DW: Znj. Lvovski, Banka Botërore prezantoi kohët e fundit, raportin e saj për Europën Juglindore në përfundim të vitit fiskal 2012-2013, në të cilin përfshihet edhe 6 mujori i parë i këtij viti. Çfarë thotë raporti për situatën ekonomike në rajon dhe në Shqipëri?
Kseniya Lvovski: Raporti paraqet trendin e zhvillimeve të fundit ekonomike në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Ai tregon se rajoni dhe Shqipëria po lëvizin nga një recession i dyfishtë në një rimëkëmbje të ngadaltë dhe të brishtë. Vitin e kaluar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor patën tregues negativë për rritjen ekonomike, me në krye ekonominë serbe. Këtë vit ne parashikojmë që gjendja do të jetë më mirë. Pasojat e krizës vitin e kaluar në ekonomitë e vendeve të BP, përfshirë edhe Shqipërinë, ku fluksi i remitancave, vështirësitë në sektorin e energjisë, dimri shumë i ashpër dhe thatësira e verës goditën rëndë ekonominë e Shqipërisë. Në këtë vit situata do të jetë më e mirë. Shpresohet që goditja e ekonomise nga sektori energjitik të shmanget, por recesioni do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim. Pra, ne presim rimëkëmbje, por ajo do të jetë e ngadalshme dhe rritja e ekonomike për rajonin dhe Shqipërinë do të jetë e ulët në dy vitet e ardhshme. Faktorë të tillë si huatë e këqia, rimëkëmbja e ngadaltë e kredisë, tkurrja e sektorit privat do të vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim negativ ndaj kërkesës së brendshme dhe rimëkëmbjes në vendet e Europës Juglindore dhe në Shqipëri.
DW: Ku bazohet parashikimi i BB se do të jetë më mirë në dy vitet e ardhshme?
Kseniya Lvovski: Shqipëria vitin e kaluar nuk rrëshqiti në recesion. Pati një rritje ekonomike prej rreth 1 % dhe presim që ajo të jetë pak më lart këtë vit, jo me ndonjë ndryshim të madh. Këtë vit shohim përmirësime të vogla, që shpresojmë të vazhdojnë në sektorin e energjisë, plus faktit që recesioni po ecën drejt përfundimit, pa qënë akut si vitin e mëparshëm, por është i pranishëm. Prandaj themi një rimëkëmbje e brishtë, pasi rreziqet janë ende.
DW: Cilat janë efektet më të dukshme të krizës dhe të rënies ekonomike në rajon dhe në Shqipëri?
Kseniya Lvovski: Do të theksoja dy pasojat më të dukshme, që ne si BB i cilësojmë të tilla: Niveli i lartë i papunësisë, veçanërisht rritja e papunësisë në radhët e rinisë. Kjo është një sfidë shumë e vështirë. Vitet e fundit numri i vendeve të reja të punës në Ballkanin Perëndimor ka qënë më i ulët se numri i hyrjeve të reja në tregun e punës, në forcat e punës. Situata e vendeve të punës mund të jetë më e keqe nga sa tregojnë shifrat e papunësisë, pasi shumë vetë largohen nga rajoni për të gjetur mundësi punësimi jashtë. Emigracioni vazhdon dhe mjedisi për të bërë biznes acaron më tej kushtet e vështira të tregut të punës. Pasoja e dytë, për të cilin BB është shumë e shqetësuar, është përkeqësimi i treguesve të reduktimit të varfërisë. Shqipëria kishte në këtë fushë arritje mbresëlënëse para krizës. Për fat të keq që nga 2008 nuk kemi ende të dhëna në dispozicion për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në 5 vitet e fundit. Megjithatë ka studime zyrtare për të matur varfërinë, burime të disponueshme si “Life in Transition Surveys”, të kryera më 2006 dhe 2010, që tregojne se varfëria ka ngecur në vend, ose ka të ngjarë të jetë përkeqësuar.
DW: Si do ta përshkruanit performancën e Shqipërisë në kuadër të krizës dhe reçesionit? Çfarë ndodh? Po në vendet fqinjë?
Kseniya Lvovski: Që prej më shumë se 4 vitesh kriza globale dhe financiare vazhdon të luftojë rimëkëmbjen. Ndër rajonet që janë goditur më rëndë nga kjo krizë, e cila vazhdon, është Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Duke parë dy vitet e fundit të një rimëkëmbjeje të brishtë, kur rritja reale ekonomike ishte 2%, si në 2010 ashtu edhe në 2011, rajoni regjistroi vitin e kaluar një “rënie të dyfishtë ekonomike”. Vetëm Shqipëria dhe Kosova shënuan një rritje ekonomike pozitive mes të gjitha ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor, që shënuan rënie. Edhe pse deri tani performanca e Shqipërisë është relativisht më e mirë se e vendeve të tjera, rritja e saj ekonomike është dobësuar në mënyrë substanciale për shkak të krizës së zgjatur në eurozonë, që po ushtron tani presion të lartë mbi kërkesën e brendshme. Me lidhjet e saj të ngushta me ekonomitë e Italisë dhe të Greqisë përmes eksporteve dhe remitancave, si edhe kthimit të flukseve financiare, është vështirë që Shqipëria të ketë një përqindje më të madhe të rritjes ekonomike.
DW: Znj. Lvovski, në shtator në Tiranë fillon punën qeveria e re, me kryeministër Edi Ramën. Cilat janë sfidat kryesore, që duhet të përballojë lidhur me situatën ekononomiko-financiare?
Kseniya Lvovski: Sfida kryesore për qeverinë e re është të kërkojë agjentë të rinj të rritjes dhe rritje, që krijon vende të reja pune. Dhe këtë duhet ta bëjë në një mjedis të vështirë të jashtëm dhe të brendshëm, kur jo vetëm kërkesa e brendshme është e shtypur, por kur qeveria nuk ka hapësirë fiskale për të mbështetur rritjen e kërkeses së brendshme. Prandaj është shumë e rëndësishme për të parë mundësitë: spostim nga një rritje e konomike e orientuar nga kërkesa e brendshme në një rritje të orientuar nga eksporti, masa serioze për të tërhequr investitorët e huaj, konsolidim fiskal, vënie rregulli tek financat publike, ulje e borxhit te lartë publik. Investitorët e huaj e perceptojnë borxhin e lartë publik si një rrezik për ekonominë.
Gjithashtu konsolidimi fiskal rrit mundësitë e financimit nga bankat tregtare për sektorin privat. Prioriteti tani duhet të jetë kalimi drejt një konsolidimi fiskal, reduktimit të borxhit publik në një periudhë afatmesme. Konsolidimi fiskal ka nevojë të shoqërohet nga një regjim fiskal me qëllim vendosjen e një spirance të re fiskale, pra një objektivi të ri financiar, si edhe forcimin e disiplinës financiare. Duhen marrë masa shtesë për të forcuar zbatimin e ligjit, pasi investitorët privatë e ndjejnë fort që ligji nuk zbatohet për të gjithë njëlloj dhe kjo i zmpraps ata, duke mos i kthyer dot në agjentë të rritjes.
DW: Cilat janë rekomandimet e Bankës Botërore për qeverinë e re lidhur me prioritetet e saj?
Kseniya Lvovski: Prioritetet mund të shihen nga pikëpamja sektoriale dhe nevoja për të krijuar vërtet një mjedis, që lehtëson investimet, rritjen ekonomike, sidomos rritjen e orientuar nga eksportet. Kjo lidhet me zbatimin e ligjit, besimin në institucionert publike, të dhënat e besueshme. Ndërkohë që axhenda e qeverisë Rama është e madhe, shoh tri fusha prioritare si thelbësore për një Shqipëri Europiane.
E para është rritja e besimit tek institucionet publike. Më tej lidhur me propozimet inkurajuese të Z. Rama për rritjen e transparencës dhe mbikqyrjen e pavarur të proceseve buxhetore dhe institucioneve si INSTAT-i, do të ishte shumë e rëndësishme që qeveria e re të adresojë perceptimin e zbatimit të ligjit njëlloj për të gjithë. Për të arritur këtë rritja e kapacitetit për zbatimin e ligjeve duhet të plotësohet me një llogaritje më të kujdesshme të kostove dhe realiteteve të zbatimit të ligjit në proceset legjislative. Por testi i pare i vërtetë për angazhimet e qeverisë së re ndaj idealeve të mirëqeverisjes dhe integrimit në BE do të jetë tërheqja e personave të kualifikuar në administratën publike, pavarësisht se për kë votuan. Kalimi i këtij testi do të sjellë përmirësim të qëndrueshëm në cilësinë dhe pavarësine e shërbimit publik dhe drejt tërheqjes së talentit human për t' u kthyer, qëndruar dhe punuar në atdhe. Janë të rëndësishme përshpejtimi i reformave strukturore, me fokus në rritjen e prodhimit, konkurrueshmëria dhe efikasiteti i shpenzimeve publike.
Për fat të keq qeveria e re do të jetë në një situatë të tillë, që i duhet të arrijë më shumë me më pak mundësi financiare. Qeverisë së re do t'i duhet të përshpejtojë rritjen pa patur hapësira për stimuj fiskalë. Ndërkohë, që konsolidimi fiskal duhet t' u dërgojë sinjalet e duhura investitorëve të huaj dhe bankave, që të mbajë të ulët perceptimin e tyre për rreziqet e investimit në Shqipëri. Qeveria e re duhet të krijojë hapësirë fiskale për rritje të investimve publike, në shpenzime publike të orientuara në të ardhmen nga investimet publike. Qeveria e re duhet të adresojë pa humbur kohë disa çështje të mbetura varur në sektorin e energjisë. Kjo është shumë e rëndësishme. Dhe të vazhdojë reformat në një sërë sektorësh, ku reformat kanë filluar ose presin të fillojnë: asistencën sociale, arsimin, bujqësinë, menaxhimin e burimeve ujore, procedurat e kontabilitetit dhe regjimit të inspektimeve dhe nevojës për një angazhim të ripërtërirë ndaj zbatimit të tyre të kujdesshëm.
Në sektorë të tjerë si në atë të energjisë, një fazë e dytë reformash është e vonuar. Përzgjedhja strategjike do të jetë çelësi i suksesit, ashtu si nxjerrja e mësimeve nga përvoja rajonale dhe globale. Prioriteti i tretë është fillim i një programi të besueshëm të konsolidimit fiskal me qëllim stabilizimin e borxhit të rritur publik për ta futur në rrugën e uljes së tij graduale. Kjo duhet realizuar paralelisht me plotësimin e pagesave të prapambetura dhe faturave të papaguara të sektorit privat dhe krijimit të një sistemi, që parandalon akumulimin e pagesave të prapambetura në të ardhmen. Konsolidimi fiskal nuk është një moto popullore për cilëndo qeveri, veçanërisht kur ekonomia është e dobët, por në kushtet e Shqipërisë rritja e shpenzimeve publike pa një rritje korresponduese të ardhurash është e papërballueshme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe në fund të fundit e dëmshme ndaj rritjes ekonomike- Vende të reja të punës, standart më të mirë jetese mund të sjellë vetëm rritja e qëndrueshme. Ka nevojë për një strategji të guximshme dhe realiste, që do të mbështesë rritjen dhe njëherazi do të rindërtojë hapësirën fiskale. Ka ardhur koha për të marrë në konsideratë futjen e një regjimi fiskal dhe programi të FMN.
DW: Korrupsioni?
Kseniya Lvovski: Nuk e përmenda në mënyrë eksplicite, por lufta kundër korrupsionit është pjesë e mirëqeverisjes, pjesë e zbatimit të ligjit. Nëse të gjithë e zbatojnë atë, atëhere nuk do të ketë korrupsion. Perceptimi për korrupsionin është përkeqësuar vërtet në vitet e fundit në Shqipëri. Kjo është shumë shqetësuese, sepse nuk kemi një trend përmirësimi. Adresimi i qeverisë së re në këtë çështje është një tjetër sfidë e rëndësishme, si për axhendën ekonomike, ashtu edhe politike të Shqipërisë, pra anëtarësimin në BE.
DW: Dëshironi të shtoni diçka tjetër lidhur me sfidat e qeverisë Rama?
Kemi një qeveri të re, që është zotuar të cojë përpara axhendën e saj, ta sjellë më pranë Shqipërinë me BE, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Por askush nuk mund të presë mrekullira. Të gjitha palët duhet të kontribojnë. Qeveria e re duhet të punojë fort, po kështu bizneset, qytetarët duhet të japin kontributin e tyre duke paguar taksat, duke treguar jo tolerancë ndaj evazionit fiskal. Reformat në një sërë sektorësh, përfshirë shërbime më të mira, kërkojnë pagesën e duhur. Pra, nuk priten mrekullira, por nëse punohet së bashku, Shqipëria në pak vite do të kapërcejë situatën e tanishme.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)