Mijëra shqiptarë, mes tyre edhe ish-luftëtarë të UÇK-së protestuan në Prishtinë dhe kërkuan drejtësi për 4 liderët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, për të cilët Prokuroria e Hagës ka kërkuar 180 vite burg. Report Tv me gazetarin Arlind Isai sjellin rrëfimin e ish-luftëtarit Faik Kadriaj i cili kujton luftën dhe kontributin që ka dhënë UÇK-ja për lirinë e Kosovës. Ai thotë se kanë parë me sytë e tyre masakrën dhe përdhunimet që kanë bërë serbët ndaj popullsisë civile në Kosovë.

Kadriaj thotë se UÇK-ja kurrë s’ka bërë krime ndaj njerëzve civilë, por kanë luftuar vetëm për liri. Ish-luftëtari i UÇK-së shton se lufta ishte e padrejtë përballë një shteti si Serbia.

“Jam i plagosur gjatë luftës, kam nis 1998 e deri në fund, kemi dhënë kontributin tonë, aq sa kemi pasur mundësi bashkë me SHBA kemi ardhur në këtë gjendje. Lufta s’ka qenë e drejtë, jemi përballë me Serbinë, ja kemi kthyer pushkën me atë armë që na ka dhënë nënë Shqipëria. Kemi parë me sytë tonë, masakrat dhe përdhunimet që ka bërë serbët. Por ne si UÇK kurrë s’kemi tentuar të vrasim njerëz të paarmatosur, sidomos fëmijë. Kurrë në jetë s’ka bërë UÇK krime ndaj njerëzve civilë. Kemi luftuar vetëm për të drejtën tonë”, rrëfen ai për Report Tv.

Veterani bën thirrje që të lirohen 4 liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë prej 5 vitesh.

“Mesazhi kryesor është të na lëshojnë liderët, janë të pafajshëm, kanë kontribuar për liri. Kosova për 20 vite liri dhe 18 pavarësi, është ndër shtete e pakëta që ka përparuar dhe është bërë zhvillim shumë i madh. Fale atyre që kemi në Hagë, kemi të gjitha institucionet që i takojnë në shteti, gjithçka është bërë me mundin e tyre, ne vetëm kemi kryer detyrën si qytetarë të vendit”, thekson ish-luftëtari i UÇK-së për Report Tv.

Kërkesën e Hagës për të dënuar me 180 vite burg liderët e UÇK-së e quan një krim që u bëhet për së dyti. Sipas tij, akuzat ndaj liderëve të UÇK-së janë të trilluara dhe të paguara nga Serbia.

“Ky është krim që i bëhet për së dyti atyre njerëzve dhe Kosovës. Është krim i madh. S’ka gjykatë që mund të dënojë çlirimtaret, nuk kemi sulmuar asnjë shtet, kemi luftuar për vendin tonë, për të drejtat tona, që na kanë ndarë nga nëna jonë Shqipëri. Nuk besoj që kanë për t’i dënuar kurrë, do jetë fatkeqësi e madhe nëse dënohen.  

Janë të paguara me pare nga Serbia për të njollosur UÇK. Çfarë flitet për çlirimtarët e Kosovës, nuk është e vërtete. Janë trillime të paguar direkt nga Serbia”, shprehet Kadiraj.

Protesta në Prishtinë që bëri bashkë mijëra shqiptarë, përkoi me 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë