Rrethimi i selisë gjendet brenda kështjellës dhe shfrytëzon një pjesë të murit jugor dhe lindor të saj. Ai përforcohet në anën veriore prej dy kullash njëra pësëkëndëshe dhe tjetra e përbërë prej dy kullash drejtkëndëshe prej të cilave kulla verilindore lidhet me murin lindor të kështjellës, ndërsa kulla juglindore shërbente si kullë hyrje. Në pjesën e saj të përparme gjendet porta 1.80m e gjerë, me formë katërkëndëshe, që mbulohej me një arkitra prej trarësh 14cm x 14cm. Ngarkesa e mureve mbi portën shkarkohet anash, me anë të një harku të përzgjatur tullash të ngjashëm me harqet e kishave të shek.XIII-XIV. (Apollon Baçe, Qyteti i fortifikuar i Beratit, “Monumentet” 2,1971, Mihal Duri, Tiranë, 1971, f.51)
Pjesë të veçanta të mureve të tyre janë të ndërtuara me gurë e copëra tullash, teknikë e përdorur në shek. XI- XIII. Po këtu ndodhet çisterna më e madhe me vlera si nga rëndësia ashtu edhe nga arkitektura, depua e ujit e ndërtuar nga italianët, struktura muresh të ambjenteve të selisë dhe depua e ujit për hidrantet e kalasë ndërtuar në gusht të vitit 2012 duke ndryshuar vendin pasi piketimi i ndërtimit të saj në fillim ishte në hapësirën e gërmuar ku u zbulua pjesërisht mozaiku (fig.2,3 rilevimi & skicat janë realizuar nga Dritan Çoku).
Kujt monumenti i përket kjo dysheme e zbukuruar me mozaik?
Rëndësia e zbulimit dhe saktësimet që sjellin këto zbulime në ndërtimin e historisë dhe vërtetësisë së saj.
Ky mozaik (fig.4, foto E.Xheka) mendojmë se është i Antikitetit të Vonë dhe mund ti përkasë një bazilike paleokristiane. Themi mund, sepse nuk lexohen akoma strukturat e mureve dhe planimetria e objektit. Teknika e punimit të ndërtimit të kësaj dyshemeje të shtruar me mozaik, orientimi i motiveve dhe mbishkrimeve në lindje – perëndim, vendodhja e mozaikut në pikën më dominuese të kalasë na i përforcon akoma edhe më shumë mendimin se ajo mund të jetë një bazilikë paleokristiane.(Dritan Çoku, Berati, historia e emrit të një qyteti, “Shqiptarja.com”, suplementi “Rilindasi”, 13 janar 2013) Gërmimet arkeologjike janë ato që do të sqaronin planimetrinë e këtij objekti kulti të rëndësishëm, e një bazilike peshkopale të antikitetit të vonë (284-565).
Pavarësisht se në dokumentacionin e shkruar mungojnë të dhënat për Beratin e antikitetit të vonë, Pulheriopolisin, si një qendër peshkopale në varësi të Mitropolisë së Durrësit, tërthorazi një pohim i tillë mund të dalë nga numërimi i Hieroklit për Pulheriopolisin, si një qytet në provincën e Epirit të Ri, në gjysmën e parë të shek.VI. Siç dihet, në këtë kohë, çdo qytet ishte dhe një qendër peshkopale, pra e tillë duhet të ketë qenë dhe Pulheriopolisi. Gjithashtu, ripërmendja e Beratit, si qendër peshkopale në shekujt X-XIV, po me këtë emër flet tërthorazi për një gjë të tillë.(A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura,”8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f.49)
Sipas Prof.Dr.Neritan Cekës gërmimet arkeologjike kanë provuar se muret e lashta ilire kanë qenë rindërtuar gjatë Antikitetit të Vonë dhe brenda tyre janë gjetur monedha të Justinianit, por nuk ka asnjë mbishkrim dhe as pjesë të rëndësishme arkitektonike që dëshmojnë qënien e një kishe peshkopale brenda mureve. Ka shumë mundësi që Pulheriopolis sipas tij të gjendej më në lindje, në fushën e Korçës, pranë fshatit Polenë, ku janë zbuluar monumente të rëndësishme të periudhës paleokristiane.(Neritan Ceka, Ilirët, ILAR, Tiranë, 2001, f.246)
Me hipotezën e mësipërme ne nuk ndajmë të njëjtin mendim sepse në Berat janë gjetur një numër i konsiderueshëm i skulpturës arkitekturore, të cilat për nga numri dhe shumëllojshmëria e tyre dëshmojnë për një numër jo të vogël monumentesh, si dhe rëndësinë e qytetit në Antikitetin e Vonë (Dritan Çoku, Të dhëna të reja mbi krishtërimin e hershëm në Berat, gazeta “Shqiptarja.com”, suplementi “Rilindasi”, 26 gusht 2012), aq më tepër që argument tjetër tanimë kemi zbulimin e pjesshëm deri tani të rreth 31 m² mozaik.
Studimi i monumenteve paleokristiane ndihmon në ndriçimin e mjaft problemeve të nivelit të zhvillimit të shoqërisë ilire në shekujt e fundit të Antikitetit. (Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë shek. VII-XV, UEGEN, Tiranë, 2004, f.41)
Mendojmë se ky mozaik është një zbulim i rëndësishëm për periudhën e paleokrishtërimit në Kalanë e Beratit (fig.3, foto A.Islami), i cili pasi të zbulohet komplet duke e çliruar nga dherat (mbushjet) do të sjellë të dhëna mjaft të vlefshme për vet monumentin, historinë e tij, por edhe për historinë e kalasë. Ai do të ndriçojë mjaft të panjohura dhe hipoteza të hedhura për mjaft fragmente arkitektonike të plastikës dekorative të përdorura në kishat e tjera në kalanë e Beratit në faza të ndryshme kohore.
Ndoshta kapiteli prej mermeri, i gjetur rastësisht, vendi i të cilit nuk përcaktohej, mund të jetë mbeturinë e kësaj bazilike ose e pajisjeve të saj. Sipas Prof.Dr.Guntram Koch ky kapitel mund t’i përkiste një pajisje të shkëlqyeshme luksoze të një kishe, në mesin e shek.V, kur Antipatrea u rithemelua dhe mori emrin Pulheriopolis nga Teodosi apo Markianosi. (Guntram Koch, Disa dëshmi të periudhës së hershme byzantine, “Monumentet” 2/1990,GRAFIKA ARS, Tiranë, 1990, f.115) Tek këto pjesë arkitektonike, që mesa duket vijnë nga kisha paleokristiane, bën pjesë dhe një objekt i pazakontë (relikuari i veçantë i Beratit) siç e cilësojnë disa specialistë të huaj.
Të dhënat historike, elementët e shumtë arkitektonik, sidomos ato të shek.VI, relikuari i veçantë dhe pastaj kodeksi i kushtueshëm i purpurt, ndoshta një kushtim i perandorit Justinian për “Antipatrai”, flasin për atë, që të paktën disa materiale, u përkasin ndërtimeve të zhdukura në Berat. (Po aty, f.116) Nuk duhen anashkaluar fragmentet arkitektonike (kapitelet) të kishës së shën Kollit të Perondisë në shek.X, që duket qartë se nuk janë bërë për të, por janë punuar shumë kohë më parë. Ato duhet t`i përkasin gjysmës së parë të shek. VI dhe mund të jenë sjellë në mesjetë nga Berati në Perondi. Njohja dhe studimi i plotë i bazilikës, por jo vetëm, do të jetë padyshim një kontribut i vlefshëm për sqarimin e problemeve që lidhen direkte me origjinën e këtyre objekteve.
MOZAIKU
Ky mozaik plotëson repertorin e dyshemeve të zbukuruara në kishat që ndodhen në kalanë e Beratit. Mozaiku është i punuar me teknikën “opus teselatum” (me kubikë të prerë), Teselat – kubikët janë prerë nga gëlqerorë shumëngjyrësh, nga balta e pjekur, dhe mermeri. Përmasat e kubikëve janë 14mm x 14mm.
Ka rastisur që kjo hapësirë e gërmuar të përkojë sipas mendimit tonë me nefin qendror të bazilikës. Vihen re dy mbishkrime (fig.5,6), përkatësisht: krahu i majtë me 9 rrjeshta dhe ai në të djathtë me 8 rrjeshta të kuadratuara në motivin e gërshetit mjaft i përhapur në periudhën e paleokristiane (70-787). Mbishkrimi ashtu si një pjesë e mirë e dyshemesë e shtruar me mozaik është mjaft i dëmtuar.
Mozaiku ishte konceptuar si një tërësi motivesh gjeometrike (rrathë që ndërpriten apo takohen në perimetrin e tyre, katërkëndorë, gjashtëkëndorë, motivi i luspave, gërsheta, gjethja në trajtë zëmre si një ndër ornamentet e përdorur në kohën e vonë antike (fig. 7,8,9), etj). Këto motive të gërshetuara harmonishëm, të orientuara nga parimet e simetrisë janë shpërndarë në panela. Ngjyrat që mbushin sipërfaqet brenda figurave gjeometrike lehtësojnë leximin e mjeteve shprehëse.
Të gjitha ngjyrat: grija, roza, e kuqja e tullës, e bardha dhe lejlaja janë në harmoni. Motivet që përmbyllin dyshemenë e nefit qëndror në aq hapësirë sa na lë e mundur që lexojmë nga gërmimi i vendit kanë konfigurimin e një zinxhiri ku hallka qëndrore është një katror, motive të përsëritura të barazlarguara, që bashkohen me njera-tjetrën nga dy diagonale të jashtme që priten dhe krijojnë simbolin (X). Hapësirat e formuara nga këto prerje krijojnë gjashtëkëndorë.
Ky mozaik që përshkruam pak më lart shpresojmë që pas zbulimit të plotë duhet arritur të mbulohet në një formë të studiuar mirë, pasi veç sigurimit të tij t’i krijohet mundësia e ekspozimit më të mirë (ndërtimi i mbulesave me konstruksione të lehta metalike e xham), interpretimit edukativ dhe botimit të këtyre objekteve me vlera shkencore, historike e artistike në mënyrë që të shërbejnë për të njohur traditën e për t’a çuar atë më tej nga brezat e ardhshëm.
Domosdoshmëria e gërmimeve arkeologjike në Berat
I gëzohemi këtyre zbulimeve për të mësuar mbi enigmat dhe sekretet që fsheh nëntoka e qytetit të fortifikuar kështjellë Kalaja e Beratit. Këto zbulime rastësore tregojnë se nëntoka e qytetit antik të Beratit ka objekte dhe vepra të tjera. Ajo që duhet të theksojë është ndërgjegjësimi dhe interesimi i qytetarëve të thjeshtë, që pas zbulimit të pjesshëm donin të mësonin me hollësi mbi vlerat e substancës arkeologjike që ishte zbuluar.
Pavarësisht rasteve të tilla të një zbulimi të rëndësishëm si ky, arkeologët nuk bëhen të ndjeshëm të kthejnë kokën dhe të orientohen nga ky qytet i mahnitshëm. Berati nuk ka qenë ekskluzivitet për specialistët shqiptarë në ndërmarrjen e eksepeditave, por qoftë edhe në bashkëpunim me universitete të huaja. Shteti duhet të ketë stategjitë e tij që Berati të jetë ndër prioritetet kryesore.
Të ndodhur përballë këtij zbulimi i cili është një dokument i rëndësishëm arkeologjik dhe që përbën një pasuri të madhe për arkeologjinë shqiptare edhe më gjerë, arkeologët nuk arrijnë jo vetëm të kenë vëmëndjen, por edhe të ndërgjegjësojnë institucionet që përgjigjen për ruajtjen e kësaj pasurie që trashëgojmë ne sot. Ndihet një indiferentizëm, mungesë dashurie, përkujdesjeje dhe mosvlerësim ndaj trashëgimisë kulturore. Askujt nuk i ka interesuar të bëjë gërmime në këtë qytet. Arsye tjetër nuk ka. Interesa të vogla të njerëzve që kanë në dorë këtë punë kanë sjellë që Berati nuk ka qënë dhe nuk është akoma në vëmëndjen e shkencës së arkeologjisë dhe që mjaft zbulime të rëndësishme të mos vazhdohen më tej.
M.T.K.R.S-Tiranë, I.M.K, I.A. & A.SH.A i kanë të gjitha mundësitë si financiare ashtu edhe ato profesionale për të çuar më tej zbulimin e këtyre vlerave të reja, që do t’a pasuronin akoma më shumë fondin kulturor, do t’i jepnin kontribut të vyer historisë së Shqipërisë dhe do të plotësonin zbrastësinë që ekziston nga burimet historike në këtë qytet, tanimë pasuri botërore duke i dhënë vlerësimin e munguar. Ktheheni kokën dhe veproni në qytetin e Beratit ku me të vërtetë mburemi të gjithë me vlerat që ka jo vetëm për Shqipërinë tonë dhe Ballkanin por për gjithë Europën.
(Në foto, mozaiku)
(Ne fotot, mbishkrimi ashtu si një pjesë e mirë e dyshemesë e shtruar me mozaik është mjaft i dëmtuar. Mozaiku ishte konceptuar si një tërësi motivesh gjeometrike, rradhë që ndërpriten apo takohen në perimetrin e tyre, katërkëndorë, gjashtëkëndor, motivi i luspave, gërsheta, gjethja në trajtë zemre si një ndër oranamentet e përdorur në kohën e vonë antike).
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 03.09.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)