndërmjet Robert Guiskardit dhe trupave bizantine të udhëhequra prej Aleks Komnenit. Por, le t’i rikthehemi historisë së zbulimit të bazilikës.

Bazilika e Shën Mëhillit mbi fiqtë e vjetër
Një shtëpi e vogël dhe disa fiq të stërmëdhenj në oborrin e saj. Kjo ishte pamja e vendit në një nga kodrat e Arapajt në fillimin e viteve ’70, atëherë kur një historian i ri nga Durrësi nisi të mendonte seriozisht se ndën këtë truall, në dukje krejt fshataresk, ndodhej një nga monumentet më të rëndësishëm të qytetit bregdetar në periudhën bizantine të shkëlqimit të tij. Në atë kohë, Sali Hidri, i diplomuar pak vite më parë në degën histori-gjeografi, nuk e dinte se përveç tij (që e mbante zgjuar fantazia e kërkuesit), edhe dikush tjetër nuk flinte. Madje flinin me vështirësi, të gjithë pjesëtarët e familjes My., shtëpia e të cilëve, sipas fqinjëve, ishte ndërtuar mbi një teqe bektashinjsh.

Arkeologët Sali dhe Hava Hidri, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre zbulimit, gërmimit dhe studimit të Bazilikës së Shën Mëhillit, kujtojnë zbulimin e 30 viteve më parë: “Fakti i teqesë muslimane i shtonte dyshimet tona për praninë e monumentit, pasi, siç dihet, pushtuesit otomanë në mjaft raste, pasi i shkatërruan institucionet e krishtera të kultit, ndërtuan mbi to xhami apo teqe. Madje, ishim të sigurt se pranë tyre duhet të kishte edhe ndonjë varrezë të panjohur nga banorët,” – kujton Sali Hidri.

“Sipas fqinjëve, familja që banonte aty kishte pasur mjaft tersllëqe, madje pranë shtëpisë së tyre gjatë natës shiheshin edhe flakët e shpirtrave, një shenjë tjetër e pranisë së varrezave në atë zonë,” – plotëson Prof. Hava Hidri, arkeologe e njohur, bashkudhëtare e këtij kërkimi që në fillimet e tij. Të dhënat gojore të banorëve mbërrinin te arkeologët pas grumbullimit të disa fakteve me vlerë historike dhe shkencore. “Ne ishim të bindur, – thotë Dr. Sali Hidri, – se do të ndeshnim në gjurmët e monumentit ku thuajse nëntë shekuj më parë kishte gjetur strehim garda perandorake bizantine e Aleks Komnenit, atëherë kur u rrethua nga trupat normane të Robert Guiskardit.”

“Siguria jonë bazohej në burimet e shkruara që kishim në dispozicion: “Aleksiada” e Ana Komnenës, që fliste për atë ngjarje të tetorit 1081 që u zhvillua në tempullin e “kryestrategut Mihail”, dhe në konstatimin e arkeologut francez Leon Hezey, i cili gjatë një udhëtimi në Durrës në vitin 1861 kishte parë me sytë e tij “teatrin e këtij episodi dramatik… në fshatin e vogël të Shën Mëhillit, të ndërtuar pranë detit në shpatet e kodrës Arapaj,” – thonë dy studiuesit.

Shtëpia ishte ndërtuar me gurë të nxjerrë nga monumenti. Mes llaçit shiheshin kolona e kapitele, të cilat bashkë me copat e qeramikës së thyer në çdo cep të oborrit fashisnin edhe dyshimin e fundit. Monumenti i synuar ndodhej ndën këmbët e njerëzve. Ai vetëm duhej zbuluar. Sidoqoftë, i zoti i shtëpisë nuk e dha lejen për gërmim, duke i shtuar një telash më shumë punës së bashkëshortëve Hidri, të cilëve u duhej të përballeshin edhe me skepticizmin e kolegëve mbi ndërmarrjen e vështirë që po fillonin. Ekipi i drejtuar nga Sali Hidri ka filluar sondazhin e parë në gusht të vitit 1974 në një sipërfaqe prej 25 metra katrorë. “Punuam jashtë gardhit rrethues të familjes, në atë pjesë që konsiderohej pronë e kooperativës bujqësore,” – tregojnë bashkëshortët arkeologë.

Fragmentet e mureve që u shfaqën në kuadratin 5 x 5 metra ishin ato të absidës së vogël në veri të monumentit. “Zbulimi na dha mundësinë të krijojmë shpejt planimetrinë e vërtetë të bazilikës,” – shton Sali Hidri, por për ta kuptuar madhështinë e monumentit u deshën gati 15 vjet. Mbështetja e Prof. Aleks Budës dhe ndërhyrja e shtetit për transferimin e familjes që ishte strehuar në shtëpinë e ndërtuar mbi monument mundësuan një fushatë intensive 5-vjeçare, deri në prezantimin e zbulimit gjatë sesionit shkencor të vitit 1979. Fillohej më 23 qershor, menjëherë pas fushatës së korrjeve dhe përfundimit të shkollave. Pjesa më e madhe e punëtorëve vinin nga kooperativa, ndërsa studentët kryenin edhe detyra të tjera. Bazilika po shfaqej madhështore në të gjithë përmasën e saj. Bashkë me materialet arkeologjike u zbuluan 64 varre dhe një grumbull i madh me gurë.

Tobia dhe Sara, mesazhi biblik i mozaikut
Mozaikët e mrekullueshëm me sipërfaqe 54 metra katrorë u gjetën në aneksin jugor të bazilikës. Ishte viti 1981 kur në sytë e arkeologëve u shfaqën tablotë shumëngjyrëshe të eukaristisë dhe ajo bukolike. Që nga koha e betejës që e dogji dhe e rrënoi plotësisht tempullin kishin kaluar fiks 900 vjet. “Një koincidencë historike, tepër e rëndësishme për zbulimin e bazilikës, monumentit, të cilit i kemi kushtuar jetën dhe shpirtin tonë,” – thotë e bindur Hava Hidri, e cila tashmë ka titullin shkencor Prof. As. Dr. “Hirin e zjarrit të fuqishëm dhe patkonjtë dhe mamuzet e kuajve të betejës i gjetëm edhe mbi sipërfaqen e mozaikut,” – tregojnë arkeologët, duke u kthyer më pas te vlerat e tij.

Mozaiku i Bazilikës së Shën Mëhillit është një vepër e ekzekutuar mjeshtërisht nga atelietë e njohura të qytetit. Në të shihen dy emblema, njëra prej të cilave bart mesazhin e dashurisë dhe është një himn për respektin prindëror dhe familjen kristiane. Nuk ka qenë i thjeshtë “leximi” i mesazhit të mozaikëve, por Sali Hidri ka gjetur çelësin e zbërthimit pikërisht në Librin e Shenjtë. Figurat e mozaikut të Arapajt kanë një përqasje biblike dhe ngjarja e fiksuar në mozaikun që deri tani quhej thjesht “skenë bukolike – baritore”, sipas studiuesve arkeologë, mund të shpjegohet vetëm me Librin e Tobias në Testamentin e Vjetër. Sara dhe Tobia përballë njeri-tjetrit, me të gjithë elementët që i rrethojnë, kafshë shtëpiake, zogj, kuaj me ngjyra plot kuptim shpjegojnë edhe dy skeletet e zbuluara poshtë dyshemesë së mozaikut, në një varr monumental që, sipas autorëve Hidri, i përket dy bashkëshortëve, ithtarë të krishtërimit.

Sali Hidri e bëri të njohur versionin e tij në Kongresin e 14-të Ndërkombëtar të Kristianizmit, që u mbajt nga 19 – 26 shtator 1999 në Vjenë. Prof. Renate Pilinger, drejtore e Institutit Austriak të Arkeologjisë, ishte njohur me zbulimin e bazilikës përmes shtypit shkencor shqiptar të viteve ’80, ndërsa menjëherë pas ndryshimeve demokratike kishte “vrapuar” për ta parë më nga afër monumentin. Përfundimet e arritura në 30 vjet studime, si edhe dekodifikimi i përmbajtjes së mozaikut “bukolik” që Hava dhe Sali Hidri kanë publikuar në botën shkencore, tashmë kanë marrë “bekimin” e Institutit Arkeologjik të Vjenës në Akademinë Austriake, e cila në fund të vitit 2011 ka botuar në format shkencor monografinë “Die Fruhchristliche Basilika in Arapaj / Durrës (Albanien)”... 

Shkrimi u publikua sot (18.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan