Ish-eksperti në Konferencën e Rambujesë (që u mbajt rreth 27 vite më parë afër Parisit), Avni Jasharllari, është shprehur se propaganda serbe ka bërë gjithçka që të shtrembërojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri.

Komentet Jasharllari i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se BE çuditërisht mbështeti pretendimet e serbëve, pavarësisht se e dinin se Serbia është një shtet që ka shkaktuar disa konflikte në rajon, duke pranuar krijimin e Gjykatës Speciale.

Jasharllari tha gjithashtu se pretendimet për Shtëpinë e Verdhë janë sajesa të serbëve, me qëllim që opinioni ndërkombëtar të mbarsej me ide se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit.

“Unë jam në dijeni për aq kohë sa kam mbajtur kontakte me udhëheqës të Kosovës, që UÇK ishte një luftë popullore. Ai organizim që kërkojnë këta, mbase edhe nuk funksiononte, sepse ishte nën mbikëqyrjen e serbëve. Këta ishin në ilegalitet të plotë të gjithë. UÇK ishte me një organizim rajonal. Kjo ishte një ndërgjegjësim i popullit të Kosovës për liri. E gjithë kjo veprimtari e popullit të Kosovës pati përkrahjen masive të popullit të Kosovës, por pati edhe elementë që punuan për serbët. Unë e di që një pjesë e Kosovarëve të paguar nga shërbimi serb, ose kanë qenë anëtarë të shërbimit serb, indirekt kanë ndikuar në dhënien e materialeve për të propaganduar që UÇK është një organizatë terroriste, apo grup kriminal siç e quanin ata.

Por e vërteta është krejt ndryshe. Shkurt fajtorë janë serbët. Serbët punuan vite të tëra për të krijuar situata që opinioni ndërkombëtar të dënonte UÇK-në dhe çdo gjë tjetër që e ndihmonte UÇK-në dhe krijuar Shtëpinë e Verdhë, bënë propagandë që po vriten njerëzit në Kosovë.

Ngritën materiale sikur po vriten serbë në Kosovë. Dhe mbi bazën e gjithë kësaj propagande, ndodhur në kushtet që kushdo që do ta dëgjonte në opinion trafikun e organeve, rrëmbim personash, etj, do të thoshin ‘po, kemi të bëjmë me njerëz që kryejnë krime kundër njerëzimit’. BE pastaj donte të ndihmonte shtetin serb, që shteti serb është shteti që bëri luftë me Slloveninë, Kroacinë, Bonjën, Kosovën dhe bëri krime gjithandej. Dhe sërish përpiqen ta ndihmojnë. Jemi në kushte shumë të pabarabarta. Krijimi i kësaj gjykate është bërë për të hequr emrin e mirë të një lufte që bëri UÇK”, tha mes të tjerash Jasharllari.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi pak ditë më parë nga 45 vite burg për secilin nga 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, një kërkesë kjo e komentuar si absurde nga faktori politik shqiptar.

Lidhur me këtë kërkesë të Speciales, u zhvillua sot një protestë madhështore në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe të një gjykimi të drejtë për ta.


Lajmi kryesor:

EKSKLUZIVE/ Ish-prokurori: 14 ekspertë të huaj 'zhbiriluan' ‘Shtëpinë e Verdhë’ në Mat për 12 orë! S'gjetën prova për trafik organesh nga UÇK! Amerikani tha ‘bullshit’, erdhëm kot këtu