Frymëzuar nga shembuj të suksesshëm të arkitekturës sovjetike të kohës, Pallati i Sportit në Korçë paraqet një ndër rastet më interesante ku ndërthuren me elegancë elementet formale dhe ato strukturore. Pallati u projektua në vitet 1973-1976 nga Mauricio Bego pranë kompleksit sportiv të qytetit. 

Salla ishte e dyta në vend për nga madhësia pas Pallatit të Sportit Partizani, me një kapacitet të përgjithshëm të projektuar të tribunave thuajse 2 500 spektatorë. Zgjidhja e brendshme bazohet në dy tribuna asimetrike, me kapacitete të ndryshme, të vendosura përballë njëra-tjetrës përgjatë brinjëve gjatësore të fushës. 

Zgjidhja strukturore e mbulesës u realizua me kapriata të pjerrëta, 4 m të larta, që mbulojnë një hapësirë 44 m, distanca më e gjatë e mbuluar deri atëherë në vendin tonë. Marrëdhënia formë strukturë në këtë rast rezulton mjaft e natyrshme, duke e bërë objektin lehtësisht të lexueshëm dhe mjaft të artikuluar.

Për të shmangur ndonjë keqkuptim të mundshëm mbi influenca të modernizmit, Arkitekti Bego tregohet i kujdesshëm të trajtojë tavanin e sallës kryesore me motive etnografike të cilat i referoheshin direktivës mbi arkitekturën kombëtare. Ky ishte një formalizëm i panatyrshëm për karakterin e ndërtesës, por i nevojshëm për konformizmin ideologjik e politik të projektit. Po në të njëjtën frymë, në vizatimet e Begos, kolonada e hyrjes në fasadën kryesore emërtohet “hajat” duke iu referuar kështu arkitekturës popullore.

Projekti u konsiderua mjaft i suksesshëm, si në aspektin arkitektonik ashtu edhe në parametrat ekonomike. Si i tillë, u vendos të përsëritej i njëjti projekt me ndryshime të vogla në Vlorë e në Elbasan.

Bazuar në botimin: ARENAT, Vështrim tipologjik mbi arkitekturën shqiptare 1945-1990.