BBC:Nënë Tereza “shenjtorja e gjallë”

BBC:Nënë Tereza “shenjtorja e gjallë”
Kur ajo ishte gjallë, Nënë Tereza cilësohej si “një shenjtore e gjallë”. Tani, 18 vjet pas vdekjes së saj, ajo është në rrugën zyrtare  për ta marrë zyrtarisht këtë titull.
 
Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet asaj – shërimin e një mashkulli brazilian me tumor në kokë në vitin 2008.
 
Kjo grua me një fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, ka pushtuar imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
 
Urdhri që ajo themeloi, Misionaret e Bamirësisë, u rrit dhe mblodhi 3.000 murgesha dhe 400 vëllezër në 87 vende, që kujdeseshin për të varfërit.
 
Në vitin 1979, ajo mori Çmimin Nobel për Paqe dhe kërkoi që darka madhështore gala që do të mbahej për të, të anulohej dhe të ardhurat t’u jepeshin të varfërve të Kalkutës.
 
Në vitin 2002, pesë vjet pas vdekjes së saj, Papa Gjon Pali II gjykoi se shërimi i një gruaje që vuante nga tumori në stomak, ishte rezultat i ndërhyrjes së mbinatyrshme të Nënë Terezës.
 
“Thirrja brenda”
 
Nënë Tereza, e njohur ndryshe me emrin e saj të vajzërisë Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur në vitin 1910 në Shkup, tani kryeqytet i Republikës së Maqedonisë, i cili atëherë ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Familja e saj ishin shqiptarë etnikë, dhe katolikë të devotshëm.
 
Ajo vendosi qysh në moshën 12-vjeçare se donte të bëhej një misionare në Indi.
 
Në moshën 19-vjeçare, u bashkua me Urdhrin irlandez të Loretos, ku ka mësuar gjuhën angleze dhe në vitin 1929 u dërgua në Indi.
 
Nënë Tereza, e cila e mori emrin nga Tereza e Lisieux, nisi të jepte mësim në një shkollë në Darjeling, një qytet në ultësirën e Himalajeve. Pastaj, në vitin 1946, pas konflikteve që mbërthyen Indinë e sunduar nga britanikët në atë kohë, ajo dëgjoi “thirrjen brenda” saj për të ndihmuar të varfrit, ndërsa jetonte në mesin e tyre.
 
Pas 10 vjetësh që u përkushtua duke ndihmuar të varfrit në lagjet e rrënuara të Kalkutës, ku thuhet se 100,000 persona ishin të pastrehë, hapi një bujtinë me bazë në një tempull hindu në Kaligat, e më pas një shtëpi për fëmijët e braktisur dhe një strehë për personat që vuajnë nga lebroza.
 
Një ultra konservatore
 
Misioni i saj u përhap në të gjithë Indinë, dhe fama e saj u rrit bashkë me të. Në vitin 1970, gazetari Malcolm Muggeridge bërë një film që e solli Nënë Terezën në vëmendjen e Perëndimit.
 
Muggeridge, një agnostik, u frymëzua për t’iu bashkuar besimit katolik.
 
“Fjalët nuk mund të përcjellin mirënjohjen që kam për të,” shkroi ai.
 
Nënë Tereza ka kundërshtuar me patos të madh përdorimin e kontraceptivëve dhe abortin. Ajo u shpreh në një konferencë në Oksford në vitin 1988 se kurrë nuk do të lejonte një fëmijë që i ishte besuar kujdesit të saj që të adoptohej nga një grua që kishte bërë një abort më parë apo kishte përdorur kontraceptiv.
 
“Një grua e tillë nuk mund të të dojë”,- pati thënë Nënë Tereza.
 
Pikërisht ky mendim e kishte vënë Nënë Terezën në kundërshtim të madh me lëvizjen feministe.
 
Germaine Greer e kishte quajtur “një imperialiste fetare”. Shkrimtari Christopher Hitchens kritikoi gjithashtu shoqatën e krijuar nga Nënë Tereza për lidhjet me diktatorët si Duvaliers në Haiti dhe Enver Hoxhën në Shqipëri.
 
Pikëpamjet e saj të vijës së ashpër mbi abortin dhe kontracepsionin u mirëpritën nga Papa Gjon Pali II i cili e cilësoi Nënë Terezën si një zëdhënëse të kauzave papale.
 
Nënë Tereza, pasuria e të cilës ishin vetëm një kovë dhe dy sari, erdhi për të simbolizuar dashurinë për ata që nuk u ofrohet dashuri dhe kujdes për ata që janë të vetëm.
 
Në fjalët e Malcolm Muggeridge, ajo kontribuoi “diçka të bukur për Zotin”. /TO-BBC/

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit